Dritëro Agolli: Kafeneja e vjetër


(Sa shumë patëm njohur,
Sa shumë mbyllën sytë e vanë!…
)

Këtu dikur në kafenenë e vjetër
Me banakierin plak Banush Ademin.
Kalonin ditët tryezave poetët
Dhe thashethemet gotave kërcenin.

Këtu Ali Asllani pinte kafe
Lëkurëbutë, i butë e para grave,
Me Milto Sotir Gurrën me mustaqe
Të mbetur me një dhëmb si çelës brave.

Këtu Lasgushi fliste për planetin,
Për yjet që mes qiellit hidhnin valle;
Në qoshe Petro Markua me Shevqetin
Mëri i mbanin botës plot me halle.

Këtu Skënder Luarasi zemërohej
Dhe nëmte tiraninë e puthadorët,
Kollitej Aleks Çaçi dhe mundohej
Në varg për varfanjakët dhe të gjorët.

Këtu ne vinim shpesh si karabushët,
Çunakër të paqethur nga berberi,
Ali Asllanët, Çeçot dhe Lasgushët
Na dukeshin gjigandër si Homeri.

Këtu zhurmonin bardët dhe poetët
Dhe zjente e padukshme poezia;
Si një puhizë e largët nëpër fletët
I frynte shpirtrat smira dhe zilia.

Këtu mes tymit shkelte këmbë e kohës
Dhe s’dinte kafeneja jonë e mirë,
Se ne çunakët ngriheshim ndaj botës
Në rebelim si djaj me shtatë brirë.

Këtu në tym mes dritave të pakta
Filluam ne ta shkundnim poezinë
Dhe duke hedhur vargjet si granata
E çmendëm dhe Lasgushin dhe Alinë.

Po zhurmat u larguan nga kjo botë,
Me pluhur koha gjurmë e gota mbushi,
Veç kafeneja shpesh kujton e thotë:
“Këtu ish Dritëroi, atje Lasgushi.”