Lamtumirë maestro! Buqetë poetike nga Adem Gashi: NJI TJETËR ANDËRR

adem gashi antologji atdhedashuri

Ka ndërruar jetë sot, shkrimtari i njohur shqiptar Adem Gashi.
Ju ftojmë ta nderojmë përmes leximit të një cikli të zgjedhur poezish, jetën dhe veprën e tij!

TI E DI VESIN TIM

Shumëçka në jetë përsërisim
mësimin, klasën, gabimin
na duket nganjëherë sikur jemi përsëritës të përhershëm
pa dashur,
veçse kur duam ta përsërisim vetë jetën
shpirti na thotë: këtu fillon mbretëria tjetër
duke lënë pengun buzëplasur.

…dhe, sërish erdhi ditëlindja jote
këtu, atje, seku të gjeti
në ç’hapësira të kësaj bote
duke shaluar aligatorë, elefantë, deve a Chevroleti?

Veçse vesin tim ti e njeh tashmë:
të mos uroj njeri për ditëlindje,
pa çka se shpirtin rob e lë
në itineraret e tua, në arratitë e shëtitjet.

S’ka gjë, malli le të përsëritet
me gjithë peshën e vuajtjes sa një tren a avion
Rëndësi ka që me zogun e blertë e zemërak
të kujtoj e më kujton.

ME TË DASHTË

Ti ishe afër, aq afër sa deti me valë,
aq afër sa afër qe dita
si një nuancë e emrit tënd.

Tani ike larg,
aq larg sa pamundësia
dhe nuk ma the
pse zura ME TË DASHTË?

Ike larg duke tundur dorën:
Mirupafshim!

Në këtë botë gjithçka mund të ndodhë
siç këndon dhe zogu i këngës
në ëndërr,
i lirë.

Se, për t’u thënë,
vetëm një herë thuhet:
Lamtumirë!

NJI TJETËR ANDËRR

dimën asht e ftohti ka ra bashkë me natën
lodh gjymtyrësh e hutue mendjet
dhe gjumi ka ardhun

mos m’thoni se nuk kini pa andërr
tue pa andërr
ma s’paku nji herë palue vitet n’palë t’jorganit

e kur n’ferkun e mjesit gjumi ka firue
i kini thanë vedit:
ardh kenka koha m’u zgjue

bashk me borën dimni ka ra
e n’mashtrim na ka xanun të tanëve
pa e diktue se po hyjmë në nji tjetër andërr.

DUHET TË VIJË SONTE NJË LAJM

Duhet të vijë sonte një lajm, një letër a fjalë në erë
Duhet të vijë,
Në mos deteve të njelmët, tokës djerrë
Sipër qiejsh gri do të vijë.

S’është besëtytni, e di
po mendjeshkreta më vajti te ti.

Do të vijë,
Se trazimi i oqeanit të vetmisë
Orën time, orën tënde dridh
Rrathëve të ajërt ku gjëllijnë shpirtrat.

Dhe mos thuaj s’të ndjeva, dhe mos thuaj s’të pashë!
Dashuria është qerthull i lashtë
Sa vetë fillesa.

DASHURIA KËRKONTE FLI…

tashmë ata të dy duhet të jenë të vjetër
ai plak dhe ajo plakë
rrojnë a s’rrojnë në një përmasë tjetër
u fikën a u dogjën flakë

jo, nuk e di

njëherë e një kohë qenë bërë legjendë
ai dragua ajo kuçedër
as në tokë as në det nuk u lanë vend
mërguan tutje në një përmasë tjetër

dashuria kërkonte fli

…dhe qenë të bukur dhe qenë të rrallë
ah, mos i zëntë shikimi sykeq
dashuri e tyre na bëri përrallë
paj, tash edhe mund të jenë pleq

paçka që s’e dimë, pa çka që s’e di.

KUR VETMON PËRMALLSHËM ME HIJET

lotët m’janë bâ qelqe syzash
(edhe liget burri pa çka)
e m’del përpara f’tyra
të tanë e mbulueme n’pérla

f’tyr’e njasaj pra
qi kjé lule, pemë e u bâ flatër
e muer nji erë qiellnash e s’di ku e la
nashti u kthye shpirtshkëndijë oxhakut

pa çka
burri edhe liget
kur vetmon përmallshëm me hijet.

SHTRATI BOSH

kur bie mbrëmja terri shtron çarçafët e bardhë
me petale trëndafilash hedhur në nënkresë
dhe vjen ti nuse me hap të lehtë si një sorkadhë
dhe vjen ti (figurë nga folklori) si lule me vesë

e përzihen ëndrra e shpresa si një herë e një mot
diçka prej ferri diçka prej parajse diçka si lojë
t’i puthë buzët e epshta e syçkat e bukura me lot
e njëkohshëm më shfaqesh vajzë, grua, zonjë

lëre tani, kohën e moshën i kemi harruar kaherë
dhe mos më bëj sikur, dhe mos më bëj rreng
jam ai, ai djali pra, që dikur në një stinë me erë
mizorisht ia more zemrën e shpirtin peng

kur vjen agu symavijosur ti ikën në punë, në spital
unë shoh, ëndërritës si gjithnjë, shtratin bosh
dhe ankthshëm them: është shtrat a sarkofag
pa ty jam i harruar kohërash, me ty jam riosh.

PARA TRUPIT TË NJË GRUAJE

papritmas mori qielli flakë,
mori zjarr majëmali e fusha
zjarr mori qyteti e katundi e gëmusha
në zjarr u përzjarr ajri, udha
e morën nga zjarri lumenjtë, liqenet
pemët, perimet dhe shelgjet
ra zjarr pra 
edhe në hapësirën e zhveshur të shpatit,
në trupin tënd e timin 
u ndez dhe shtrati dhe oxhaku
u dogj gjithçka, dhe deti, dhe oqeani…
ah, harrojini të gjitha,
i paskam këmbyer sytë padashur
me sytë e një piromani
para trupit të një gruaje

VJERSHË E HARRUAR PËR LADY-N

(Rekomandohet të lexohet paralelisht me “Makbethi”-n e Shekspirit)

kur ra nata, dikur vonë, shumë vonë
erdhe e trokite në portën që veç ti e di
dhe më the se nuk të pa njeri

(…këtu papritur ra perdja
në skenën me seks dhe erotikë,
të padenjë për të parritur e fëmijë…)

pastaj na çeli agu
ah,
kishte lëvizur Pylli i Dyshimit drejt Pyllit të Fjalëve
dhe ne u gjetëm në Kështjellën e Makbethit
rrethuar skëterrshëm nga ushtarët
pa vrarë as princin as mbretin

Lady
e vetmja ambicie jotja, imja
në mbretërinë e dashurisë ta merrnim pushtetin
tash presim
penën a shpatën
e atij që nuk ka lindur prej gruaje, nëne:
të vritemi o të falemi.

TI DO TË VISH, DO TË KTHEHESH NJË DITË

Ti do të vish, do të kthehesh një ditë
një ditë do të ikim bashkë për s’di seku
seku mund të na shohin vetëm perënditë
perënditë hutuar mrekullie tutje-tehu

Epilog hakmarrës që s’merr hak asku’.

ObserverKult


Lexo edhe:

ADEM GASHI: VJERSHË E HARRUAR PËR LADY-N

ADEM GASHI: PREKAZI