“Ndërmjet veglave të ndryshme që përdor njeriu, vegla më e çuditshme është libri. Të gjitha të tjerat mund t’i quash zgjatime të tij fizike. Mikroskopi dhe teleskopi janë vazhdimësi e syrit, telefoni – vazhdim i zërit, plugu dhe shpata – i duarve. Por, libri është një punë krejt tjetër, libri është vazhdim i kujtesës dhe i imagjinatës”, thotë i vlerësuari Jorge Luis Borges.
Por, sa jemi të vetëdijshëm ne si shoqëri rreth rëndësisë së leximit në formimin tonë? Cila është marrëdhënia jonë me librin? Sa lexojmë? Sa e nxisim leximin? Edhe nëse lexojmë, sa është i sforcuar ky lexim? Kujtesa dhe imagjinata a po na mbesin veç produkt i eksperiencës jetësore? Sa po e zëvendëson teknologjia, web-i, rrjetet sociale leximin produktiv etj. Këto dhe shumë pyetje tjera vijnë ndërmend, ndërkohë që arsyetime të shumëta rrjedhin pandalur nga ata të cilët i pyet direkt se a lexojnë, kur është koha kur kanë lexuar librin e fundit, cili ishte ai nëse veç u kujtohet dhe në fund fare edhe pyetja e tmerrshme e cila tërheqë pas vetes një përgjigje ende më tmerruese: sa libra ke lexuar në jetën tënde?
Gazeta Observer ka pyetur qytetarë të shumtë dhe në përgjithësi nga përgjigjet e tyre vërehet se mungon ajo e cila mund të quhet dashuri për lexim, ose – ose ky raport në fakt sikur nuk ekziston fare. Disa prej tyre thonë edhe se për shkak të angazhimeve nuk kanë shumë kohë për të lexuar, ose se të vetmet libra që i lexojnë janë ato që ju nevojiten për studim, apo edhe për fushën në të cilën punojnë. Lexim i detyruar- lexim i sforcuar…
Disa nga përgjigjet e tyre mund t’i dëgjoni në videon në vazhdim:
Edhe nxënësit e shkollave të mesme fokusohen te leximi i detyrueshëm të cilin në të shumtën edhe nuk e bëjnë, duke kopjuar ‘referatet’ ose ‘analizat’ e kërkuara nga mësimdhënësit e duke iu qasur tutje me të njëjtën shprehi mosleximi studimeve të mëtejshme.
Sipas një hulumtimi që ka bërë Organizata Joqeveritare “ETEA”, që ka synuar matjen e lexueshmërisë së nxënësve në shkollat e mesme brenda komunës së Prishtinës, del që 56 për qind e nxënësve të anketuar nuk mund t’i kujtojnë ose edhe t’i përmendin tre tituj të librave.
Gazeta Observer ka kontaktuar me drejtorin e ETEA-s, Agon Ahmetin i cili e quajti këtë gjendje si alarmuese dhe tha se kjo është një tregues i qartë se nxënësit janë jashtë botës se librit.
“Hulumtimin e kemi bërë brenda komunës së Prishtinës, me shkollat e mesme publike, shkollat e mesme të larta. Në hulumtim janë përfshirë 13 shkolla gjithsej, edhe ka pasur synim ta mas nivelin e lexueshmërisë tek nxënësit, përfshirë ose jo brenda kurrikulës, pra brenda planprogramit mësimor dhe jashtë. Rezultatet në përgjithësi kanë dalë qysh janë pritë, ndoshta edhe më keq se që i kemi ngritë hipotezat. Në pyetjen bërë nxënësve të anketuar se sa janë në gjendje me i kujtu tre tituj të librave që i kanë lexuar gjatë gjithe jetës, 56 për qind e tyre nuk kanë qenë në gjendje t’i kujtojnë ose t’i përmendin tre tituj librash. Kjo lë të kuptohet që nxënësit janë krejt jashtë botës së librit, sepse hulumtimi nuk ka pasur për qëllim me i verifiku nëse i kanë lexu librat, por vetëm nëse i kujtojnë tre tituj dhe më shumë se gjysma nuk e kanë bërë këtë“, tha Ahmeti për Gazetën Observer.
Të njëjtin shqetësim e ka edhe Bajram Kastrati, shitës librash në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë i cili për Gazetën Observer flet edhe për tipat e blerësve-lexuesve, preferencat e tyre, njohjen etj., apo atë sesi studentët e nivelit master të Fakultetit Filologjik nuk e njohin akademik Mehmet Krajën, apo sesi Gabriel Garsia Markezi u ngatërrohet me Mahmut Bakallin.
Ndiqeni rrëfimin e tij interesant:
Por, sesi kanë arritur këta studentë dhe shumë të tjerë të mbërrijnë atë nivel shkollimi me fare pak e hiq lexim një lloj përgjigje mund ta jap edhe hulumtimi i ETEA-s. Statistikat e dala nga ky hulumtim flasin për rreth 65 për qind të të anketuarve të cilët pranojnë se kanë përdorur metoda mashtrimi e kopjimi sa për të kaluar detyrat shkollore kur u kërkohej të lexonin libra.
“Një pjesë e madhe diku në 65 % kanë pranuar se i kopjojnë referatet që u jepen në shkollë, lektyrat dhe romanet, zakonisht i kopjojnë sa për ta kryer obligimin nga lënda e gjuhës shqipe “, thotë Agon Ahmeti nga ETEA.
Se shkollimi i mesëm i cili nga viti në vit po vjen duke u bërë ekstremisht më i dobët, është faktor kyç që i lë studentët me kulturë të ulët të lexueshmërisë, e thotë edhe profesori universitar Milazim Krasniqi.
Sipas tij, studentët e rinj vijnë me një zbraztësirë shumë të madhe në informim dhe kjo ua largon edhe motivin për t’i zgjeruar njohuritë përmes leximit.
“Fatkeqësisht edhe studentët kanë kulturë të ulët të lexueshmërisë, ata vijnë nga një shkollim i mesëm ekstremisht i dobë nga i cili për tre- katër vite nuk motivohen, as nuk detyrohen të lexojnë fare. Vijnë me një zbrazëtirë shumë të madhe në informim. Prandaj, në fakultet pastaj ballafaqohen me vështirësitë sepse duhet të kompensohet koha e humbur gjatë shkollimit të mesëm dhe paralelisht arrihen edhe standardet e studimit, kështu që bëhet një mision shumë i vështirë”, thekson profesor Krasniqi për Gazetën Observer duke ngritur shqetësimin se nga viti në vit në universitet shkojnë nxënës të dobët e më të dobët, gjë që lë të nënkuptohet sipas tij, se shkolla e mesme jo veç që nuk po përmirësohet, por sa vjen po katandiset edhe më keq.
Në anën tjetër biblioteka e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sulejmani”, ka të regjistruar afër 10 mijë persona që mund t’i shfrytëzojnë hapësirat për lexim, por menaxhmenti i kësaj biblioteke thotë se mungon frekuentimi i vazhdueshëm i lexuesve.
Drejtori i kësaj biblioteke Munish Hyseni, potencon faktin që biblioteka është e stërmbushur vetëm gjatë afateve të provimeve.
‘”Kur studentët kanë afatet e provimeve nga ora 8:15 nuk ka vende të lira. Ne kemi qenë edhe të detyruar që në shenjë respekti për ta të zgjasim orarin e punës prej 8:00 deri në 22:00, ndërsa të shtunën deri në ora 13:00, me përjashtim të muajit korrik dhe gusht“, thotë Hyseni për Gazetën Observer.
Sa e ka sfiduar leximin teknologjia?
Sa lexohet një libër në formë elektronike. Kësaj pyetje po ashtu i përgjigjet Agon Ahmeti nga ETEA i cili tregon se në hulumtimin e tyre rreth lexueshmërisë, nga të anketuarit rreth 56 për qind kanë thënë që mesatarisht lexojnë libra elektronik, 7 për qind gjithmonë, 25 për qind deklarojnë se asnjëherë.
Por, a është edhe teknologjia njëra nga arsyet që i largon studentët nga libri. Për profesorin Milazim Krasniqi, format e komunikimit në rrjete sociale, përdorimi i telefonit në vend të librit nuk ju lënë hapësirë studentëve që të angazhohen dhe të joshen nga libri, apo të kërkojnë përjetim estetik përmes leximit.
“Sigurisht, në këtë ndikon edhe përdorimi i telefonit në vend të librit, përdorimi i rrjeteve sociale si forma komunikimi, që si forma në më të thjeshta kërkojnë angazhim më të vogël intelektual- nuk krijojnë fare përjetim estetik, pra, kur të mblidhen të gjitha këto bashkë edhe me krizën e shoqërisë që është një krizë gjithëpërfshirëse, që sistemi i vlerave është rrënuar dhe ka dalë në pah një sistem i antivlerave, bëhet edhe më e qartë se përse lexohet pak“, thotë Krasniqi.
I pyetur se sa kanë njohuri studentët për libra jashtë atyre që u kërkohen në universitet, profesor Krasniqi thekson se fokusi i tyre është vetëm tek librat obligativ për studim.
“Me aq sa unë shoh, shumica fokusohen vetëm në libra të obligueshëm, mundësisht edhe ato në formë të konspekteve apo skriptave. Atyre që studiojnë tek ne, unë bëj përpjekje që t’i nxis të lexojnë libra edhe përtej programit. Fjala vjen, unë në lëndën Hyrje në Letërsi u jap të lexojnë romanet e Kadaresë, të Khaled Hosseinit, Paulo Cohelos, e kështu me radhë dhe kjo i begaton ata. Disa prej tyre refuzojnë sepse është injektu ideja që duhet të lexojnë vetem shënimet ose librat e programit të ngushtë“, thekson Krasniqi.
Edhe Xhemaj Avdyli, nga Shtëpia Botuese “Om Publisher”, thotë se teknologjia e ka ulur ndjeshëm kulturën e leximit.
“Problemi është se libri nuk po shpërndahet tek gjithë lexuesit. Teknologjia e ka ulur ndjeshëm kulturën e leximit”, thotë Avdyli i cili megjithatë thekson se vërehet një rikthim tek libri edhe pse shumë i ngadaltë. Ndërsa, në pyetjen se çka lexohet më së shumëti, Avdyli thotë:
“Kjo ndikon varësisht librave të autorit, sepse librat e mirë kanë një interesim dhe lexohen, kurse librat me më pak vlera më pak. Kryesisht lexohet proza, romanet, pak më pak poezia dhe dramat. Librat teorik lexohen vetëm nga ata që ju duhen”, tha Avdyli për Gazetën Observer i cili njëkohësisht potencon faktin se reklamimi që i bëhet librit nëpër rrjete sociale, pavarësisht se a ka vlerë libri apo jo e parapërcakton edhe suksesin në treg të atij libri.
“Sigurisht, reklama është një pjesë shumë e rëndësishme në menaxhimin e tregut të një libri jo vetëm në rrjete sociale, por edhe në medie, televizion, radio apo portale lajmesh, kudo që reklamohet libri, edhe pse mund të mos ketë vlera sa një libër që nuk reklamohet, ai shitet shumë më shpejtë“, tha Avdyli.
Por, se çka shitet më së shumëti në këtë sezonë tregon Besian Zenelaj nga Libraria ‘Buzuku”.
Ndërsa i pyetur për mendimin e tij se sa ka lexues në vendin tonë, cila janë arsyet e rënies së lexueshmërisë dhe a ka në fakt literaturë të bollshme për të lexuar, shkrimtari Adem Gashi thotë:
“Duke i lexuar këto tri pyetjet tuaja, sado që e kuptoj vështirësinë e komunikimit me shkrim, përgjigjja bëhet akoma më e paformë dhe më e papërmbajtje. E para, në përcaktimin e shifrës së lexuesve (shumë ose pak) nuk ndihmon saktë asnjë sondazh dhe, madje, as shënimet nga bibliotekat. Ka kategori të ndryshme të shoqërisë që, pos leximit si “detyrë”, si “nevojë”, bëjnë edhe lexim “si pasion”.
E dyta, ndërkaq, sikur konteston pyetjen e parë dhe paragjykon me konstatimin: “…ka rënë dukshëm lexueshmëria…”. Unë nuk mund ta them, nuk gjej bazë ta konfirmojë në përfundim të tillë.
E treta, mund të pohohet pa asnjë hamendësim. Fakti se një panair mbarëkombëtar i librit, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, sjell të dhënën se brenda një viti, përkatësisht midis dy panaireve publikohen mbi 1000 tituj të rinj flet se ka një asortiment të gjerë e të nduarnduartë përmbajtjesh, formash e zhanresh të librit, të mjaftë për të kënaqur kërshërinë e lexuesve me çfarëdo prirjesh qofshin.
Po e pamë tërë këtë, ndërkaq, në rrafshin kulturor, mund të themi se është i mëngët leximi kritik, është e mëngët bashkëshoqëruesja e letërsisë, kritika letrare”.
Tranzicioni që po pësojmë si shoqëri, konteksti ekonomiko-shoqëror, komercializimi i gjithçkaje, ndikimi teknologjik, mosfinancimi i librave, aktivitetet e pakëta kulturore, vetëdija e ultë e shumëçka tjetër, ndaras e bashkë e kanë përmbysur atë që mund të quhet kulti i librit. E sa mund të zgjas kjo, kushedi… Deri atëherë ndoshta do të duhet të kënaqemi me pasazhet e bukura që i kushtohen leximit si p.sh. kjo e Borgesit : “ Në libër mund të ketë përplot gabime tipografike, ne mund të mos pajtohemi me arsyetimet e autorit, por në të gjithsesi, mbetet diç e shenjtë, hyjnore, ndaj së cilës ne duhet të sillemi jo me besëtytni, por me dëshirën për të gjetur lumturinë dhe urtësinë. Ja çka desha t’ju them sonte”. / GazetaObserver