Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla…tri poezi të zgjedhura nga Migjeni

migjeni zeneli

Ju ftojmë të lexoni tri poezi të zgjedhura nga Migjeni.

MIGJENI: VJESHTA NË PARAKALIM

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt’ i smum ndër krahnore tona,
Dridhet jet’ e vyshkun ndër gemba të një plepi.

Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme,
Dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme,
Nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
Si stuhi shkyn ajrin… por në fund ia nis vajit.

Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun në mjegull përpise.
Pemët degët e lagun, me vaj i mshtjellin në lutje, por kot!
E dinë, të fikun, se nesër do vdesin…
Vall, a ka shpëtim ndokund?!

Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra,
N’orën e vorresës, kur heshtin damaret,
E vorri inaltohet nën qiella ma t’epra,
Me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së vafun;
Rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
Që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.

MIGJENI: NJË NATË PA GJUMË

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.
Pak dritë! O burrë! O hero’ ngado që të jesh.
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!

Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin… Ehu burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…

Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qëndro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër drita…
Por un s’besoj sonte në fjalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andr’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

MIGJENI: KANGA E DHIMBËS KRENARE

O dhimbë krenare e shpirtit që vuen
dhe shpërthen ndër vargjet e lira…
A deshte, vall, për t’u ngushlluem
tu’ e stolisë botën me xhevahira.

O dhimbë krenare ndër vargjet e lira,
që kumbojnë me tinguj të sinqertë…
Vall, a do të prekish kënd ndër ndijesina?
Apo do vdesish si vdes gjethi në vjeshtë?

O kangë e dejë e dhimbës krenare…
Mos pusho kurr! Por bashkë me vaje,
si dy binjakë këndoni mjerimin,
se koha do t’ju bijë ngushllimin.

ObserverKult

————————–

Lexo edhe:


XHELAL ADEMI: SI S’MË ERDHE NË KUJTIME …