Ernest Hemingway: Më pëlqejnë kanadezët

Nga një i huaj

Më pëlqejnë kanadezët.
Janë shumë më ndryshe se amerikanët.
Natën shkojnë në shtëpi.
Purove të tyre nuk u vjen erë e keqe.
Kapelat u bijnë tamam.
Përnjëmend besojnë se e kanë fituar luftën.
Nuk besojnë në Letërsi.
Kujtojnë se Arti është i ekzagjeruar.
Ama ata kanë patina të mrekullueshme.
Pakkush prej tyre është shumë i pasur.
Ama kur pasurohen më shumë blejnë kuaj
Sesa automobila.
Çikago e quan Toronton qytet puritan.
Ama hem të boksuarit hem garat me kuaj janë
Të kundërligjshme në Çikago.
Askush nuk punon të Dielën.
Bash askush.
Për këtë s’ma ndien edhe aq fort.
Sall një është në Woodbine.
Ama a keni qenë ndonjëherë në Blue Bonnets?
Nëse e shkel dikë me automobil në Ontario
Mund të mbarosh në burg.
Shyqyr që s’e kam bërë një gjë të tillë.
Mbi 500 njerëz janë mbytur nga automobilat
Në Çikago
Me sa e di unë gjatë këtij viti.
Është goxha zor të pasurohesh në Kanada.
Ama është lehtë të fitosh para.
Ka shumë çajtore.
Por nuk ka kabare.
Po që se ia jep bakshish kamarierit një çerekdollari
Ai të thotë “Faleminderit”.
Në vend se të mburret.
Ata i lënë femrat të qëndrojnë në këmbë nëpër tramvaje.
Bile edhe në qoftë se janë të pashme.
Të gjithë nxitojnë për në shtëpi për të ngrënë darkë
Dhe për t’i kyçur radiot.
Janë njerëz të mirë.
Më pëlqejnë.

1923.

Përktheu: Fadil Bajraj


Lexo edhe:

ERNEST HEMINGWAY: ROBËRIT

ERNEST HEMINGWAY: KAFENE E PASTËR, E NDRIÇUAR MIRË