(Nga një intervistë me Antonio Carrizo)
Antonio Carrizo: Tregona pak lidhur me zonjën Leonor, nënën tuaj.
Borges: Ajo pati jetuar nëntëdhjetë e nëntë vite. Kur mbushi nëntëdhjetë e pesë vite jetë, më pati thënë: “Nëntëdhjetë e nëntë vite, paskam marrë kot, më duket!”
Ndihej mirëfilli pak e turpëruar, që kish jetuar aq shumë, i dukej e panevojshme. Një motër e gjyshes time jetoi njëqind vite e dhjetë ditë; por e kishte humbur fare gjithsesi, nuk e dinte më kush ishte. Kurse nëna ime, gjer në pesëmbëdhjetë ditët e saj të fundit, ishte e vetëdijshme plotësisht, dhe tregonte interes për gjithçka.
Antonio Carrizo: Një herë pata dëgjuar nënën tuaj të lexonte një poezi tuajën në radio.
Borges: Pa dyshim që e pati lexuar përkryer. Do theksuar se gjithashtu e përmirësoi poezinë time, apo jo?
Antonio Carrizo: A u bindeshit vallë arsyetimeve të saj?
Borges: Epo, sigurisht. Ajo gjithmonë ishte bashkëpunëtorja ime. Dikur po i lexoja një tregim timin me titullin “La Intrusa”. Gjithçka varej thelbësisht nga një frazë e tregimit, ku vëllai i madh i thotë vëllait të vogël se ka vrarë një grua. Unë fare nuk dija si ta shtjelloja këtë frazë vendimtare.
Nëna ime ndërkohë po dëgjonte tregimin nga goja ime, me njëfarë pakënaqësie. “Ti gjithmonë me keqbërësit e thikat e faqezinjve të tu”, më pati thënë, paçka se qartësisht ishte futur në thelbin e tregimit tim. Unë i thashë ndërkaq: “Tani vjen çasti vendimtar… ky është thelbi i këtij tregimi.
Gjithçka varet nga fjalët që vëllai i madh i thotë vëllait të vogël, për t’i treguar se ai ka vrarë gruan që dashurojnë të dy”. Nëna ime m’u përgjigj: “Lërmë të mendohem!”
Pastaj, me një zë kumbues, shtoi: “E di unë se çfarë ka për të thënë vëllai i madh”. Sikur të kish qenë dëshmitare e mirëfilltë e kësaj ngjarje të trilluar, ajo më tha: “Mirë pra, shkruaj tani”. Unë iu përgjigja se më mirë ishte ta shkruante ajo vetë gjithçka. E shkroi, e ma lexoi me shpejtësi:
“Shkojmë të punojmë vëlla. Sot në mëngjes sidoqoftë e vrava”.
Ajo e pati gjetur frazën kyçe të tregimit. Në mungesë të kësaj fraze, të cilën botërisht ma lëvduan më tutje, krejt tregimi do të ishte shkalafitur. Ishte e tëra vepër e saj.
Më pas ajo më tha sërish: “Shpresoj të jetë hera e fundit që shkruan për tema të tilla”. Po pra, ngaqë ajo fare nuk i honepste, i dukeshin gjëra të pakuptimta.
Më thoshte se tërë faqezinjtë ishin të mefshtë, kurse unë çoku admiroja gjithmonë mashtruesit.
Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri
ObserverKult
Lexo edhe:
LASGUSH PORADECI: KUR TË MË JESH E ZEMËRUAR
Ti m’u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un’ ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m’u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj! shkretëtirë-e-zemrës s’ime! Dhe haj! e zeza jetë, haj!
Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n’ërgjënd e në flori,
O, vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt’ e mi.
Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije, ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t’ënd të llaftaruar m’a lerë mëndjen t’a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir’ e plot me gas.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult