Kush ishte shqiptari që regjistroi i pari Himnin Kombëtar?

Lindi në Korçë më 30 shtator 1876, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare, por regjistrimi më i rëndësishëm mbetet ai i Himnit Kombëtar.

Spiridon Ilo mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Në Nju-Jork, të Amerikës hapi një kafene të vogël, ku edhe themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro, transmeton ‘ATSH’.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë.

Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950.


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: HIMNI SHQIPTAR

Himni është këngë solemne, këngë e lavdit, vjershë që hartohet në frymë kombëtare, duke përfshirë përhershmëritë kombëtare në trajtë të dendur e simbolike.
Vetëm kur kjo i përmban këto esenca dhe njëherësh pranohet nga të gjithë si e tillë mbërrin nivelin e këngës simbolike e përfaqësuese të kombit.

Poetët provojnë të shkruajnë vjershën e këtillë, duke zbuluar secili konceptin e vet poetik të vjershës kombëtare. Në shqip vjersha të tilla kanë shkruar Asdreni, Fishta, Noli e Lasgushi, leximi i të cilave na jep mundësinë të hedhim dritë mbi mundësinë e krijimit të këngës okazionale e simbolike shqipe si dhe të hetojmë koncepcionin e tyre krijues…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU