Kushtrim Gashi: Nuk ka kontroll se kush është kompozitor, kush dirigjent- fatkeqësisht mundësia po u jepet pothuajse gjithkujt

Dirigjenti e kompozitori kosovar, Kushtrim Gashi, i cili studimet themelore universitare për muzikën i ka përfunduar në Kosovë, derisa studimet postdiplomike në Gjermani, ka treguar se përgjatë rrugëtimit të tij jo gjithherë e ka pasur “rrugën e shtruar me lule” por që pengesat i ka tejkaluar dhe e ka prezantuar vendin tonë por edhe Gjermaninë në mënyrën më të mirë të mundshme kudo nëpër botë.

Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult

Kur është vërejtur pasioni juaj për fushën e muzikës ose me saktë kur i hodhi Kushtrimi hapat e parë në muzikë?

Kushtrim Gashi: Përgjigjja e kësaj pyetje mund të tingëlloj diçka si e zakonshme, pra edhe unë hy në atë kategorinë e shumicës që thonë: diku rreth moshës 6-vjeçare kam filluar me hapat e parë të muzikës, gjegjësisht në piano. E kam trashëguar nga babai im!

Cilat ishin prezantimet e juaja të para, me çfarë rasti dhe na flisni për emocionet?

Kushtrim Gashi: Prezentimet e para kanë qenë në shkollën fillore, duke nisur nga Kori i shkollës, por edhe në instrumente! Pastaj kam vazhduar me prezantime në festa kombëtare, për të vazhduar edhe në ngjarje të ndryshme kulturore! Emocionet natyrisht që kanë qenë të mëdha, meqenëse masa e publikut e bënë të veten. Por dalja ime e hershme nëpër skena të ndryshme, më ka ndihmuar që t‘i kem emocionet nën kontroll, sidomos tani!

Ju studimet themelore për muzikë i keni përfunduar në Kosovë pastaj ato postdiplomike i keni vazhduar në Gjermani. Çfarë u ofroi Gjermania që s’do t’u jepte Kosova dhe çka do të përcillni në Kosovë ?

Kushtrim Gashi: Po, studimet i kam mbaruar në Kosovë, pastaj ato postdiplomike në Gjermani. Unë mendoj që çdo vend i ri të ofron diçka ndryshe. Natyrisht diçka që ti kërkon për më mirë! Fatkeqësisht, që prej kohës kur unë kam filluar me studime, e deri më tani Kosovës i mungon infrastruktura kulturore (ta quaj kështu).

Pra, qysh prej shkollës së mesme, fakulteti, e deri te Sallat Koncertale dhe pastaj mundësitë janë të pakta, meqenëse jemi edhe vend i vogël, ka pak mundësi për instrumentistët. Nuk ka ndonjë konkurrencë të shëndoshë e shumë e shumë probleme, që çdo njerin e bënë të mendoj të dalë jashtë shtetit! Por që as atje nuk është e lehtë të depërtohet!

Gjithsesi, unë mendoj që një i talentuar, secili që ka potencial e kushte duhet të dalë jashtë vendit, të shohë atë që ne mësojmë si teori nëpër libra!

Në cilësinë e kompozitorit, ju jeni fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Na flisni për rëndësinë e këtyre çmimeve?

Kushtrim Gashi: Edhe pse garat apo çmimet nuk janë domosdo pjesë e synimit tim, si shumica e të rinjve, në kohën e studimeve pata disa mundësi t’i provoja dhe isha fitues. Por jo gjithmonë, do të thotë se në këto lloj garash duhesh të përgatitesh të dalësh edhe humbës!

Falë përkushtimit, punës suaj të shkëlqyer keni prezantuar vendin tonë në shumë vende të botës së bashku me kolegët e juaj. Cili vend ju ka lënë përshtypje të veçanta . Pse?

Kushtrim Gashi: Kam pasur shumë koncerte nëpër shumë vende të botës, por unë do të veçoja përvojën që kisha në Korenë Jugore! Një vend i cili (nëse nuk gabohem) ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës; një popull që shumë pak dinte për Kosovën. Për mua ishte një ndjenjë e veçantë të isha atje e të paraqitesha si shqiptar i Kosovës!

Përveç si kompozitor, ju për disa vite keni ushtruar detyrën e Asistent – dirigjentit të Korit të Filarmonisë – Operës së Kosovës. Po ashtu jeni themelues dhe dirigjent i Orkestrës së të Rinjve të Kosovës, e cila është njëra prej orkestrave të para të llojit të tillë në Kosovë? Cili ka qenë qëllimi i krijimit të kësaj Orkestre dhe si është mirëpritur në vendin tonë?

Kushtrim Gashi: Siç e thashë më herët, shumë instrumentistë nuk e gjejnë veten në ndonjë Orkestër apo angazhim tjetër, prandaj e kam parë shumë si nevojë që të themelohet Orkestra e të rinjve të Kosovës! Kjo Orkestër u jep mundësi edhe shumë nxënësve të shkollave të mesme e deri te studentët.

Ndërsa si Asistent në Filarmoninë e Kosovës kam qenë për 4 vite me radhë!

Cilat kanë qenë vështirësitë me të cilat jeni ballafaquar gjatë rrugëtimit për të ardhur deri këtu ku jeni tash?

Kushtrim Gashi: Siç dihet, Arti është shumë i kushtueshëm, do të thotë vështirësitë kryesore janë çështje fatkeqësisht materiale, përkrahja institucionale, etj etj!

Por, për të arritur deri te qëllimi, duhet çdo sakrificë të kalohet! Tjetër vështirësi është ballafaqimi me konkurrencë, sidomos jashtë vendit është konkurencë shumë e madhe në mes të muzicientëve, por konkurenca duhet me qenë me meritokraci…

Sa kompozime keni bërë deri më tani, a ju kujtohet?

Kushtrim Gashi: Numrin e saktë të kompozimeve nuk e kam numëruar me thënë të drejtën, por mund të them se janë me dhjetëra..duke filluar nga Solo deri për formacion Orkestral!

Cila nga veprat muzikore ka qenë më e veçanta për ju deri më tash. Pse?

Kushtrim Gashi: Vepra ime më e veçantë është “Poema Simfonike“ për Solistë, Kor dhe Orkestër. Është vepër që i dedikohet Luftës së Kosovës!

Vit pas viti, sipas jush apo vërehet një afirmitet i publikut me muzikën klasike në Kosovë?

Kushtrim Gashi: Publiku në Kosovë është çdo herë në rritje dhe në ngritje të nivelit të dëgjojë muzikën klasike! Kjo është edhe meritë e prindërve që fëmijët po i dërgojnë në shkolla të muzikës…me një fjalë, vetëdijësimi është në rritje e sipër!

Si kompozitor si e shihni sot tregun muzikor Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut…. A jeni i kënaqur me atë çfarë ofron tregu?

Kushtrim Gashi: Po nëse më pyesni për shoubiz, është tipike një Ballkan Mix përzierje, por që shqiptarët janë me një sukses më përpara se të tjerët, sidoqoftë ka shumë kuantitet e më pak kualitet.

Fatkeqësisht, demokracia ‘e tepërt’ nuk është që sjell gjithmone vlera, e gjëra të mira… do të thotë edhe në sferën e muzikës klasike ka shumë hapësirë që i është dhënë gjithkujt. Prandaj nuk ka kontroll se kush është kompozitor, kush dirigjent, thjesht mundësia po u jepet edhe njerëzve jo adekuat!

A keni pasur ndonjë kompozitor, dirigjent model ?

Kushtrim Gashi: Kompozitorët të cilët janë shkollë për ne, i kemi edhe modele, si Bach, Mozart, Beethoven e deri te modernët! Ndërsa si dirigjent, një dhe i vetmi Herbert von Karajan.

Cilat janë angazhimet e juaja tani për tani. A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri?

Kushtrim Gashi: Angazhimet e mia janë të përditshme, me prova, koncerte, mësimdhënie e projekte! Tash pas pushimeve të verës, në shtator më presin shumë koncerte! Në tetor jam në Kosovë me një projekt shumë unik, me një program shumë të veçantë që ende nuk është shfaqur në Kosovë! Do e kuptoni kur ti vjen koha se për çka bëhet fjalë..!

Porosia e juaj për të rinjtë shqiptarë që duan të merren me muzikë?

Kushtrim Gashi: Porosia ime për të rinjtë është ‘Punë dhe disiplinë në punë’! Kjo sjell suksesin!/ObserverKult


Lexo edhe:

“PRISHTINA INTERNATIONAL VOCAL FESTIVAL” DËSHMON POTENCIALIN E TË RINJVE

Më shumë se 150 muzikantë janë bërë tok në interpretimin e perlave të muzikës operistike në hapjen e edicionit të dytë të festivalit të muzikës vokale, “Prishtina International Vocal Festival”. Të hënën mbrëma në Sallën e Kuqe, vëmendjen e mori “Orkestra e të Rinjve të Kosovës”, që për një orë e 20 minuta, bashkë me korin gjermano-amerikan “GACC” dhe atë të shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” të Pejës, sollën 14 arie operistike. Dirigjimi i kësaj nate i është besuar dirigjentes nga Los Angeles, Linda Horowitz, dhe kolegëve të saj nga Kosova, Edon Ramadani dhe Kushtrim Gashi.

Dirigjenti dhe kompozitori Rafet Rudi ka thënë se me shumë simpati po e përcjell punën e Orkestrës së të Rinjve të Kosovës.

“Nuk është e lehtë për të mbajtur orkestrën në disponim për një program të tillë dhe duhet përshëndetur këtë që po bën Kushtrim Gashi tash e disa vite. Madje, më çudit se si po mundet me i mbledh e me i mbajt në formacion. Shumë qartë, po të kishte pasur më tepër kohë, kjo do të kishte tingëlluar më mirë, por pavarësisht nga kjo është për çdo lëvdatë”, ka thënë ai. Për të fakti se ka instrumentistë të rinj të interesuar është një lajm i mirë pasi që siç ka thënë ai tradicionalisht vendit i kanë munguar instrumentistët.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

Observerkult