Carolyn Kizer: Do të vras me dashuri…

Do të të vras me dashuri;
Do të ta marr frymën me përqafime;
Do të të përqafoj, eshtër për eshtër,
derisa të vdesësh fare.
Pastaj do të ha për darkë palcën tënde të andshme.

Do të bëhesh Saharaja ime personale;
Do t’marr rreze dielli në ty, pastaj me një gëlltitje
do të ta shterr pusin e njelmët.
Me kamën femërore do të gdhend emrin tim
në pëllëmbën tënde më mëtuese,
përpara se të ta cungoj.
Pastaj do ta frymëthith krejt oazin tënd të mbramë.

Por në tërë shkretëtirën që do të shndërrohesh
do të më shohësh të zgjatem, horizont më horizont,
si mirazh i begatë!
Ballkonë me jargavanë, që pikojnë çiklaminë.
Perspektiva flakëron me kristale, dantellë-thurur në prarim.

Dhe ti do të thërrasësh çdo grimcë të thatë rëre
e do të vish kundruall në duna valëvitëse,
gjer të arrish në një ultramarinë të beftë:
një Mesdhe që të përplaset pas brigjeve të pluhurt;
bimësi kokëfortë, stere kacavjerrëse, i rizhveshin vrik
shterpësitë e tua; kaktuse burojnë kudo,
jetë befasuese! Dhe do të jem unë ai gjelbërim!

Kur të jesh ushqyer e ujitur, me sytha në lul’zim
rreth gardhit, kubésë e shtizës,
gjerkur të ringjallesh fushë në lulesë,
do të të përpij, o ushqimi im i natyrshëm,
mikpritësi im, darka e fundit mbi dhé,
dhe nga e para do të fillosh të vdesësh.

*Titulli i origjinalit: “Ushqim dashurie”

Përktheu: Elvana Zaimi

ObserverKult


Lexo edhe:

ELVANA ZAIMI: E MORËM NË HESHTJE ATË QË ËNDËRRUAM…