Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Kliton Nesturi.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Mendoj se diçka e tillë nuk ekziston. Ky togëfjalësh është thjesht një përrallë e bukur, por gjithësesi mbetet përrallë. Qysh i vogël jam mësuar që të mos besoj në to.
Cila është frika juaj më e madhe?
Të mbetem pa miqtë e vërtetë dhe pa njerëzit që dua.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Çdo person që qëndron denjësisht në jetën e tij, pavarësisht furtunave dhe sfidave me të cilat përballet. I çmoj gjithashtu njerëzit që kontribuojnë për shoqërinë dhe që lënë vepra të çmuara.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Dy personalitet historike që adhuroj janë presidenti Ronald Regan dhe kancelari Helmut Kohl. Kam mësuar shumë nga vizioni dhe pragmatizmi i tyre. Por, pavarësisht kësaj nuk do të desha të identifikohesha me ta. Mendoj se çdo njeri duhet të ndërtojë identitetin e tij, pa kopjuar askënd.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjaknxehtësia, në disa raste.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Intrigantët dhe të pabesët nuk i pëlqej. Gjithnjë përpiqem që t’u qëndroj larg.
Në cilat gjëra e teproni?
Besimi i tepruar tek të tjerët. Në jo pak raste kjo më ka dëmtuar.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nuk më pëlqen të gënjej, por do ta bëja në çdo rast që do më duhej për të shmangur ndonjë grindje apo bisedë të lodhëshme.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi drejt vetvetes. Është udhëtimi më i bukur dhe që më bën të ndihem mirë duke parë gjithçka me qetesi dhe reflektuar me objektivitet.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Duaje veten. Këtë ua them shpesh miqve të mi dhe personave që dua.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Kam bërë gjëra që sot nuk do t’i bëja. Ajo për të cilën më vjen më shumë keq, është se në ndonjë rast e kam lënë kohën time të shkojë, duke ua dhuruar atë të tjerëve. Është borxhi që askush nuk ma kthen dot.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dashuria ime më e madhe është për njerëzit që dua dhe më duan, për Tiranën, qytetin ku kam lindur e jam rritur, e ndoshta edhe do të vdes.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E një njeriu që është në luftë me kohën dhe veten.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Ti jepja edhe më shumë kohë vetes dhe qëllimeve të mia për të realizuar ato gjëra që dua.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Faktin që jam ky që jam.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do doja që im atë të ishte gjallë. Po kështu edhe miqtë e mirë që kanë ikur nga kjo jetë. Së bashku do të shtonim edhe më shumë momentet e bukura të jetës.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ky që jam, por me pak ndryshime.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Forcën për t’u përballur me situatat dhe për t’i tejkaluar ato.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Meskinitetin dhe humbjen e dinjitetit.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend i cili të më jepte paqe dhe mundësinë për t’u ndjerë mirë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Burrërinë dhe mençurinë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Zgjuarsinë dhe forcën për të tejkaluar sfidat.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nga të huajt Shekspiri, nga shqiptarët – Migjeni.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Të gjithë ata që shohin të vërtetat në sy, përballen denjësisht me sfidat dhe që në fund mbeten vetvetja. Sot nuk është e lehtë të jesh dhe të mbetesh Njeri.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Këtë që kam.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në qetësi, ndoshta në gjumë. Nuk do të desha të kisha asnjë pranë në ato çaste.
Cila është motoja juaj?
Unë jam heroi i jetës time. Çdokush duhet të jetë heroi i jetës së tij!/Observer Kult