reklamë

Ismail Syla: Koha e fletëve

ismail syla

Nga Ismail Syla

Fleta 31

Kur flluskat e ujit përplasen në gotë pa rend të dukshëm

Disa ngjarje ndodhin pa rregull. Nuk janë simetri, nuk janë as ritëm por kaos i butë. Si flluskat që shpërthejnë në gotë, janë fare të papritura, pa rend, por asnjëherë të shëmtuara.

Të vëzhgosh ato lëvizje të vogla, pa domethënie të dukshme, është të pranosh që jo çdo e bukur duhet të jetë e kuptueshme. Disa çaste thjesht ndodhin dhe janë si të tilla. Dhe mjaftojnë.

Fleta 32

Pastrimi i syzeve rikthen një botë më të qartë

Syzet që pastrohen, me një lëvizje të lehtë, kthejnë ngjyrat, kthjelltësinë, detajet që ishin aty, që kishin humbur nga pluhuri i vogël i përditshmërisë. E bota, nuk është botë e re. Është e njëjta që ishte para teje, por tani, e sheh me qartësinë e saj.

Në këtë gjest të thjeshtë, ka një metaforë të qartë të kujdesit për vetëdijen: ndonjëherë nuk na mungon drita, por kujdesi për të parë saktë.

Fleta 33

Kur një gjë e harruar të bie ndër mend në vendin më të papritur

Je duke prerë bukën, apo je në ashensor. Dhe papritur – një emër, një detaj, një ndjesi që kishe harruar. Zbret në mendjen tënde, në kujtesë si shkëndijë pa paralajmërim. Nuk e ke thirrur, por ajo vjen.

Memoria e vërtetë nuk është e komandueshme. Është si një zog që ulet për një çast në dritaren tënde, dhe nëse nuk e vë re, fluturon pa gjurmë.

Fleta 34

Një fjali e thjeshtë të shpon si poezi

Ka fjali që nuk kërkojnë zbukurim. As metaforë. Vetëm një ton të qetë dhe një drejtësi që s’të lë të qetë. Lexon diçka si “Unë nuk erdha për t’u kthyer”, dhe papritur, në zemrën tënde hapet një dritare që nuk e dije se ekzistonte.

Jo çdo poezi është varg. Ndonjëherë, është vetëm një fjali që mbetet gjatë, që thotë më shumë se një libër.

Fleta 35

Kur sendet përplasen butë njëra me tjetrën në një çantë të mbushur

Diku në ecje, dëgjon një zë të lehtë, një përplasje të butë mes librave, stilolapsit, kutisë së syzeve. Nuk është rrëmujë. Është mishërimi i përditshmërisë, i të gjitha pjesëve që të përbëjnë – dhe që mbahen bashkë jo nga rregulli, por nga prania në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë.

Brenda një çante nuk është vetëm pesha jote fizike. Është ditari yt i heshtur, i përzier, por i gjallë.

Fleta 36

Çelësi që hyn gabimisht në bravë, edhe pse është i duhuri

Je i bindur se ky është çelësi i saktë. E ke përdorur qindra herë. Por sot, ai nuk hyn. Të thotë: “Jo kësaj here. Provo përsëri.” Nuk është gabim mekanik. Është refuzim i vogël i sistemit ndaj automatizmit të mendjes sate.

Brava kërkon prezencë, jo vetëm funksion. Dhe ndoshta, ndonjëherë, dera nuk hapet për të ndaluar hapjen e pavetëdijshme.

Fleta 37

Kur një shall rrotullohet vetë rreth qafës gjatë ecjes

Nuk e ke ndjerë. Je duke ecur dhe papritur kupton se shalli është vendosur më mirë se ti do të kishe mundur ta vendosje. Jo për efekt, as për ngrohtësi, por për faktin që ajo pëlhurë qëndroi me ty, më shumë sesa e përdore.

Ka rroba që nuk vishen. Të vishen. Dhe në atë ndjesi të thjeshtë, është një bashkëjetesë pa zë mes lëkurës dhe botës.

Fleta 38

Pika e ngjyrës që bie gabimisht në letër, por e bën më të bukur

Nuk ishte plan. Madje të shqetësoi. Por kur e shikon më gjatë, ajo pikë… s’duket më si gabim. Ajo është prekja që mungonte në një tekst që ishte shumë i pastër, shumë i kontrolluar.

Në jetë si në fletë: çrregullimi i rastësishëm mund të jetë gjuha më e sinqertë e natyrës.

Fleta 39

Kur mbyll sytë dhe sheh më qartë se me sy hapur

Nuk po flitet për ëndrra. Po flitet për momente të qarta imagjinative, ku kur mbyll sytë, gjithçka merr formë më të saktë. një rrugë, një fjalë, një fytyrë, një mendim.

Mbyllja e syve është akt besimi. Të shikosh brenda është të heqësh dorë nga pamja, për të gjetur thellësinë që nuk ndodhet në dritë, por në errësirë të butë.

Fleta 40

Sendi i vjetër jep tingullin e tij të harruar

Kap një kuti, një libër, një çelës të vjetër. Kur e lëviz zëri që lëshon është i mbuluar me pluhur kohe. Ky nuk është zë i tingullit fizik, por zë i kujtesës që fle në materie.

Sendet mbajnë historitë tona më mirë se ne. Dhe ndonjëherë, një kërcitje e vogël është si një kujtim që kërkon të merr frymë përsëri.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Koha e fletëve

Ismail Syla: Koha e fletëve

Ismail Syla: Koha e fletëve