Zija Çela: Këtë e kam amanet nga babai…

Zija Çela

Nga: Zija Çela

1.Në Vienë, në sallonin e një vile të madhe, po vallëzohet. Çiftet që ndodhen më të djathtë, duke qenë të ftuar të rastit, kthejnë kokën përballë me kërshërinë për të ditur se cila është ajo zonjë me duart e vogla, tepër nazike, por me një push plot shndritje në gishtërinj, shndritje aq të çuditshme, sa duket sikur ka mbajtur në pëllëmbë një flutur, që sapo e ka lënë të fluturojë.

2.Në Graz jetonin dy mikesha, frau Helga dhe frau Riva. Ato njiheshin prej kohësh, prandaj shpesh pinin kafe te njëra-tjetra. Në një ditë me shi, ndërsa bubullonte e llapste flaka e rrufeve, frau Riva ishte ngritur nga divani, ku drita e vetëtimave arrinte më pak, dhe ishte afruar pranë dritares duke iu zbuluar ballë për ballë atij shpërthimi të zjarrtë, plot afshe e llamburitje. Disi e habitur, Helga e kishte pyetur:

E përse, frau Riva?
Dhe Riva ishte përgjigjur.
Pas ndonja një viti, për arsye pune, Helga u mbart në Vienë. Atëherë, frau Riva u miqësua me Bettin-ën. Në një ditë me shi, kur po shungullonin bubullimat me një gjëmë të thekshme që vinte valë-valë, frau Riva u ngrit nga kolltuku i qoshes dhe vajti pranë dritares, pikërisht ku stërkalat e zjarrta ishin më të forta.

E përse, frau Riva? – pyeti Bettina.
Dhe Riva iu përgjigj njëlloj, sikundër Helgës:

E kam amanet nga babai. Kur u largova nga Shqipëria, ai më tha: “Kudo të jesh, bija ime, sa herë që qielli të mbushet me ngarkesa dhe prej ngarkesave të shpërthejë, ti afrohu te dritarja, se nuk janë rrufetë, është shpirti im që hapet prej mallit. Jam unë që të kërkoj, moj bijë, hedh dritë rreth teje, të shoh kudo tutje dhe nga larg të fotografoj.”
Kaluan ca muaj. Meqë burri i Bettinës trashëgoi në Vienë një vilë të mobiluar, në afërsi të parqeve të Schonbrunn-it, u tërhoqën për të jetuar atje. Vetëm si kaluan disa vjet dhe përfunduan digat shtesë, që bëheshin në zonën ku fillojnë Alpet, bashkëshorti i Rivës u punësua në një institut të hidroteknikës dhe, kështu, tri mikeshat u ribashkuan në kryeqytet.
Me atë rast u shtrua mbrëmja e mirëseardhjes.

Në Vienë, në sallonin e vilës së madhe, frau Helga e frau Bettina u gjetën përsëri para asaj të papriturës së dikurshme. Befas, duart e Rivës u veshën me një pluhur të ndritshëm, diçka që të kujtonte nitratin e argjendit në gishtërinjtë e fotografëve, kur sapo i kanë nxjerrë nga vaska e laboratorit. Me të nisur shtrëngata, Riva e kishte ndërprerë vallëzimin, ishte afruar pranë dritares me harqe si dritësoret e kishave dhe atje i kishte gurgulluar fyti prej një psherëtime të gjatë. Dy mikeshat e panë të habitura. Natyrisht, ato e kishin mirëkuptuar në fillim, kur shqiptarja e çuditshme besonte se, sa herë ndizeshin blicet e vetëtimave, shkrepte malli i babait të saj, të cilit i shfaqej fytyra e së bijës dhe sikur e fotografonte nga larg. Por çdo gjë ka një masë, sa kohë ende do të vazhdonte ajo tërheqje misterioze?!

E përse, frau Riva, përse afrohesh prapë te dritarja? – e pyetën të stepura.

Ah, – psherëtiu Riva, që gjithnjë mund të shfrynte lirshëm, pasi bajamet i kishte hequr që në fëmijëri, – nëse atëherë ishte im atë që më shihte mua, tani jam unë që e shoh babain tim. – Edhe nuk foli më. Por pa ndonjë ngurrim, ngriti lart duart e vogla, sikur po tregonte drejtimin se nga e shihte të atin.
Mirëpo, pikërisht atë çast, zonjat vërejtën se ai pluhuri i ndritshëm nëpër pëllëmbët e saj, nuk i ngjante më as pushit të krahëve të fluturës, as argjendit të laboratorëve fotografikë, madje as shëmbëllimit të shpuzës së vetëtimave, por atij fosforit të lehtë, krejt të veçantë, fosforit që vozit nëpër qiell, zbret herë-herë edhe më poshtë, por ne jemi në gjendje ta dallojmë vetëm në varreza.

Sqarim i autorit: Riviera është bija ime. Meqë jeton në Austri, e kam lënë në gjermanisht fjalën Zonjë. Tregimi u shkrua në vitin 2000…

*Titulli i origjinalit: “Frau Riva”

ObserverKult


Lexo edhe:

ZIJA ÇELA: PSE NDODH QË TË JESH MES NJERËZISH DHE PRAPËSEPRAPË TË NDIHESH VETËM?