Besim Zymberi: Do të doja fundin e dinjitetshëm të një ylloriani të devotshëm!

besim zymberi

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Besim Zymberi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk e di se cili mund të jetë kufiri i fundit i lumturisë…
Përballimi i dhembjeve, triumfi ndaj vështirësive, aftësia për të pranuar sa më qetësisht realitetin-të bukur ose të vrazhdë, emancipimi i vazhdueshëm i botëkuptimit për lirinë, përpjekja e vazhdueshme për të mbetur sa më afër njerëzores, solidarizimi me nevojat e të tjerëve, gatishmëria për sakrificë  në shërbim të një ideje madhore, njerëzore ose atdhedashurie dhe sigurisht, edhe ndonjë britmë gëzimë në situata të veçanta, janë të gjitha që më bëjnë ta njoh lumturinë si formën e përkryer e përjetshmërisë, qoftë edhe të një çasti…

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe, ndonjëherë mund të jetë-frika nga pamundësia për ta menagjuar vetë frikën!

Besoj deri më tani t’ia kem dalë me sukses.

Ndërsa, frika ime më e madhe, por që nuk ka të bëjë me mua personalisht, është frika nga denatyrimi i njeriut, drejt  së cilës gjendje, druaj se jemi duke ecur krejtësisht të shkujdesur….

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Adhurimi, është një tipar i pashmangshëm në personalitetin e secilit njeri. Secili mund ta kemi heroin tonë, që jeton ose jo!

Por, unë gjithnjë kam një prirje të besoj që heroi im i gjallë, të mos ketë një emër të veçantë, por të bëjë gjërat më të natyrshme, të cilat ne më pas i quajmë-madhështore.

Heroi im i gjallë mund të jetë, një zjarrfikës që shpëton një shtëpi a një bjeshkë të tërë, një mami që pret në duar një foshnje, një mësues a mësuese, që tek nxënësit mbjell mënyrën artistike të të mësuarit dhe që nxjerr pasionet unike tek secili nxënes a nxënëse, një doktor që mbyll një plagë, një fjalëmirë që shuan një vuajtje, një  mik që ndien dhembjet tona si të vetat, etj.,…

Cili është personaliteti historik me të cilin do të donit të identifikoheshit?

Pa asnjë dilemë: me Marin Barletin.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?

Dua të theksoj një tipar, që s’është se nuk më pëlqen tek vetja, por mund të më ketë bezdisur cazë në ecjen time. Ky tipar është- emotiviteti i thellë!

Cili është tipari që nuk e pëlqeni te të tjerët?

Mbase egoizmi i tepruar, si një hap i pashmangshëm drejt formës patologjike të narcisizmit.

Në cilat gjëra e teproni?

Do të tingëllontë e çuditshme, por mbase më së shumti e teproj me kryeneçësinë për të mos i dhënë vëmendjen e duhur vetes, ndonëse jam i vetëdijshëm për këtë.

Çfarë do të t’ju detyronte të gënjenit?

Ndoshta në rastet kur e vërteta do të ishtë shumë më pak ekonomike. Kuptohet, kur ajo do të mund të lëndonte shumë njerëz. Por, nuk do të doja të gënjeja kurrë për të fshehur një krim!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Ai i njohjes së një paqeje ndërmjet ambicieve dhe realitetit që nuk e shmang dot!

Cilën fjalë ose frazë e përdorni më së shpeshti?

Nuk më ka thënë askush të kem ndonjë fjalë ose frazë krejtësisht identitare timen. Ndoshta, kur flas për kujtimet a të shkuarën, sikur më ndez gjaku ta nis me “Ktyneher’”…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq, ose jeni penduar që nuk e keni bërë?

Nuk e di a ka të bëjë me pendimin, por, mund të jetë që më ka shquar gjatë pjesës më të madhe të jetës-një modesti e tepruar. Më qortojnë shpesh se nuk imponohem shumë dhe sikur krejt natyrshëm, mund të lëshoj raste të ndryshme për një gjendje më meritore….

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Ajo, diçka ose gjithçka që i dedikoj emotivitetin tim më të thellë!

Por, kam nisur të besoj se një thellësi emotiviteti siç është kjo e imja, në formën e një përkushtimi, mbetet e njëanshme në shumicën e rasteve.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

E ndiej veten si një pacient…

Jo pacient i ndonjë doktori, por, detyrimisht, një pacient i kohës!

Brezi im, ka përjetuar ndryshime dramatike në plan kulturor, mental, ideologjik e teknologjik, si asnjë brez tjetër dhe atë, për një kohë shumë të shkurtë. Ndaj, si pacient i kohës, jam gjithnjë në përpjekje që ta mbaj veten në kontrollë, duke ekzaminuar edhe nuancat e këtyre ndryshimeve, për të parë se cilat janë mundësitë më të mira për të mos devijuar për shkak të trendit të përshtatjes, ose për të gjetur guximin e përshtatjes me të pashmangshmen, një luftë tepër e vështirë kjo…

Nëse do të kishit mundësinë e ndryshimit të vetëm një gjëje tek vetja, cila do të ishte ajo?

Ndoshta një lloj balancimi më praktik ndërmjet emotivitetit dhe realitetit!

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Mbase ruajtjen e disa vlerave etike, në kohën kur deformimi  brutal i tyre, synohet të paraqitet si formë emancipimi.

Nëse do të mund ta kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Si 17 vjeçar, ia mbaja nanës karrigen, kur ajo ndërronte siguresën e djegur të orës së rrymës. Do të doja që në atë moshë, të arrija ta ndërroja vetë atë dreq sigurese.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheni qoftë si njeri ose send, çfarë personi ose sendi do të donit të jeni?

Si njeri, do të doja të jem një pleqnar-urtak që shuan sherret ndërmjet njerëzve. Si send, do të dëshiroja të jem-libër!

Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?

Familja patjetër…

Si formë trashëgimie, në majë qëndron edhe virtyti i atdhedashurisë dhe njerëzores.

Çfarë konsideroni mjerimin më të madh?

Mosmirënjohjen, tradhëtinë , egoizmin patologjik…

Ku do të dëshironit të jetonit?

Kudo në trojet shqiptare dhe gjithsesi, i lumtur të jem një ferizajas.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Mund të kem disa. Nga muzikaliteti i thellë e deri te poezia. Rrethanat më bënë t’i kem të dukshme, të menduarit e thellë dhe oratorinë, së paku deri vonë veçanërisht.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Vetëbesimin.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Buzëqeshjen, si  gjuhën e shpirtit të saj!

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Padyshim, Marin Barleti. Na ka lënë pas kryelibrin e historisë njerëzore të letërsisë, për kryeperandorin e virtytit-Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.

Cilët janë heronjtë në jetën tuaj të vërtetë?

Së pari fëmijët e mi. Nëpërmjet sjelljeve të mia me ta, kam njohur tek vetja më së miri anën time të mirë, por edhe mangësitë e mia.

Më pas, secili njeri që mundohet të bëjë më të mirën për shoqërinë.

Cilin talent do të donit ta kishit?

Do të doja të kisha talent për pikturim. Sidomos aktualisht, ndiej se një pjesë të botës sime, më së miri do ta shprehja nëpërmjet pikturës.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Nuk dua të zgjedh diçka që nuk mundem! Por, gjithsesi do të doja fundin e dinjitetshëm të një ylloriani (iliri) të devotshëm!

Cila është motoja juaj?

Të pamundurën, nuk duhet ta ndjekim për të bërë diçka të jashtëzakonshme, por që të mbetemi brenda natyrës sonë!

ObserverKult

Lexo edhe:

BESIM ZYMBERI: SONTE MË ZGJOI NGA GJUMI NJË BUBULLIMË…

POEZI NGA BESIM ZYMBERI: KUJTIME TË PËRRALLSHME

BESIM ZYMBERI: Ç’TRISHTIM TA PRES TË MË VIJË…

BESIM ZYMBERI: PO DESHE NJË FILLIM TË RI… MUA MË KE ATY