Visoka: Vuaj aq shumë për atë që ka ndodhur…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Enver Visoka

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Lumturia e përkryer?! Mund të ndalesh në stacionet e heshtura apo të zhurmshme të kohës por edhe në ato të paarriturat; atë që do ta kërkosh në to dhe do të mundësh ta gjesh, mund të jetë vetëm një plazmë e formës së zbrazët, të cilën mund ta emrosh si të duash vetë. Dhe përpara zhvillimeve mund të hedhesh, të kredhesh e të dredhesh; ta shohësh prapa realitetin dhe të pyesësh sa i vërtetë është ai…?!  Pse njerëzit duhet të vuajnë?!…  Ideja për lumturinë e përkryer do të kalojë dhe do t’i takojë qiellit të shtatë!

Cila është frika juaj më e madhe?

Kur të zbres në tokën e ngjeshur të Kosovës! Atje e shoh jetën ndryshe, dhe për dallim prej jetës në perëndim, ku vdekjen e shoh si diçka krejt normale, atje përbërja e trupit e ndien aq thellë origjinën e vet dhe e ngritë frikën e zhbërjes përpara dheut të ëmbël! Marr frymë thellë dhe i them qiellit të hapur: Prit se me mua është edhe shpirti!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Njeriun nëse ai do të heqte dorë nga historia e dhunshme e tij!

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Personalitet historike nuk mund të emetohen! Ata kanë vendin në histori dhe çdo kopje e tyre do të ishte e tepërt dhe do të çonte jo te identifikimi por te një pëlcitje e cipës!

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Ështe e mrekullueshme nëse arrin të kërkosh brenda unit tënd të keqen, edhe pse ta nxirrësh jashtë nuk është aq lehtë, nëse i njeh mirë gjenet tona… Dhe kështu ngritet e krekosur ekzistenca me kapelën e zezë të Unit në kokë… Ti i thua ulu! Merr frymë thellë!, duke e nxjerrur frymëmarrjen,do ta kuptosh mirë se je një përbërje aq e ngatërruar; me shumë prurje nga shumë anë, nga ata që kanë ikur dhe nuk janë më… Ti do të kërkosh përgjigjen dhe do të thuash: Unë gaboj ngase ngutem aq shumë!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Mos kërkimfalja dhe mospranimi i  kërkimfaljes!

Në cilat gjëra e teproni?

Me nxitim te vazhdueshëm…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Kur do të ishte në pyetje jeta e njeriut, apo kur do të ishte në pyetje një dëm që do t’i bëhej një të pafajshmit… Kjo te popujt tjerë njihet si gënjeshtër e bardhë, gënjeshtër e zorit etj.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Rrugëtimi thellë në shpirtin e natyrës, aty ku hapen pamjet e stepave, aty ku pushon shpirti nga zhurma e gazrave… Aty si refugjat i civilizimit, nga ai shpirt i madh, do kërkoja strehim!

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Më fal, të lutem dhe faleminderit…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Për atë çfarë ka mbajtur mend si fëmijë biri im, Korabi. Atë ngjarje si një tregim të gjatë e pat rrëfyer në radion e arteve të Hamburgut…. Unë e dëgjoja në shtëpi… Ai përshkruante pushtetin e errët dhe shtetrrethimin e regjimit të Millosheviqit ngjajshëm me rrethimin e Stalingradit…,dhe pëllumbat e gjorë ishin pre për ta mundur urinë… Unë vuaj aq shumë për atë që ka ndodhur… Sot i kam tri dallëndyshe në nënstrehën e shtëpisë… Kanë ikur në vende të nxehta, mbase ato ushqehen me miskonja dhe në dimër ato u mungojnë atyre, por me të shpërthyer behari ato do të kthehen përsëri… Ato shpesh hynin në dhomën time dhe lëviznin të pa trazuara rreth meje…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Familja, ish e dashura nga vitet e tetëdhjeta, sot e kësaj dite bashkëudhëtarja ime dhe libri…

Cila është gjendja momentale mendore e juaj?

Nuk mund të hyj fushave të errëta të nënvetëdijes… Aty mund ta thyej qafën dhe përgjigja tani do të ishte e plotë! Mendoj se jetoj në harmoni me stinët e shpirtit… 

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Rrugëtimi në jetë gjithherë sjell ndryshime… Mentaliteti i mosndryshimeve nuk sjell prurje në ngritjen shpirtërore! Dhe ndryshimet tek njerëzit në përgjithësi ndodhin, varësisht nga zhvillimet në shoqëri dhe ato mund të jenë të ndryshme, pra mund të jenë pozitive, apo varësisht nga prurjet, apo nxëniet dhe si të tilla ato formojnë ngritjet apo rëniet shpirtërore… Asgjë nuk ka të pandryshueshme derisa lëvizja dhe koha është aty… Pra një ndryshim nuk është ai që shënon largimin nga pamja bardhezi…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Harmoninë në familje…

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Akrepat e orës së ndalur do t´i liroja të lëviznin atje ku u ndal jeta, atje tek e ëmbla shtëpi…

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Nuk do doja të kaloja në filozofinë budiste, mirëpo pastrimi i shpirtit dhe zhbërja do të ishte akti më i këndshëm; do të isha ì lirë ; në dhe’ në re dhe mbi re, kudo që do të isha… i qetë, i përplasur në universin e plasur!…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Kështjella e shpirtit (/ajo nuk ka mure,ka vetëm dritare/anë e mban saj shtrihet një mbretëri/mbret i saj je vetë ti/ kapitulli: Dhoma pa mure,nga dorëshkrimi “Në fund të verës”)

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Paranë dhe arrogancën!

Ku do të dëshironit të jetonit?

Do të jetoja me kënaqësi në një kasollë në harmoni të plotë me natyrën!

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Per atë nuk më takon mua të flas…

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Sinqeritetin dhe modestinë!

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Të njëjtën!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Orvell!

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata që e duan dheun dhe e mbajnë në këmbë natyrën!

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Dhuntia nuk mund të jetë diçka që dëshirohet. Ajo është e mbërthyer në ty me gjithë demonët e vet!

Si do të dëshironit të vdisnit?

Unë nuk besoj se njeriu thjesht vdes… Edhe shkenca në bazë të asaj që kam lexuar në PM Magazin /revistë shkencore/pajtohet më në fund me ekzistencën e materjes së shpirtit… Ok, më duhet të përgjigjem për këtë formë të zbrazët të ndërrimit të trajtës dhe kalimin në dimensionin e panjohur:  …Duke e kuptuar të dashurit e mi vdekjen, do doja t’i mbyllja sytë fare i qetë !

Cila është motoja juaj?

Lëvizja dhe koha…

ObserverKult


Lexo edhe:

ELEZI: MË TRISHTON LEHTËSIA ME TË CILËN NJERIU I BËN KEQ NJERIUT, DERI NË SHKATËRRIM!