Adelina Canolli, artistja shqiptare që jeton në Angli: Dua ta realizoj një ekspozitë në Prishtinë!

Piktorja dhe disenjatorja nga Prishtina, që jeton dhe vepron në Angli, Adelina Canolli gjatë rrugëtimit të saj profesional asnjëherë nuk i është ndarë punës në atele. Ajo ka hapur disa ekspozita, ndërsa pikaset puna e devotshme e saj në portrete.

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi

Keni mbaruar studimet për art në Angli, por a ju kujtohet si nisi rrugëtimi juaj në pikturë. Kur është vërejtur talenti juaj në pikturë, në cilën moshë. Cili ka qenë punimi juaj i parë?

Adelina Canolli: Unë nuk e mbaj në mend, kam qenë shumë e vogël. Më thonë që ‘ke lindur me laps në dorë’. Kam filluar me vizatime kur kam qenë shumë e vogël.

Dëshira për art më është shtuar gjithnjë e më shumë kur shihja vizatimet e bukura të motrave të mia më të mëdha në moshë. Unë asnjëherë nuk u dorëzova së dashuri për të qenë artiste një ditë, kështu që vazhdova me studimet për art në Angli.

Çka keni pasur dëshirë të vizatoni më shumë në fillet e juaja?

Adelina Canolli:Unë kam filluar të vizatoj vajza me fustane të bukura ashtu si shumica e vajzave të vogla. Më pëlqente shumë moda. Gjithnjë kisha ëndrra të bukura dhe të gjitha ato ëndrra përrallore në mendjen time mundohesha t’i realizoja në fletë dhe t’ju tregoja familjes. E ata gjithherë befasoheshin (qesh).

Mjeshtria e juaj sot më shumë theksohet në portrete. Në portrete që po t’i shikosh në shikim të parë të duken sikur janë bërë me aparat fotografik. Portrete që transmetojnë secilin emocion të momentit që është realizuar punimi bazuar në fotografi apo me personin përballë. Më shumë punoni me këtë natyrë, apo ndryshon?

Adelina Canolli: Portretet kanë qenë pothuajse gjithmonë njëri ndër motivimet kryesore të punimeve të mia. Më tërheq të vizatoj/pikturoj portrete. Mendoj që fytyra është një komplikim i bukur kur realizohet në formë të artit.

Them komplikim pasi që për shumë artistë portreti është vështirë për t’u realizuar. Secili nga ne kemi mënyrën tonë unike sesi e shohim një portret në realitet dhe deri te transformimi në leter apo kanavac.

Që nga fillimi kam ushtruar dhe studiuar shumë e shumë fytyra të ndryshme, mandej vjen një kohë që nga eksperienca e madhe ti nuk mund të shohësh portretin ashtu si në fillim. Sheh diçka shumë më ndryshe, p.sh gjitha ato ngjyra në lëkurë dhe nën lëkurë, reflektimi i dritës dhe ndryshimi i nuancave të ngjyrave. P.sh askush nuk do ta besonte nëse unë them që përdori ngjyrën e gjelbër për të arritur ngjyrën e lëkurës për një portret!

Përveç formës, korrektësisë, hijes, dritës e shumë gjërave të tjera, është shumë e rëndësishme arritja e realizimit të emocioneve në një portret. Kjo pjesë më pëlqen shumë.

Çdo portret që realizoj i takon një çasti të caktuar. Mund të jetë një lëvizje, buzëqeshje, befasi e shumë të tjera dhe këtë e realizoj duke përdorur fotografinë si referencë.

Unë preferoj të vizatoj apo pikturoj në person mirëpo e kam shumë të vështirë për me e bind dikënd që të qëndroj ulur pa lëvizur për disa orë. Pra është pothuajse e pamundur. Fotografitë ndihmojnë shumë në punën për ta realizuar një portret mirëpo asnjëherë rezultati nuk është i njëjtë si me atë në person.

Cilat motive dhe ngjyra dominojnë në pikturat e juaja?

Adelina Canolli: Në karrierën time shumë vjeçare dhe duke përfshirë kohën kur isha studente, punimet e mia kanë shumë dallim nga nuanca e ngjyrave që kam përdorur ndërkohë.

Mund ta theksoj që gjatë kohës së luftës punimet e mia ishin shumë të errëta dhe me nuanca shumë të forta, por gradualisht mendoj që kam ndryshuar shumë. Duke praktikuar çdo ditë dhe duke kombinuar ngjyrat, mendoj që punimet e mia tani janë shumë më relaksuese dhe me tone më të hapura.

Nga frymëzoheni zakonisht për punimet e juaja?

Adelina Canolli: Unë frymëzohem nga vetë jeta, njerëzit, natyra dhe pak nga fantazitë e bukura në mendjen time.

Është një gjë shumë e çmuar kur në mendjen tënde krijon një botë aq të bukur dhe arrin ta realizosh në formë ku mundesh me e nda me të gjithë.

Ka ndonjë pikturë që ju derisa e keni realizuar ju ka dhënë shumë emocione. Nëse po, a mund të na flisni për detajet?

Adelina Canolli: Po sigurisht. Unë shpesh e them me shaka por edhe pa shaka që ‘punimet, pra pikturat e mia janë fëmijët e mi, krijesat e mia’ dhe gjithmonë kam emocione. Nëse një ditë nuk kam emocione kur realizoj një punim, ateherë ai nuk do të jetë punim.

Gjithçka që punoj është me zemër. Duhet patjetër me i dhënë ‘shpirt’ punimit çfarëdo që është. Edhe kur pikturoj një portret, natyrën apo dhe një vazo duhet patjetër të ketë ‘shpirt’.

Kur them ‘shpirt’ të mos keqkuptohemi, e kam fjalën për një realizim të kompletuar të pikturës. Kështu që nuk mund të veçoj vetëm një punim. Të gjitha punimet e mia më japin emocion.

Çka është pikura për ju, cili është përkufizimi që ju i jepni artit, pikturës, ndjesia që e keni?

Adelina Canolli: Piktura nuk zëvëndësohet me asgjë. Arti i shpellave është termi i gjerë për artin më të hershëm të njohur në historinë e njerëzimit. Është formë e parë kur njerëzit kanë vizatuar në muret e shpellave për të treguar diçka.

Pa dyshim arti ka shumë rëndësi për shoqërinë tonë, për krejt njerëzimin.

Unë nuk di as të shikoj dhe mendoj pa art.

Cili është kontakti juaj me jetën kulturore në Angli?

Adelina Canolli: Jam aktive aq sa mundem. Jam me fat që kam ekspozuar në galeri të njohura këtu në Angli dhe kam njohur artist të tjerë.

Punoj çdo ditë në atelien time dhe jap mësim.

Keni hapur ekspozita në Angli, dhe jeni vlerësuar edhe me shumë çmime. A mund të na veçoni njërën nga ato ekspozita?

Adelina Canolli: Po, kam hapur dhe kam marrë pjesë në ekspozita të shumta këtu në Angli për shumë vite me radhë. Punimet e mia janë vlerësuar nga profesionist të artit dhe çmimet për punën e përkryer dhe të përkushtuar nuk kanë munguar. Unë jam kritike e madhe e punimeve të mia dhe gjithnjë punoj më shumë e më shumë. Çdo pjesëmarrje dhe çmim e ka vlerën e vet mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk dua më shumë nga vetja.

Çmimi im më i madh është kur unë arrij të realizoj një punim dhe të tjerët e shohin dhe përjetojnë të njëjtën ndjenjë po në atë mënyrë si unë.

Ekspozita e parë personale nuk harrohet asnjëherë. Është shumë e rëndësishme dhe gjithmonë sjellë emocionet e njëjta saherë që flasë për të. Ndoshta më mirë të them që është një emocion i shumëfishtë dhe ndjenja të përziera. Ishte ekspozita ime e parë personale me 15 piktura në Town Hall, Leeds.

Punimet e mia kanë treguar historinë e vendit tonë që nga mbyllja e shkollave, torturat e deri në kohën e luftës dhe çlirimi i vendit. Unë solla tregimin e vërtetë dhe të hidhur të vendit tonë për të gjithë këtu në Angli. Është mirëpritur pamasë nga lordmayor-i i vendit, personalitete të tjera të njohura dhe nga të gjithë vizitorët e tjerë.

Po ashtu patjetër më duhet të përmend që në fillim të këtij viti një nga punimet e mia ka qenë pjesë e ekspozitës në galerinë e qytetit të Leeds ku punimet e artistëve të njohur në botë kanë ekspozuar punimet e tyre.

Veprat e artit të Leonardo da Vinçit, njërit prej artistëve më të mëdhenj që ka njohur bota, u ekspozuan po në të njëjtën galeri në vitin 2019. Kjo ishte ëndërr për mua dhe u bë realitet.

Në hapat e juaj duket se po shkon edhe djali juaj, të paktën ajo që po shihet përmes videove dhe fotove në rrjetet sociale. Na flisni pak për këtë pjesë.

Adelina Canolli: (qesh)! Nuk e di! Djali im Otto është shumë i dhënë pas shkencës dhe i pëlqen leximi. (Mendoj që këtu i ka ngjarë pak më shumë të atit). Është njëri ndër 14% të nxënësve më të mirë në matematikë në gjithë Anglinë.

Po, i pëlqen vizatimi dhe piktura mirëpo atij më shumë i pëlqen të ndërtoj, të dizajnoj dhe të shpikë gjëra të reja. Kështu që ndoshta për design më ka ngjarë mua më shumë. Më duhet ta përmendi se shumë pak e dinë që unë jam me profesion edhe dizajnere.

A do ta sugjeronit të shkoj në këtë rrugë edhe djali juaj apo thjesht është herët dhe e lëni të lirë të veprojë?

Adelina Canolli: Nëse një ditë Otto vendos të zgjedhe rrugën time unë do të jem e lumtur dhe do t’i ndihmoj pa fund. Jam mësuese shumë e mirë. (qesh)

Por asesi asnjëherë nuk do t’ia imponoja artin apo ndonjë profesion tjetër! Unë jam shumë liberale për këtë pjesë. Otto është vetvetja dhe kjo më bënë të lumtur. Ai ka krijuar botën e tij dhe nuk dëshiron të jetë si askush tjetër, vetëm si vetja dhe gjithnjë zbulon dhe mëson gjëra të reja.

A ka ndonjë peng Adelina qoftë në profesion, qoftë në jetë që keni pasur qejf ta realizoni?

Adelina Canolli: Nuk e di a do ta kisha quajtur peng, mirpo definitivisht është dëshirë e imja e kahershme që të kem një ekspozitë në Prishtinë. E kam menduar që një kohë të gjatë. Punimet e mia marrin shumë kohë dhe çdo gjë po shkon ngadalë.

Ndonjë projekt të ri, a presim së shpejti, ekspozitë. Po në vendlindjen e juaj, Prishtinë do të ju kemi së shpejti?

Adelina Canolli: Siç e përmenda, po patjetër një ditë do të kem një ekspozitë në Prishtinë por asgjë nuk ka konkrete për momentin. Kjo sepse duhet shumë punë dhe përkushtim.

ObserverKult

———————————

Lexo edhe:

PIKTORJA E LUMTURISË…

Në historinë e artit të shekullit të 19-të, emri i Berthe Morisot lidhet ngushtë me atë të dy Maneve.

Së pari, Eduardi, i cili i kushtoi jo më pak se 14 portrete. Disa prej të cilave janë të pranishme në Lille dhe vëllai i vogël, Eugjeni. Po ashtu piktor.

Por që diti të mbetej, me shumë elegancë dhe dashuri. Vetëm si burri i Berthe.

Modele dhe mike e impresionistëve, por edhe e Malarmesë, Berthe Morisot ishte një piktore e vlerësuar nga kolegët.

Figurë e avangardës në vitet 1860-1880, Berthe Morisot mori pjesë në themelimin e grupit të impresionistëve. Kjo çoi në ekspozitën e famshme e realizuar në vitin 1874.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult