Ardita Jatru: Për gjysmën e botës që nuk është më

ardita jatru

Çfarë gjetëm
nuk ishte e jona.
Çfarë të përkiste,
e more me vete.

Ndanim bukën
me një pikë vaj dhe ëndërr
shihnim qiellin
e ndanim dhe atë në dy.
Pastaj tokën e vinim në një rreth,
e ndanim në dy dhe atë.
Ti bëheshe Amerika
Azia unë.

Tetëmbëdhjetë vjeç rendëm.
Nga nxitimi na ranë botët nga duart
na i shkelën me këmbë
nga sytë
na i trembën
turmat.
Kanë mbetur gjallë udhët,
kur takohen, nisin vajin
për gjysmën e botës
që ra në zi.