reklamë

Ismail Syla: Erosi, heshtja dhe metafizika e lirisë në “Grue prej zjermi” të Donika Dabishevcit

grue prej zjermi

GRUAJA QË NUK PRANON TË BËHET HI

Nga Ismail Syla

Ka libra që shkruhen për ta rrëfyer dashurinë dhe ka libra që e përdorin dashurinë për ta vënë në dyshim vetë rendin e ekzistencës. Grue prej zjermi e Donika Dabishevcit (Littera, 2026) i përket kësaj përpjekjeje të dytë. Në këtë përmbledhje, dashuria nuk është strehë e qetë e shpirtit, as erotizmi një zbukurim sensual i vargut. Ato janë forca që e trazojnë qenien, e nxjerrin nga siguria e identitetit të trashëguar dhe e vendosin përballë pyetjes më të vështirë: çfarë mbetet nga njeriu kur bien të gjitha përkufizimet që të tjerët kanë ndërtuar për të?

Gruaja e Dabishevcit nuk vjen në poezi për të kërkuar leje. Ajo hyn për ta prishur rendin e një bote që, për shekuj, ia ka caktuar vendin, ia ka disiplinuar trupin dhe ia ka matur të drejtën e fjalës. Por pikërisht këtu fillon paradoksi i madh i këtij libri: ndërsa kërkon ta çlirojë gruan nga përkufizimet e jashtme, poetja e vendos përballë një metafore po aq absolute, zjarrit. Dhe zjarri, siç e dimë, nuk njeh vetëm krijimin. Ai njeh edhe shkrumbimin.

Kështu, Grue prej zjermi mund të lexohet si një dramë e brendshme e subjektit femëror, i cili kalon nga heshtja në dëshirë, nga dëshira në humbje, nga humbja në vetënjohje dhe nga vetënjohja në një liri që nuk është aspak e pafajshme, ngaqë çdo çlirim ka çmimin e vet. Dhe çdo zjarr, përpara se të ndriçojë, ka djegur diçka.

Anatomia e një zjarri

Titulli i librit është çelësi i parë i këtij universi poetik. Poetja nuk thotë grua me zjarr, as grua në zjarr. Ajo thotë grue prej zjermi. Dallimi është ontologjik. Zjarri nuk është cilësi që gruaja e zotëron, por lëndë prej së cilës ajo është krijuar. Ai nuk është një aksident i shpirtit, por vetë substanca e tij.

Kjo figurë e zhvendos gruan nga rendi i qenieve të përcaktuara drejt rendit të qenieve që e krijojnë vetveten. Në mitologjitë e vjetra, zjarri ishte privilegj i perëndive, sekret i krijimit, instrument i ndëshkimit dhe i rilindjes. Në poezinë e Dabishevcit, ai bëhet pronë e subjektit femëror, nëf akt një pronë e rrezikshme, sepse askush nuk mund ta zotërojë zjarrin pa u ekspozuar ndaj tij. E, si e tillë, figura e gruas prej zjarri nuk është vetëm figurë e fuqisë. Ajo është edhe figurë e cenueshmërisë së skajshme. Gruaja që digjet nuk është domosdoshmërisht gruaja që fiton. Nganjëherë është ajo që e ka kuptuar se ekzistenca e vërtetë nuk mund të jetohet pa rrezikun e shkatërrimit

.

Te poezia titullare, pohimi «Jam grue që nuk njeh kufi» nuk është thjesht deklaratë karakteri. Është një sfidë ndaj vetë idesë së kufirit si instrument shoqëror dhe moral. Subjekti nuk kërkon vetëm ta kapërcejë ndalimin; ai kërkon ta mohojë autoritetin e atij që e ka vendosur ndalimin.

Megjithatë, këtu qëndron edhe një nga nyjat më problematike dhe më interesante të librit. A mund të ekzistojë një qenie krejtësisht pa kufij? A është liria mungesë e çdo kufiri, apo aftësi për t’i zgjedhur vetë kufijtë e saj? Poezia e Dabishevcit nuk e zgjidh këtë dilemë në mënyrë filozofike. Ajo e dramatizon, e jeton dhe e shtyn drejt skajit.

Dhe pikërisht kjo e bën metaforën e zjarrit më interesante sesa një emblemë të zakonshme feministe. Gruaja nuk është thjesht një figurë triumfuese. Ajo është një qenie që mund të bëhet rrezik edhe për vetveten.

Trupi që ia merr fjalën shpirtit

Një nga përmbysjet më të rëndësishme që synon kjo poezi është çlirimi i trupit nga pozita e tij e dikurshme si objekt i vështrimit.

Në traditën patriarkale, trupi i gruas është përshkruar shpesh nga të tjerët. Ai është adhuruar, dëshiruar, idealizuar, gjykuar, por rrallëherë është lejuar të flasë me autoritetin e vet. Dabishevci e përmbys këtë hierarki. Gruaja nuk është më sipërfaqja ku projektohet dëshira mashkullore. Ajo bëhet vetë burimi i dëshirës dhe i ligjërimit.

Trupi, në këtë univers, nuk është kundërshtari i shpirtit. Ai është mënyra përmes së cilës shpirti fiton prani. Prekja, lëkura, fryma, gjaku dhe afërsia nuk shërbejnë vetëm për ta ndërtuar skenën erotike; ato bëhen një alfabet tjetër i njohjes njerëzore.

Këtu poetja prek një çështje të vjetër filozofike: ndarjen midis trupit dhe shpirtit. Për një traditë të gjatë metafizike, trupi ka qenë shpesh vendi i dobësisë, ndërsa shpirti vendi i së vërtetës. Te Dabishevci, kjo hierarki humbet sigurinë. E vërteta nuk qëndron domosdoshmërisht përtej trupit. Ajo mund të lindë pikërisht nga përvoja e tij.

Por erotizmi nuk bëhet automatikisht poezi vetëm sepse shprehet pa drojë. Një trup i çliruar nga ndalimi moral ende duhet të çlirohet edhe nga banaliteti gjuhësor. Kjo është prova më e vështirë e poezisë erotike: të mos e ngatërrojë guximin e shprehjes me origjinalitetin e figurës.

Në momentet më të arrira, Dabishevci e kapërcen këtë rrezik duke e kthyer trupin në hapësirë simbolike. Te poezia Yjet nën lëkurë (T’heshtunat) krijohet një metaforë  me fuqi të veçantë sugjestive. Kozmosi, që zakonisht qëndron përtej njeriut, vendoset nën lëkurën e tij. E pafundmja strehohet brenda së fundmes. Trupi nuk është më kufi i qenies, por vendi ku e pakufishmja bëhet e ndjeshme.

Në këtë figurë, erotizmi i lëshon vendin metafizikës. Nën lëkurë nuk qëndron vetëm dëshira. Qëndrojnë edhe kujtesa, frika, mungesa dhe gjithë ato përvoja që nuk mund të shihen, por që e përcaktojnë njeriun më thellë sesa pamja e tij.

Heshtja, ky atdhe i fshehtë i fjalës

Nëse zjarri është figura më e dukshme e librit, heshtja është ndoshta figura e tij më e ndërlikuar. Ciklet T’pathanat dhe T’heshtunat krijojnë një marrëdhënie të vazhdueshme midis përvojës dhe pamundësisë për ta shprehur atë. E pathëna nuk është domosdoshmërisht ajo që nuk ekziston. Shpesh është pikërisht ajo që ekziston me një intensitet aq të madh, sa gjuha nuk arrin ta përmbajë. E, poezia lind në këtë çarje midis përjetimit dhe fjalës.

Çfarë ndodh me një ndjenjë që nuk mund të thuhet? A vdes ajo nga heshtja, apo bëhet më e fuqishme? A është heshtja shenjë nënshtrimi, apo forma e fundit e sovranitetit të njeriut mbi intimitetin e vet? Dabishevci i konvergjon këto pyetje përmes një ligjërimi ku rrëfimi dhe përmbajtja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Gruaja dëshiron të flasë, por nuk pranon domosdoshmërisht ta dorëzojë gjithë brendësinë e saj para vështrimit të tjetrit. Pas gjithë shpalljeve të fuqisë dhe të pasionit, subjekti zbulon ekzistencën e një errësire të brendshme që nuk mund të zotërohet as prej vetë atij.

Këtu ndodh një përmbysje e jashtëzakonshme. Gruaja që pretendon se nuk njeh kufij pranon, në të vërtetë, se ekziston një kufi brenda saj. Një vend ku edhe vetënjohja ndalet. Kjo është më bindëse sesa çdo deklaratë e fuqisë absolute, ngaqë njeriu nuk është vetëm ajo që di për veten. Ai është edhe ajo që nuk arrin ta njohë.

Heshtja, në këtë kuptim, nuk është mungesë e identitetit. Është thellësia e tij e papërvetësueshme.

Dashuria si përvojë e humbjes

Në poezinë e Dabishevcit, dashuria nuk është një gjendje e qëndrueshme. Ajo është një përvojë që e ndryshon subjektin, por që nuk mund t’i garantojë atij përhershmëri.

Sintagmat  e titujve të poezive Asgjaja na rrethonte, Ishte tan’ trishtim dhe Zogj malli sugjerojnë se erotizmi i këtij libri ka edhe anën e vet të errët. Dëshira për bashkim nuk e zhduk mundësinë e ndarjes. Përkundrazi, sa më e thellë të bëhet afërsia, aq më e tmerrshme mund të duket humbja. Dashuria e prek dimensionin tragjik të ekzistencës. Ne kërkojmë te tjetri një mënyrë për ta kapërcyer vetminë tonë, por pikërisht duke dashuruar bëhemi më të vetëdijshëm për cenueshmërinë e qenies.

Dashuria na premton përjetësinë përmes një përvoje që është rrënjësisht e përkohshme. Në këtë dritë fiton kuptim edhe paradoksi i poezisë Dashnitë e mëdha, ku poetja shkruan:

Dashnitë e mëdha nuk fliten,

dashnitë e mëdha nuk shkruhen

Vargjet vijojnë me mohimin e rrëfimit dhe pohimin e jetimit të dashurisë (f. 116).

Kjo është një kundërthënie e bukur poetike: libri shkruan për atë që shpall se nuk mund të shkruhet. Por kundërthënia nuk është dobësi. Ajo zbulon vetë tragjedinë e gjuhës. Fjala kërkon ta ruajë përvojën, ndërsa përvoja gjithmonë i shpëton fjalës.

Në këtë kuptim, poezia është një përpjekje për ta shpëtuar nga vdekja atë që koha e ka dënuar të kalojë. Dhe ndoshta çdo poezi dashurie, në thellësinë e saj, është një elegji e shkruar përpara humbjes.

Adami i përmbysur dhe gruaja që e krijon mitin

Në poezinë Adami jem, Dabishevci prek një nga rrëfimet më të lashta të qytetërimit: mitin e krijimit. Në traditën biblike, gruaja shfaqet brenda një rendi ku burri ka përparësi në rrëfimin e krijimit. Por në titullin e Dabishevcit, marrëdhënia e emërtimit përmbyset. Adami nuk është më vetëm figura universale e burrit të parë. Ai bëhet pronë “jem” (imi) një qenie e vendosur brenda botës së gruas që flet. Kjo përmbysje është domethënëse. Gruaja nuk shfaqet si shtojcë e mitit të burrit, por si vetëdije që e rikrijon mitin sipas përvojës së saj, por, rëndësia e kësaj poezie nuk qëndron vetëm te ndryshimi i roleve. Një përmbysje e thjeshtë e hierarkisë do ta linte të paprekur vetë logjikën e sundimit. Vlera më e thellë e një rishkrimi të tillë qëndron te mundësia për ta çliruar marrëdhënien nga ideja se njëri duhet të jetë origjina dhe tjetri derivati. Dashuria, në formën e saj më të lartë, nuk është marrëdhënie midis krijuesit dhe krijesës. Është takim midis dy qenieve që nuk e kanë humbur të drejtën për të qenë vetvetja. Prandaj, Adami jem mund të lexohet si një përpjekje për ta zhvendosur mitin nga fusha e autoritetit në atë të intimitetit.

Gjuha që nuk pranon të vishet me uniformë

Një nga cilësitë më të dallueshme të përmbledhjes është gegërishtja e saj.

Kjo nuk është vetëm çështje dialekti. Është çështje e marrëdhënies midis gjuhës dhe qenies. Fjalët grue, zjermi, syn, andërr dhe dashni nuk janë thjesht variante fonetike të formave standarde. Ato bartin një temperaturë tjetër emocionale, një afërsi tjetër me ligjërimin intim dhe një kujtesë tjetër kulturore. Në këtë përmbledhje, gegërishtja bëhet pjesë e trupit të tekstit. Ajo nuk është një veshje folklorike që i shtohet mendimit, por një mënyrë për ta krijuar mendimin. Shkurtimet, tingujt, ndërprerjet dhe intonacioni i saj e afrojnë vargun me frymëmarrjen dhe me ritmin e të folurit.

Por edhe këtu duhet ruajtur një dallim estetik: një dialekt nuk e bën vetvetiu poezinë të madhe. Gjuha fiton vlerë artistike kur arrin ta shndërrojë përvojën në formë të papërsëritshme.

Në rastin e Dabishevcit, gegërishtja është veçanërisht e përshtatshme për lëvizjen midis thirrjes dashurore dhe kundërshtimit të ashpër. Ajo mund të jetë e butë, përkëdhelëse, e përmallshme, por edhe urdhëruese, e vrullshme dhe sfiduese.

Ky ndryshim regjistrash e pengon gjuhën të mbetet në një tonalitet të vetëm.

Dhe pikërisht këtu ajo lidhet me idenë themelore të librit: një grua që refuzon t’i nënshtrohet një identiteti të vetëm kërkon edhe një gjuhë që nuk pranon të ngurtësohet.

Një veçori dalluese e gegërishtes së Dabishevcit është përdorimi me shije i togfjalëshave mbiemërorë  “t’çartun trimnie” (Ishim tan’ trishtim, 21) “rryem detnash…”,ku mbiemri prejfoljor çartun përshtatet  me emrin trimni, në rasën rrjedhore pa parafjalë (i çartur prej trimërie – standardi i sotëm).

Midis poezisë dhe manifestit

Megjithatë, Grue prej zjermi nuk duhet lexuar vetëm përmes admirimit. Një libër që synon ta sfidojë rendin e vjetër duhet t’i nënshtrohet edhe vetë një leximi sfidues.

Në disa pjesë, veçanërisht aty ku subjekti lirik e shpall drejtpërdrejt fuqinë, pavarësinë dhe mosnënshtrimin, poezia afrohet me manifestin. Ky kalim ka një funksion të kuptueshëm. Gruaja që për një kohë të gjatë është detyruar të heshtë kërkon më në fund të flasë pa ndërmjetësim. Ajo nuk dëshiron më t’i fshehë mendimet pas figurave të zbutura.

Por këtu lind një pyetje estetike: a bëhet poezia më e fuqishme kur e thotë gjithçka, apo kur arrin të krijojë një hapësirë ku lexuesi zbulon edhe atë që nuk thuhet?

Poezia e madhe nuk është gjithmonë ajo që bërtet më fort. Nganjëherë është ajo që arrin ta bëjë heshtjen të padurueshme. Për këtë arsye, figurat e errësirës së brendshme, të yjeve nën lëkurë dhe të dashurisë që nuk mund të rrëfehet më duken estetikisht veçanërisht premtuese. Ato nuk ia dorëzojnë lexuesit një kuptim të përfunduar. E detyrojnë të hyjë në procesin e krijimit të kuptimit. Kjo nuk do të thotë se ligjërimi manifestues është i huaj për poezinë. Përkundrazi, ai ka traditën e vet të fuqishme, por duhet dalluar manifesti që lind nga nevoja e brendshme e formës prej atij që ia imponon formës një përfundim ideologjik. Te Dabishevci, tensioni midis këtyre dy mënyrave të shprehjes mbetet një nga çështjet më interesante për kritikën.

Liria që nuk blihet as me ar

Poezia përmbyllëse E lirë e zhvendos qendrën e librit nga përvoja dashurore drejt një përballjeje më të drejtpërdrejtë me pushtetin shoqëror. Në këtë poezi, gruaja ndeshet me fjalët përmes të cilave shoqëria përpiqet ta disiplinojë: etiketimet, fyerjet, gjykimet morale dhe përpjekjet për ta kthyer pavarësinë e saj në faj. Por kulmi i kësaj përballjeje gjendet te refuzimi i prangave mendore, edhe kur ato paraqiten si të çmuara, madje si të arta (f. 130). Kjo është një nga idetë më të forta të përmbledhjes. Robëria nuk vjen gjithmonë me pamjen e dhunës. Nganjëherë ajo shfaqet si mbrojtje, privilegj, përkujdesje ose shpërblim. Prangat prej ari mbeten pranga. Dhe pikërisht këtu liria e gruas fiton një kuptim që e tejkalon erotizmin. Nuk bëhet më fjalë vetëm për të drejtën për të dashuruar apo dëshiruar. Bëhet fjalë për të drejtën për të mos ia dorëzuar askujt autoritetin mbi jetën e vet. Kjo është pika ku libri mund të lexohet edhe si një meditim etik mbi dinjitetin njerëzor, ngaqë liria nuk provohet vetëm atëherë kur njeriu ka forcën të thotë po. Ajo provohet sidomos kur ka guximin të thotë jo, edhe përballë asaj që e josh, e shpërblen ose i premton siguri.

Ringjallja që nuk e fshin plagën

Në poezinë te Dabishevcit gruaja rikthehet nga hiri. Por kjo ringjallje nuk është kthim në pafajësinë e dikurshme. Ajo nuk del nga zjarri e paprekur. Del e ndryshuar.

Këtu metafora e zjarrit fiton një dimension të thellë ekzistencial. Përvoja nuk është diçka që thjesht na ndodh dhe pastaj largohet. Ajo na ndryshon përfundimisht. Çdo dashuri, çdo humbje, çdo përballje me veten lë gjurmë në qenien tonë. Ringjallja, pra, nuk është fshirje e plagës. Është aftësi për të jetuar me të. Kjo e dallon gruan e Dabishevcit nga figura romantike e qenies që shpëtohet përmes dashurisë. Këtu nuk ka domosdoshmërisht një shpëtimtar. Ka një subjekt që përpiqet të ringrihet përmes vetë përvojës së tij.

Megjithatë, as kjo ringritje nuk duhet idealizuar. Një qenie që del nga zjarri më e ashpër dhe më e pamëshirshme mund të ketë fituar forcë, por mund të ketë humbur edhe diçka nga aftësia për t’u hapur ndaj tjetrit. Ky është paradoksi i fundit i metaforës: a është forca gjithmonë shenjë e lirisë? Apo nganjëherë ajo është vetëm forma që merr një plagë kur nuk dëshiron më të preket? Poezia bëhet vërtet e thellë kur na lejon t’i mbajmë të hapura të dyja përgjigjet.

Përtej zjarrit

Në fund të leximit, Grue prej zjermi nuk mbetet vetëm një libër mbi gruan, as vetëm një përmbledhje poezish erotike. Ai mund të lexohet si një përpjekje për ta dramatizuar procesin përmes të cilit njeriu kërkon të bëhet autor i vetvetes.

Gruaja kalon nëpër dëshirë, trishtim, mungesë, kujtesë dhe revoltë, por nuk arrin domosdoshmërisht në një identitet të qetë e përfundimtar. Përkundrazi, ajo zbulon se vetja është një hapësirë e pafundme përballjeje.

Në këtë pikë, libri e tejkalon leximin e tij të drejtpërdrejtë feminist dhe hyn në territorin e pyetjeve universale: a mund ta njohim plotësisht veten? A mund të dashurojmë pa e humbur lirinë? A mund të jemi të lirë pa e shndërruar lirinë në një formë tjetër vetmie? Dhe a është e mundur që njeriu të dalë nga zjarri pa mbartur përgjithmonë shenjën e tij?

Dabishevci nuk u jep këtyre pyetjeve përgjigje të qeta. Ajo i shpreh përmes një gjuhe që herë përkëdhel, herë kafshon, herë lutet dhe herë shpërthen. Kjo lëvizje midis butësisë dhe egërsisë, midis trupit dhe metafizikës, midis heshtjes dhe shpalljes, është një nga burimet e energjisë së përmbledhjes. Dhe nëse do të duhej ta përmblidhnim gjithë këtë udhëtim në një ide të vetme, ajo do të ishte kjo:

Gruaja e Dabishevcit nuk lufton vetëm kundër atyre që kërkojnë ta zotërojnë. Ajo lufton edhe kundër rrezikut për t’u bërë robinë e vetë zjarrit të saj.

Sepse liria e vërtetë nuk është thjesht të mos i përkulesh askujt. Është të mos i përkulesh as figurës absolute që ke krijuar për veten.

Kështu, gruaja bëhet përfundimisht e lirë jo atëherë kur shpall se është zjarr, por kur e kupton se ka të drejtë edhe të mos digjet. Aty fillon një liri më e thellë se rebelimi.

Aty gruaja nuk ka më nevojë ta dëshmojë fuqinë e saj përmes shkrumbimit.

Ajo mund të jetë zjarr, mund të jetë hi, mund të jetë dritë, mund të jetë heshtje.

Mbi të gjitha, mund të jetë vetvetja.

Kizharekë, mestetor 2026