Pyetësori i Prustit: Milazim Krasniqi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Milazim Krasniqi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Lumturinë e përkryer dhe lartësimin moral të njeriut, sipas përvojës sime personale dhe bindjes sime te plotë, e mundëson vetëm besimi i sinqertë fetar. Në të gjendet kuptimi më i thellë i jetës, arsyeshmëria e vdekjes si gjendje kalimtare dhe besimi e shpresa për përhershmërinë e jetës edhe pas vdekjes.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Frika më e madhe është nga e panjohura. Një imazh, një fjali e shkëputur nga konteksti, së cilës nuk arrij t’ia rrokë kuptimin në kohë reale, më shkakton siklet. Përpiqem ta kompletoj kuptimin e saj me informata të tjera, e kjo vërtet di të provokojë edhe njëfarë ndjenje frike të pakuptimtë. Jam mësuar me të dhe e menaxhoj.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Nuk admiroj askend, as veten time. Njeriu që e ka respektin tim më të madh, krahas dashurisë e mëshirës, është gruaja ime, Edibja. Ajo më ka ndihmuar të jetoj, më ka ndihmuar ta çoj përpara karrierën, më ka kompletuar si njeri e si familje.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Për mua personalitete më të mëdha historike janë të dërguarit e Zotit. Në mesin e tyre spikasin Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi. Ata kanë bartë misionin e transformimit të shoqërive njerëzore. Por, me ta nuk ka shans të identifikohet askush, sepse janë unikë, të papërsëritshëm.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë te vetja ime, të cilat përpiqem t’i eliminoj, ose e pakta t’i minimizoj. Më së shumti më pengon shpejtësia me të cilën më krijohen në mendje asociacione nga fjalët dhe nga imazhet. Shpesh herë më bezdisin. Është natyrë tipike e shkrimtarit, e di këtë gjë moti, por është e sikletshme. Shpesh herë u marr lakmi tipave flegmatikë, që i marrin punët avash, nuk u bëhet vonë për kurrgjë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Më së shumti më trishton gënjeshtra, pas saj, hipokrizia. Duke u plakur, po bëhem gjithnjë e më i ndjeshëm ndaj gënjeshtarëve dhe hipokritëve. Ndoshta mua po më duket, por kam frikë se po shumohen.

Në cilat gjëra e teproni?

-Në përpjekjen për të qenë perfekt, i pagabueshëm.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

-Me bindjen që kam, asgjë. Por, në situata ekstreme nuk di si do të sillesha.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Rrugën më të bukur në jetë e kam bërë kur kam shkuar në vendet e shenjta, në Mekë e Medinë. Por jam kënaqur shumë edhe kur kam qëndruar në Universitetin e Harvardit. Poashtu në Tokio e Rejkjavik jam kënaqur. Ndërsa, qyteti ku shkoj gjithnjë me gëzim të madh është Stambolli.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Në fakt.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Në disa poezi dhe proza poetike kam bërë një introspeksion të gabimeve që kam bërë në fëmijëri e në rini. Në njërën përshkruaj se si e kam qëlluar me gur në sorrë, derisa po pushonte në degën e një peme. Pas disa deceniesh, duke e shikuar atë degë peme, më është dukur se guri u kthye dhe më goditi mua në fytyrë. Pra, figurativisht, po edhe faktikisht, të gjitha gabimet që bëjmë, fshehtas a haptas, na kthehen kundër nesh. Mënyra më e mirë e shpëtimit prej hakmarrjes së gabimeve tona, është pendimi dhe mospërsëritja e tyre.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Edibja, gruaja ime. Ajo i ka dhënë kuptimin më të bukur e më të plotë jetës sime. Nuk po e them për t’u dukur, por sinqerisht, sot e dua njësoj siç e kam dashur para 40 vitesh. Është e përkushtuar, e mençme dhe e dashur, aq sa as si shkrimtar nuk di ta përshkruaj.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-Është dita e fundit e agjërimit, prandaj jam pak i mërzitur që po na shkon ky muaj, në të cilin kam medituar shumë, kam lexuar shumë, jam shoqëruar me shumë njerëz dhe jam munduar të jem sa më i devotshëm. Tash duhet t’i kthehem rutinës e kjo si duket është paksa pikëlluese.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Fantazinë do ta bëja më të disiplinuar.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-E arritura ime më e madhe është ripraktikimi i besimit fetar islam, pas viteve të rinisë, ku e pata neglizhuar shumë. Ta adhurosh Zotin dhe të përpiqesh të jetosh në pajtim me udhëzimet e Tij, për mua është lartësimi më i madh që mund ta arrijë njeriu.

Nëse do të mund  të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do të ndryshoja qëndrimin në rini që kam pasur ndaj besimi fetar. Do të isha edhe më i përkushtuar se sa që kam qenë, ndaj prindërve të mi. Natyrisht edhe sjelljet ndaj shumë njerëzve do t’i përmirësoja.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Nuk më duket pyetje e përshtatshme për t’iu përgjigjur.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

-Besimin.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Gënjeshtrën, mendjemadhësinë.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në Prishtinë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?

-Ndershmërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?

-Ndershmërinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

– Ka shumë. Në faza të ndryshme jetësore, kanë qenë shkrimtarë të ndryshëm. Si student e kam pasë pëlqyer shumë Teodor Drajzerin, Pushkinin, Shollohovin. Më vonë kam lexuar me shumë pasion Markezin, Gynter Grasin, Ljosën, Izabela Alenden. Poetët  Jorgo Seferis, Oktavio Paz, Bodlerin, Martin Camajn, Frederik Reshpjen, Fatos Arapin. Prozatorët Milan Kunderën, Poaolo Koelon dhe Vath Koreshin i kam lexuar poashtu me shume kënaqësi. Tash më pëlqejnë më shumë Orhan Pamuku dhe Umberto Eko.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Nuk po e kuptoj pyetjen plotësisht. Por, nëse ka të bëjë me realitetin tonë shqiptar, heronjtë më të mëdhenj që meritojnë nderimin tonë janë Shaban, Hamëz e Adem Jashari, për atë sakrificë të paimagjinushme që bënë për lirinë e Kosovës. Natyrisht të gjithë dëshmorët e përpjekjeve për liri, e meritojnë respektin tonë të thellë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Veç shkrimtar.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Me besim të patundur.

Cila është motoja juaj?

-Ka vite që studentët i motivoj më thënien ”Më të mirët nuk jemi, më të mirë nuk ka.” /Gazeta Observer