Ahmet Selmani: Kafshatë e madhe

Ahmet Selmani
Ahmet Selmani

Kafshatë e madhe (ose gojë e vogël), poezi nga Ahmet Selmani

Historia e stisur
me ëndrra të sëmura
është kafshatë tepër e madhe
për gojën tënde aq të vogël
të mbetet në fyt
s’të le të marrësh frymë
e lëre më të flasësh
në emër të saj
me gjuhë të kacagjelosur
të cilën s’e kupton
as vetë.

ObserverKult


Ahmet Selmani
Ahmet Selmani

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA AHMET SELMANI: ECJA NËPËR UDHËT PA KRYE

PAGËZIMI I ÇMENDURISË
(ose frikë nga vdekja)

Ynëzot
si ta quaj këtë që ndodh
para syve të diellit
si ta quaj këtë që po na le
pa mend në krye
si ta mallkoj emrin e saj
që s’e gjej askund
si t’ia vizatoj fytyrën
me ngjyra tmerri

ynëzot
të gjithë e quajnë çmenduri
këtë që ndodh
por e butë më duket kjo fjalë
e ardhur nga ferri
nuk më bën ta zbraz
vrerin e helmët
nuk përjetoj asnjë katarzë
kur e përmend

ynëzot
kërkoj një emër tjetër
për këtë që ndodh
kërkoj një fjalë përtej djallit
e përtej skëterrës
dhe s’e gjej askund
as në fund të botës

ynëzot,
kam frikë se do të vdes
pa e pagëzuar çnendurinë
me emrin e vërtetë.

BRESHËR MITIK
(ose empati për zeusin)

Mbi kokat tona
bie breshër mitik
dhe na i hap mijëra plagë
të reja e të vjetra
rrufetë kryqëzohen
si kuçedra të çartura
dhe na i ngulin dhëmbët
në mishin e regjur
asnjë zot s’ka empati për ne
veç për zeusin
që shtiret si vdeks në olimpin
e grabitur.

ECJA NËPËR UDHËT PA KRYE
(ose me pasë a mos me pasë krye)

Njerëz me krye
ecin udhëve pa krye
s’ia dalin në krye
u bie gjëma në krye
duart i vënë në krye
çështja mbetet në krye
me pasë a mos pasë krye
në këtë vend pa krye.

Poezitë tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult