Lulet e varrezave kanë gjithmonë një kundërmim më të mprehtë se lulet që dhurojmë apo marrim zakonisht. Ndoshta prejse keqardhja është më e fortë se dashuria dhe mirënjohja.
I tillë qe edhe moti gjatë përcjelljes për në banesën e fundit të inxhinier Kurtit: me brushtuj të errët reshë, alivani prej aromës së trëndafilave dhe me pikëllim të shtirë.
As njëzet veta nuk ishin mbledhur përreth arkmortit. Poshtë, në gropën e hapur tash java, varrmihësin e zuri lemza.
Përpjekja për ta fshehur ilaritetin mes të pranishmëve, bëri që disa të kolliteshin panatyrshëm. Dikush shtoi ngashërimën dhe vajin. Varrmihësi nuk e vuri ujin në zjarr. Tërhoqi gëlbazën në grykë dhe me një lëvizje energjike rregulloi pantallonat nën çizme.
Kur u hodhën edhe lopatat e fundit me dhe, një suferinë e lehtë, në fillim veçse troi padurimin e njerëzve. Të fliste kush kishte për të folur, para se të binte shi.
Era fryu më e fortë.
Mandej një pezulli dhe vuvitje e krejtshme, siç ndodh në çastin para se të shkrehet rrufeja- si një përjetësi për të pranishmit.
Tmerr e nëmitje. Një flatrim shakullues dhe ja… Dy dragonj qëndronin tashmë buzë varrit. Pa kurrëfarë solemniteti. Një prej tyre u duk sikur fërgëlloi.
“Kemi ardhur të shprehim homazhin tonë për shpirtin e të ndjerit. Ju nuk e dini, e nuk keni si ta dini, porse në një jetë të mëparshme, Inxhinier Kurti, me një akt heroik, shpëtoi krejt llojin tonë.
Nuk po flasim për njeriun që po varrosni sot. E dimë edhe çfarë maskarai, dallkauku, pijaneci dhe sa i pabesë ka qenë në këtë jetë. Por kjo nuk ndryshon asgjë për ne.
Ai përherë do të ketë një vend të veçantë në zemrat tona.
Gjatë një dite të caktuar të vitit platonian, ne e nderojmë kujtimin e tij duke pshurrur në fluturim e sipër mbi rrjedhën e lumit N******
Shpirti i tij mund t’i takojë ferrit por përfytyrimi i ferrit, dhe parajsës, është përgjegjësia jonë, e dragonjve dhe njerëzve, së bashku.
Kërkojmë edhe një herë ndjesë për shqetësimin dhe në të tilla raste ua shpërblefshim.”