Vazhdoj të pres dhe sa jam lodhur
Ca re të zeza mbi qiell po rrinë,
Me ty nuk flas, ah çka ka ndodhur
Mbrëmje heshtake ngrysur më vijnë.
Vazhdoj të pres e çastet shkojnë
Çudi s’të them sa jam mërzitur,
Ka kohë që trenat këtu s’ndalojnë
Më kot po çmendem duke të pritur.
N’këtë stacion të bërë prej reje
Zhagiten pritjet ndaj kjo më vret,
Patjetër t’nisem pas një rrëkeje
Se ku ta di… më çon në det.
Dhe dal tek bregu ku ti mbi gurë
Ke çmendur valët dhe nuk e ndjen,
Sa luftë të bëshme këtej ke prurë
Aty pas shpine ngadalthi t’vjen.
Ah ç’nisa luftën nuk bie Troja
Ka ngul legjendat thellësisht në tokë,
Mbi kalë prej druri s’u bëka loja
Pa pas ndjesitë dhe mendtë në kokë.
Ti brenda saj qëndron robëruar
Rënkimet terri t’i ka mbështjellë,
Ndaj kurrë s’do thoja që jam hutuar
Dhe rri mëkot nën këtë kështjellë.
Sepse ku t’ik… ta lë vetmuar
Vështrimin muresh prandaj e mbaj,
Në fakt, nuk di ç’kam dashuruar
Vetë tragjedinë… a sytë e saj…
*Titulli i origjinalit: “Çudi”
ObserverKult
Lexo edhe:
XHELAL ADEMI: SI S’MË ERDHE NË KUJTIME, AS NË ËNDËRR S’DUKESH MË