Pablo Neruda: Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë

Poezi nga Pablo Neruda

Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë
Me shkrue, për shembull: “ Nata asht e shndritshme,
e dridhen yjet blu, prej së largti.”

Era e natës endet në qiell dhe këndon.

Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë.
Unë e kam dashtë, e ndojherë edhe ajo më ka dashtë.

Në net’ si kjo e kam pasë në krahët e mi.
E kam puthë shumë herë poshtë qiellit të pafund.

Ajo më ka dashtë, ndojherë edhe unë e doja.
Si mos me i dashtë sytë e saj të mëdhej e të ngultë.

Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë.
Me mendue që s’e kam. Me ndie që e kam humbë.

Me dëgjue natën e pafund, ma e pafund pa të.
Dhe vargu bjen në shpirt si vesa në lëndinë.

Ç’rëndësi ka që dashnia ime nuk kish mujtë me e rujtë.
Nata asht e shndritshme e ajo nuk asht me mue.

Kjo asht e gjitha. Prej së largu dikush këndon. Prej larg.
Shpirti im nuk ngushllohet me humbjen e saj.

Si për me e lypë shikimi im e kërkon.
Zemra ime e kërkon, e ajo nuk asht me mue.

E njejta natë që ban me u zbardhë të njejtat pemë
Ne, ata të dikurit, tash nuk jemi të njejtit.

Tash nuk e due, asht e vërtetë, po sa e kam dashtë.
Zani im kërkonte erën për me prekë veshin e saj.

E tjetrit. Ka me qenë e tjetrit. Si ma parë e puthjeve të mia.
Zani i saj, kurmi i saj i njomë. Sytë e saj të pamatë.

Tash nuk e due, asht e vërtetë, por ndoshta e due.
Asht aq e shkurtë dashnia, e aq e gjatë harresa.

Sepse në netë si kjo e kam pasë në krahët e mi,
Shpirti im nuk ngushllohet me humbjen e saj.

Edhe sikur kjo të jetë dhimbja e fundit që ajo me shkakton,
dhe këto të jenë vargjet e fundit që unë ia shkruej.

Përktheu: Manjola Brahaj

ObserverKult

———————————
Lexo edhe:

AGIM SPAHIU: MË E SHTRENJTË SE BUKA ISHE PËR MUA….

Më e shtrenjtë se buka, më e pashme se lulja
ishe për mua,
(Sa zor e kam t’i marr nëpër duar, t’i hap
fletët e viteve që shkuan!)
U miqësova me librat dhe heshtjen,
të isha i ditur, i mençur,
fitova krenarinë tënde me pak përhënie,
ecjen dhe përshëndetjen…
Dhe vrapoja të shihja, të thosha një fjalë,
(Ora nuk plakej pa të parë!)
Edhe pantallonat i mbaja në ngjyrën që të pëlqente
për një vështrim, për një buzëqeshje…
Tash që na shtohen thinjat e grindjet
dhe fëmijët rriten,-mendjen atje e mbaj.
Të lutem, mos më bëj të qaj!

*Titulli i origjinalit: Dhe fëmijët rriten

ObserverKult

Lexo edhe:

NGA VJENA NË KASOLLE, KU BUKA THATË BLIHEJ ME FLORINJ