Çaste poetike me Arbër Selmanin: Ta duash një burrë… (Video)

Ju ftojmë të ndiqni një video-poezi me poetin kosovar Arbër Selmani.

Ai ka zgjedhur të interpretoj poezinë “Ta duash një burrë”, të cilën e gjeni më poshtë në tekst dhe video:

Ta duash një burrë ështe sikur ta sfidosh një stuhi
Rrallë vjen e hijshme, burri edhe më rrallë i hijshëm
Ke frikë prej tij, si prej saj.

Stuhisë
Pret t`i hapet e çara e zemrës dhe të shqetësohesh prej
Shiut
Krejt ujit, krejt likuideve, krejt vesës që vjen e fortë
Të duket se në vend të pikave, po bie në tokë një shkëmb i madh.
Do të vjellë ky burrë frazat e triumfit, si kjo stuhi që po e luhatë qytetin.

Bëhesh gati, burrit,
T’ia urresh peshën që pushon në karrigen e zemrës së tij,
Kur i hapet kjo zemër si të hapet një kanalizim rruge
Dekada të mbështjellura në një bombolë gazi inatesh, dëshpërimesh, mallkimesh
Kacafytje që nisin nga hiçi,
Se sa burri përreth nesh është një stuhi e maskuar pas një fytyre me qime.

I takon krejt botës, në një pikë të takon edhe ty
Ky burrë që vërshon, që flaka i daltë
Po goja kurrë nuk i nxorri mjaltë
Se ta duash një burrë siç pret ai, jetën duhet rrasur në baltë.

Diçka e mbinatyrshme, e lodhshme, e furtunshme, ta molisë shpirtin
Stuhia.
Por gati gati njëjtë ndihesh,
Ta duash një burrë,
të përcëllohesh në pikun e ankesave të tij.
të hash prej thasëve ku është ngarkuar një neurozë e shkalluar,
mbyllur në banjo, me duart mbi dy veshët, të ikësh prej tij si prej breshërit,
t’i mallkosh grekët që kaq shumë i dhanë autoritet dashurisë.
Miliona burra, edhe ata nëntokë, edhe ata mbi dhe,
krejt çka duan është të shpëtojnë prej vetmisë.

Laja këmbët, puthja ballin, mbushja barkun, jepja seksin
Duaja motrat, pauzoje larjen se ai është vonë për punë, recitoja manifestin e kuzhinës,
Falja vonesat, kujdes se e kripose si shumë atë dreq sallate, ajrose atelienë,
Lustroja këpucët, këndoja këngët që i pëlqejnë, përkëdhele maçokun e tij, shporre maçokun tënd
Hapja këmbët, mbyllja këmbët, hape gojën, gëlltitja dhëmbët e zi prej dërrmimit.

Ta duash nje burrë, nuk na e mësuan kurrë
Nuk pati katedër, as shkollë, ishim shumë nxënës,
të etur të lexonim,
Të groponim
në teatrin ku gjithmonë denjësia e madhështia
i bien si fat, një burri.

Rraskapitëse, kur duhet ta ujisësh nje burre ma shpesh se dafinat
Nje burre,
qe nuk çel nur.

Ngope me shikime, thuaji se nuk do ta lësh për askë, dendja gojën me ëmbëlsira
Flakja armiqtë, shkoqitja këmishën e ngjitur trupit, merre e pija lëngun e thonjve
Ushtro terror të bukur mbi të, rriti fëmijët në pritjet e tij, bëja dimrin verë, turbulloja detin e zi ku është fundosur,
Matja pulsin e damarëve të fryrë, masazhoja krahun e lënduar, jepja shuplakën që do ta skuqë
Hapja këmbët, mbyllja këmbët, preja mollët dhe kumbullat, bekoja vetëm faktin që ekziston,
jepja trupin,
por stuhishëm, me copat e akullta të jetës që të kanë mbetur në fyt,
merre prapa dhe përqafoje se është tempulli yt.

ObserverKult

Kliko edhe:

ÇASTE POETIKE ME ARJOLA ZADRIMËN (VIDEO)