Ismail Kadare nderohet me titullin “Nderi i Bashkisë Fier”

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, është vlerësuar me titullin “Nderi i Bashkisë Fier” për kontributin e jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe dhe promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi i dorëzoi titullin shkrimtarit të madh, duke thënë se “ne kemi nderuar të madhin Kadare, por ai na ka nderuar ne me pjesëmarrjen e tij sot këtu, ka nderuar qytetin e Fierit dhe gjithë komunitetin”.

Ndërsa Kadare u shpreh i kënaqur dhe shumë i vlerësuar nga ky gjest i Bashkisë Fier dhe mikpritja fierake.

“Besojeni se për shkrimtarin, dashuria dhe mirëkuptimi i lexuesve është gjithmonë i shtrenjtë, shumë i shtrenjtë. Ndaj ju falënderoj nga zemra për këtë pritje kaq të bukur, kaq të ngrohtë dhe kaq njerëzore, dhe kaq shqiptare. Ju lumtë! Ju lumtë të gjithëve”, tha Kadare.

Ceremonia e vlerësimit u organizua në formën e një konference ku referuan emra të shquar të letrave dhe kritikës shqipe si Sadik Bejko, Klara Kodra etj. Referatet rreth krijimtarisë së Kadaresë u përcollën me interpretimin brilant të aktorit të shquar Timo Flloko dhe aktorëve të teatrit “Bylis”./ATSH

LEXO EDHE: Ismail Kadare: Dashuria