Poezia fituese e Çmimit të Parë në edicionin e tetë të Konkursit të Poezisë “Ora e Astritit”
MA NIS!
Ma nis nji andërr t’pahapun,
t’paplagueme rrugës,
t’pakohë e t’pamoshë,
m’kan’ mbarue t’miat.
Nji përqafim t’pavramë vllai ma nis n’kët nadje,
t’papërlotun mallit,
t’paranduem brengash,
t’munguem kahera.
Nji puthje biri n’dihatje dashnie ma nis,
t’papërzieme me tjetër dashni,
t’patretun prej largësie,
për aromë nane
…etshëm.
Ma nis veç nji fjalë t’pathanun prej kohësh,
amanet t’palanun,
shtrëngim shpirti der n’asht,
se m’mbytën andrrat.
Nji dorë nane ma nis n’kët ag,
t’padridhun moshe,
t’papërvujm sysh,
t’parreshkun buzësh,
t’pashurdhue veshësh,
për nji fjalë biri.
Ma nis nji gur prej bjeshkëve t’mia,
ta vnoj nën krye
e t’ndij si pëlcet edhe ai prej dhimbjes,
tuj ndigjue ndër dihamë
sa mban shpirti!
Ma nis nji Shpresë!
ObserverKult
lexo edhe:
Ja kush janë fituesit e Konkursit të Poezisë “Ora e Astritit”