Nga: Davide Brullo
Quhej njëlloj si femra e parë, Eva, dhe nga 2016 sillej vërdallë me dy thasë plastikë plot me dokumente, duke e rruar kokën, vazhdimisht. I kishin marrë gjënë më të dashur, thoshte, duke mallkuar të nxehtin e Tel Avivit dhe cinizmin e Izraelit, ajo, hebreje, bijë emigrantësh çekë. Thoshte se i kishin vjedhur shkrimtarit Franz Kafka. Kjo është një histori tradhtishë të përsëritura, një histori dashurie, miqësie, spiunazhi. Ka të bëjë me shkrimtarin më të madh të shekullit XIX, që njëlloj si virusi pushton jetët, anashkalon njerëzit; e ka rrëfyer Benjamin Balint në një libër tmerrësisht bindës, të titulluar “Kafka’s Last Trial” (shtëpia botuese W.W. Norton & Company 2018, fq. 288). Gjithçka fillon në vitin 1924. Franz Kafka vdes dhe i kërkon mikut të tij të ngushtë Max Brod, ekzekutuesit testamentar të tij, që t’i djegë të gjitha dokumentet private, letrat, ditarët, punët e papërfunduara. Siç dihet, Brod nuk e plotëson vullnetin e mikut të tij, përkundrazi, “boton gjithçka, pa dallim”, siç shkruan Milan Kundera tek “Testamentet e tradhtuara”.
Kjo është e para e tradhtive të panumërta, në një aradhë të tërë tradhtarësh. Në vitin 1939, Brod largohet nga Evropa naziste, zbarkon në Tel Aviv. Një vit më vonë takon aty gruan Ilsa Hoffe, të cilën e bindë që ta quajë hebraisht, Esther. Kështu, Esther bëhet sekretarja e tij, factotum-i i tij, ndoshta edhe dashnorja e tij. Esther Hoffe ka burrë që ia quajnë Otto, dhe dy vajza, përkatësisht Eva e Ruth; është rrezatuese, e aftë dhe në dorëshkrimet e Kafkës të cilat i shtyp në makinë, gjen të kaluarën e humbur. Me vdekjen e Brodit, 50 vite më parë, është Esther ajo që merr në dorëzim dorëshkrimet e çmuara, duke i kundërshtuar të gjitha dëshirat e mentorit të saj që do të donte t’ia dërgonte Bibliotekës Kombëtare të Izraelit. Esther i ruan në mënyrë obsesive dokumentet, duke arritur megjithatë të shesë në vitin 1974 disa letra të Kafkës një blerësi gjerman dhe sidomos më 1988 dorëshkrimin e “Procesit”, i kaluar ankand dhe i blerë për një shifër milionëshe nga Arkivi Letrar Gjerman i Marbach.
Esther ndërron jetë në vitin 2007, në moshën 101-vjeçare, duke ua lënë dokumentet e Kafkës trashëgimi të bijave: është në këtë moment që Biblioteka Kombëtare e Izraelit dhe Arkiva Letrare ngrenë pretendimet lidhur me trashëgiminë. Në vitin 2016 gjykata ia jep dorëshkrimet, të shpërndara midis një kasaforte bankare në Tel Aviv dhe njërës në Cyrih, Bibliotekës Kombëtare. Nënkuptohet, bëhet fjalë për dokumente shumë të rëndësishme për historikun e letërsisë: një inventor ende jo i plotë regjistron mijëra letra – midis të cilave ato të Dora Diamant, e dashura e fundit e Kafkës – dorëshkrimet e shumë tregimeve të tij dhe një grusht vizatimesh. Nga viti 2016, e shndërruar tashmë në një lloj Joseph K., Eva Hoffe ka nisur të rruajë kokën, “sikur të kishte një lidhur një kontratë me të vdekurit”, më thotë Blint. E motra Ruth ka vdekur më 2012. “Shikohet vetëm boshllëku…. E padurueshme bashkëjetesa me kushedi se kë… e pafundme të rrotullohesh symbullur, ofruar një shikimi të çfarëdoshëm të sinqertë”, shkruan Kafka mbi një shekull më parë, më 1916, në ditarët që do të duhej të përfundonin në zjarr. Më 4 gusht, Eva Hoffe ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Në historinë e dorëshkrimeve të Kafkës kthehet në mënyrë të përsëritur fjala “tradhti”: Max Brod tradhton vullnetin e Kafkës që donte t’i digjte tekstet e tij private; Esther Hoffe tradhton vullnetin e Max Brodit që donte t’ia dorëzonte dokumentet kafkiane Bibliotekës Kombëtare të Izraelit; Esther Hoffe, sipas të gjitha gjasave, tradhton të shoqin për t’u bërë dashnorja e Brodit. Kush ka tradhtuar më shumë në gjithë këtë histori? Nga ana tjetër, është falë kësaj serie tradhtishë që arrimë të penetrojmë në vërtetësinë e punës së Kafka…
Ka mundësi të keni të drejtë në identifikimin e tradhtisë si tema që përshkon të gjithë historinë. Brod e justifikon tradhtimin e vullnetit të Kafkës nëpërmjet apelimit të një besnikërie dyfishe, më të lartë: ndaj letërsisë dhe ndaj dëshirave të vërteta të Kafkës. Shtoj se duke tradhtuar dëshirat e këtij të fundit, Brod e ka shpëtuar në mënyrë të dyfishtë trashëgiminë e tij: nga asgjësimi fizik dhe nga errësira e pasvdekjes. Fama e Kafkas – “shpërblimi i hidhur i atij që qe në pararojë të kohës”, sipas Hannah Arendt – është meritë e Brodit. Pa Judë, është thënë, nuk do të kishte pasur kryqëzim; pa Brod nuk do të kishte Kafkë.
Milan Kundera këmbëngul mbi faktin se Brodi e ka tradhtuar mikun e tij duke ia botuar veprat e papërfunduara dhe ditaret, letrën për të atin, e pa dorëzuar ndonjëherë, letrat e tij të dashurisë. Me këtë gjest jo të mirë, shkruan Kundera, Brod ka krijuar “modelin për mosbindjen kundrejt miqve të vdekur; një precedent gjyqësor për t’ju shmangur vullnetit final të autorit”. Por, sikur Brodi t’i ishte bindur vullnetit final të autorit, duke i hedhur në zjarr dorëshkrimet e tij, atëherë pjesa më e madhe e shkrimeve të Kafkës do të humbiste. Kafka ynë është një dhuratë e mosbindjes së Brodit. Duke vazhduar lidhur me këtë temë: Meir Heller, avokati i Bibliotekës Kombëtare të Izraelit, thekson se Brod ia ka lënë Esther Hoffes dokumentet e Kafkës si ekzekutuese dhe jo si përfituese. Dorëshkrimet nuk kanë qenë kurrë pronësi e saj dhe ajo nuk do të mund t’ia kalonte vajzave të saj, Eva dhe Ruth. Esther Hoffe e ka tradhtuar vullnetin e Brodit, thotë Heller, ashtu si Brodi e ka tradhtuar atë të Kafkës, transmeton “Telegrafi”.
Çfarë gruaje ishte Esther Hoffe?
Esther (Ilse) Hoffe ka qenë para së gjithash një grua e shënuar nga përvoja e mërgimit. E lindur në vitin 1906 në Opava (Troppau, në gjermanisht), kryeqyteti i Silezisë çeke, në fillim të viteve 1940 ajo, i shoqi dhe vajzat largohen në Gjermani e më pas në Francë. Në Francë, Otto, i shoqi, u mbyll në një kamp internimi jashtë Parisit. Eva dhe Ruth gjetën strehim në Villard-de-Lans, një qytet afër Grenoble.
Për disa muaj, Esther bëri vajtje-ardhje nga një qytet në tjetrin, e dëshpëruar, për të mbrojtur vajzat dhe për të tentuar lirimin e të shoqit. Në fund, me ndihmën e të afërmve në Shtetet e Bashkuara, arriti që të sigurojë dokumentet e nevojshme për udhëtimin drejt Palestinë. Eva më ka thënë se e ëma, rrezatuese në publik, shpërndante një magnetizëm rreth vetes: “Nëse i duhej të futej në ndonjë bar, të gjithë do ta kthenin kokën nga ajo”. E duroi në privatësi dhimbjen e të mërguarve. Eva kujton se e ëma i binte me grushte murit të apartamentit të tyre në Tel Aviv, sikur të mund t’i thithnin dhimbjen që kishte brenda. Kur ajo dhe Otto takuan Max Brodit, të tri refugjatët njohën tek njëri-tjetri atë që në mjedisin e ri nuk e gjenin. “Prindërit e mi dhe Maxi nuk qenë izraelitë”, kujtonte Eva.
“Nuk e kuptonin kulturën izraelite. Mënyra e tyre e të menduarit ishte internacionaliste”. Qe me sugjerimin e Brodit që Ilse Hoffe mori emrin hebraisht Esther dhe që po me kërkesën e tij që Esther pranoi ta ndihmonte të transkriptonte dhe të organizonte dokumenteat që kishte shpëtuar nga qyteti i lindjes në valixhen e tij. Brodi ishte i sigurt që ajo mund ta kuptonte që ato dorëshkrime qenë një fill në gjendje të lidhnin të tashmen me të kaluarën, me jetën e mëparshme. Çdo mëngjes, Esther Hoffe shkonte në apartamentin e tij në HaYarden, dy blloqe larg nga plazhi. Vinte me një briosh në qese dhe e ndizte samovarin përpara se të largohej, pasdite. Duke parë se po fillonte të kishte vështirësi në të dëgjuar, Brodi i besonte Esther që t’i përsëriste gjërat që nuk arrinte të kuptonte në telefon. Në librin e tij të kujtimeve, Brodi e quan atë “ortaku im krijues, kritiku im më i rreptë, shoku dhe aleati im”, ndaj të cilës “ndjehej pafundësisht në borxh”. Sipas Shin Shalomit, një mik i tij, Brodi thoshte se Esther kishte hyrë në jetën e tij “si një engjëll shpëtimtar”.
Më thoni diçka për vajzat e saj, Eva dhe Ruth: çfarë karakteri kanë pasur, si e kanë përballuar gjykatën izraelite?
Nuk e kam takuar kurrë Ruthin, por ndoshta mund t’u jap një ide për Evën. Në lagështinë mbytëse të mesit të verës në Tel Aviv, unë dhe Eva po ecnim përgjatë Dubnow. Ajo mbante një bluze me ngjyrë të ndezur, me një imazh të aktores Marilyn Monroe, dhe një fustan të gjatë, me katrorë. Kishte me vete tri qese plastike, me fotografi dhe dokumente që donte të m’i tregonte, përfshirë certifikatën e saj të lindjes dhe pasaportën çeke. “Pavarësisht se jam izraelite dhe hebreje”, më tha, “nuk mund të them se e dua këtë vend”. Kam përmendur intervistën që Brodi i ka dhënë gazetës izraelite “Maariv” në tetorin e 1960. I ka thënë gazetarit: “Sikur Kafka do të kishte dashur ta rrinte tokën e Izraelit, do t’i kishte krijuar veprat gjeniale në hebraisht”!
Shtova se në romanin e saj të fundit, “Forest Dark”, shkrimtarja izraelito-amerikane, Nicole Krauss, ka imagjinuar një kundërjetë të Kafkës, një lloj “po sikur…”. Rrëfyesi i romanit të Kraussit zbulon se Kafka ka ardhur në Palestinë midis dy luftërave botërore dhe se jetonte në mënyrë gati sekrete, i mbrojtur nga emri hebraik Amschel. Megjithëse nuk do ta takonte kurrë Kafkën, Eva reagoi e tronditur. “Kafka nuk do të kishte zgjatur as edhe një ditë këtu”, më tha. Pas humbjes në Gjykatën Supreme, e kishte kapur një formë mazokizmi dhe vetëdëmtimi sublime. I kishte thënë parukieres që t’ia rruante kokën. Ishte ndonjë lloj zije? Ishte një lloj borxhi me të vdekurit? Ishte ndonjë lloj martirizimi?
Duke folur për veten e saj sikur të ishte thjesht shumatorja e fatkeqësive të saj ligjore, i ka krahasuar shtyrjet dhe vonesat e rastit të saj me ato të ndeshura nga Joseph K. tek “Procesi”. Në të dyja rastet, thoshte, “një sistem arbitrar është future në hapësira publike dhe private”. “Mirë”, i thotë piktori Joseph K., “çdo gjë i përket gjykatës”. “Qysh nga fillimi i procesit”, më ka thënë, “e ndjeja veten si një bagëti e çuar tek kasapi”.
Çfarë ideje keni krijuar për Max Brodin? Ishte vërtet mik i Kafkës? Çfarë e shtyn që të botojë dokumentet më intime të Kafka, letrat, ditarët, tekstet e papërfunduara?
Në justifikimin e tradhtisë së tij, Brodi thoshte se Kafka ia kish nënshtruar të shkruarën e tij një presioni të jashtëzakonshëm, se ia nënshtronte artin e tij kritereve jashtëzakonisht të larta – “standardeve më të larta fetare” dhe “një autokritike të shfrenuar”, shtonte Brod. I konsideronte shënimet e Kafkës – nota, jo testament juridikisht detyrues – si produkte të një “depresioni të përkohshëm”. Shkruan: “Vendimi im për ta botuar veprën pas vdekjes është bërë më e lehtë nga kujtimi i të gjitha luftërave spazmodike që i kanë paraprirë çdo botimi të veçantë të Kafka që ia kam ‘zhvatur’ me forcë dhe shpesh duke ju përgjëruar. Megjithatë, më pas është pajtuar me këto botime dhe ka mbetur relativisht i kënaqur”. Brod e kuptoi se ngurrimi i Kafka për t’i botuar veprat e tij nuk buronte nga qëllimi për t’i mbajtur sekret, por nga bindja e paplotshmërisë së tyre, nga boshllëku i pamatshëm midis asaj që ishte dhe asaj që do të kishin mundur të kishte qenë.
Praktikisht, gjëja e parë që Brodi botoi nga shkrimet e Kafka pas vdekjes së tij qenë të dy notat që ndalonin botimin e veprave të tij. Me këtë, Brodi donte të demonstronte besnikërinë e tij të vërtetë ndaj Kafkës: e botonte veprën e tij, por në të njëjtën kohë edhe vullnetin e Kafkës për të mos e bërë një gjë të tillë. Në vitin 1921, kur ai e denoncoi për herë të parë qëllimin për të djegur çdo gjë, Brodi iu përgjigj duke i thënë: “Nëse seriozisht mendon se unë jam i aftë që ta bëj një gjë të tillë, atëherë më lejo të të them këtu dhe tani se nuk do t’i plotësoj dëshirat e tua”. Pas vdekjes së Kafkës, Brod ka pohuar: “Franz do të duhej të emëronte një ekzekutues tjetër sikur të kishte qenë absolutisht dhe përfundimisht i sigurtë se donte që dikush t’i realizonte udhëzimet e tij”.
Çfarë dokumentesh të pabotuara të Kafka mund të zbulojmë në Bibliotekën Kombëtare të Izraelit? Ka tekste që mund ta përmirësojnë dijen tonë për shkrimtarin?
Për një përgjigje të plotë duhet të presim, por inventari i paplotë i materialeve në kasafortat bankare të Tel Avivit dhe Cyrihut, që shkon në 170 faqe, liston rreth 20 mijë letra – midis të cilave 70 letrat e Dora Diamantit, të dashurës së fundit të Kafkës, për Brod – ditarët e pabotuara të Brodit, dy dyzina vizatimesh të panjohura të Kafkës dhe dorëshkrimet origjinale e tregimeve të Kafka (midis të cilave, Përgatitje dasme në fshat).
Çfarë ju ka shtyrë të shkruani një histori si kjo?
Qëndroja i ulur, në seancat e procesit gjyqësor, i magjepsur nga mënyra me të cilën secila nga palët, e impenjuar në një luftë të ashpër gjyqësore, dhe deri edhe gjykatësit, të luhateshin midis regjistrash retorikë: ligjorit dhe simbolikut. Kam kuptuar se procedimet gjyqësore mundësonin që të hidhnin dritë mbi çështje të rëndësishme për Izraelin, Gjermaninë dhe marrëdhënien ende të brishtë midis tyre. Si Arkiva Kombëtare Marbach, ashtu edhe Biblioteka Kombëtare e Izraelit kanë sjellë në sallë frikët lidhur me të kaluarat respektive kombëtare; të dy kërkonin ta përdornin Kafkën si një trofe për të nderuar të kaluarën e tyre, sikur shkrimtari të ishte një instrument për prestigj kombëtar. Qysh atëherë e dija se duhej ta shkruaja historinë e një shkrimtari të panjohur, i mbushur plot me gjeni, dëshira e fundit e të cilit është tradhtuar nga miku më i ngushtë i tij; një arrati e dhimbshme nga pushtuesit nazistë, ndërkohë që mbylleshin dyert e Evropës; një histori dashurie midis mërgimtarësh të bllokuar në Tel Aviv dhe dy vende obsesioni i të cilëve për të tejkaluar dhimbjet e së kaluarës ka gjetur hapësirë në një dramë gjyqësore. Mbi të gjitha, kam kuptuar se procesi i hapte rrugën një pyetje tjetër, mjaft të fortë: i kujt është Kafka?
Përktheu: Armin Tirana/bota.al
Lexo edhe:
LETRAT MË TË BUKURA TË DASHURISË: SI I SHKROI FRANZ KAFKA GAZETARES NGA PRAGA, MILENËS…