Gilmana Bushati: Zemër, unë e shkreta një valixhe jam…

Zemër, unë jam nji valixhe e mirë
prej lëkure të rreshkun fort
e thame n’telin e shpisë
e punueme me mund me dorë
në kundër e rrahun për me marrë formë
e tërhequn me pinca deri n’skaj
mbërthye me thumba në skelet
çekiçi ditë e natë n’mue kërcet
me nji zinxhir t’bukur, i ardhun prej jashtë
krejt gati, me mbajtë e me zhbajtë.
Brenda fut çka ke qejf ti
rrobat, brushën e dhambve
këpucët, librat, fotografitë
mos harro, merr edhe krenarinë
mustakt e gjyshit, si trashëgimi.
Hajde, shtypi edhe ma shumë
për ktë jam ba, me mbajtë e me krye punë;
zilen e derës, filxhanin e çajit
bishtagypin, hoken, fletët e lavdërimit
historinë e familjes, dy rranjë fasligen
aromën e livadeve, edhe pak liqen
hajt nëse ka vend për luleborën
pushimet e verës dhe nji shishe hardiq…
Zemër, s’e kupton që m’ke mbyt
unë e shkreta nji valixhe jam
ngarkuar n’kurrizin tem me çka peshon ma randë

ObserverKult

LEXO EDHE:

ELI KRASNIQI: ME DASHTË NUK ASHT ME PASË