
Oqeaneve të fjalëve varkën e lundrova,
zonave të paprekura gjeta çdo leksik.
As me nimfë e shtojzovalle s’u mjaftova,
për në liman u ktheva vrik.
Barkën me gjithë lopata në breg e lashë,
për t’iu rrekur pyjeve të kërkimit.
As nëpër hieroglife emrin s’ta pashë,
misionit seç m’i ra hije e dështimit.
Çdo yll në hapësirë u mundova ta lexoj,
kur shpresë e fundit më mbeti qielli.
Edhe kometat u përpoqa me shikim t’i shpoj,
sikur sytë të mos m’i digjte dielli.
I rraskapitur u tërhoqa nga odiseja,
opsion tjetër s’pata kur e shpenzova të tretin.
S’kisha çka hulumtoj kotnasikoti udhë të reja,
kur ty Zoti të krijoi fillikat e veç ai ta di identitetin.
Prishtinë, 23 gusht, 2012
ObserverKult
Lexo edhe:
Pyetësori i Prustit/ Uran Krasniqi: E meta e kësaj bote është që nuk e ka një dyqan që shet kohë






