Labinot Kunushevci: Pse është kaq i rrezikshëm “Big Brother”?

Labinot Kunushevci

Nga: Labinot Kunushevci

Spektaklet “reality show”, të shndërruara në fenomen global, ku të vetëquajturit artistë mblidhen e mbyllen në një kafaz, ndërsa një audiencë e tërë e gllabëruar prej tyre e vëzhgojnë me kureshtje 24/7 në formate televizive, janë sinonim i vulgarizimit, i skenave makabre, arbitraritetit dhe kasaphanës kulturore estetike. Varfërojnë shpirtin e shoqërisë, sepse i shërbejnë marrëzira dhe lakuriqësi si standardë kulturorë.

Ky lloj cirku dhe akrobacioni eksperimentues sociologjik i drejtohet një turme njerëzish të indoktrinuar kulturalisht, jo një shoqërie të kulturuar moderne qytetare. Ata shndërrohen në sensacion popullor, pasi kjo turmë amatore që i ndjek, diskutojnë dhe komentojnë në shtëpi, në rrugë e në kafene, për çdo detaj të dramës dhe të konkurrencës së tyre rraskapitëse, që kjo turmë nuk di t’i dallojë kur janë inskenim e kur janë reale. Produksionet e tilla janë mjeshtëria më e madhe e manipulimit medial.

Turma mendon se i njeh këto personazhe përmes roleve, historive personale, rrëfimeve, fantazive, vlerave e ngjarjeve, që zhvillohen e tregohen brenda, duke krijuar iluzione nën ndikimin e kamerave, skenarëve artificialë dhe reklamës.

Njohim dy tipa shoqërish: shoqëri me kulturë dhe shoqëri e turmave.

E para është shoqëri elitare, qytetare, reale, e sofistikuar, e përgatitur, e përgjegjshme, kompakte, rezistuese, dinamike, që i trajton vlerat me standarde dhe me kritere të mprehta kulturore.

E dyta është shoqëri artificiale, instiktive, e brishtë, që qorrazi ndjek tufën, që konsumon çdo lloj produkti që i ofrohet, që mishërohet me vulgarizimin, banalitetin, paturpësinë dhe injorancën si normalitet antropologjik dhe këto bëhen shpejt kulturë masive, që ngacmon instiktin dhe perversitetin e njeriut si prirje për të parë intimitetin e tjetrit, që ushqen urrejtjen e njëri-tjetrit, kështu për të krijuar spektaklin e viktimës, të fajit, të lotit, të dhimbjes e të thyerjes.

Na falni, ne nuk po censurojmë produksionin e tyre.

Ata po censurojnë kulturën; po rrezikojnë qytetërimin; po përmbytin vlerat; po dehumanizojnë shoqërinë; po zhveshin identitetin.

Se protagonistët tregojnë nivel të ulët të etikës dhe të gjuhës së komunikimit, nivel të ulët të kulturës intelektuale, nivel të ulët të njohurive themelore, nivel të ulët të aftësive gjykuese, analizuese e krahasuese, kjo vërtetohet me një test të inteligjencës. Dhe kështu synohet të shpërqendrohet vëmendja publike mbi problemet dhe skandalet që po përhapen në metastazë dhe po shkaktojnë mjerim të vërtetë social, ekonomik e politik të shoqërisë.

Perversitetin në sjellje, në komunikim, në veshje, në dukje, në role, në stile, në lojëra, në garë dhe në konkurrencë, në rivalitete dhe në armiqësi, si normalitet i mënyrës së jetesës, e ofrojnë vetëm ato media, me patronazhistët në ekrane, në luftën e tyre për mbijetesë. Mbijetesa e tyre kulturore është e intubuar dhe në oksigjeno-terapi, sepse kanë favorizuar një tekno-kulturë, që u shërben turmave, pushtetit dhe “show-biz”-it, që ofron spektakël sensacional argëtues dhe jo mesazh artistik. Si kasapët që rrjepin lëkura të kafshëve, ata rrjepin vlera të artit.

Një rrugaçëri e neveritshme, e manifestuar në formë garuese spektakulare, për shijen dhe vlerësimin e bastarduar të publikut të verbuar ndjekës.

Nga këto produksione shohim modelet e tyre të jetës personale, rrëfime për arritjen e sukseseve dhe kuptojmë se sa egoistë, racistë, snobistë dhe injorantë që janë, kuptojmë shumë gënjeshtra dhe hipokrizi, që tregojnë në raport me të tjerët, e deri te fenomenet që duken komike, por në të vërtetë janë tragjike. Dhe ç’ është më e keqja, ata shndërrohen në një farë që mbin e shumëzon idiotësitë e tyre.

Emisionet e tyre janë një shiringë laboratorike, për fekondimin artificial në epruvetë, me materiale të huaja dhurues gjenetike, që publikut – çiftit – ua shpërlajnë trurin se është embrion kulturor i tyre.

*Titulli i origjinalit: ““Big Brother“, një kasaphane kulturore estetike”

(Shkëputur nga libri ”Pasionet e idiotëve” i autorit Labinot Kunushevci)

ObserverKult


Lexo edhe:

”PASIONET E IDIOTËVE”, i Labinot Kunushevcit. LIBRI QË ZBULON SKELETIN E PASIONIT, I KAMUFLUAR NËN KOLLARET E MËNDAFSHTA

Labinot Kunushevci: PSE NË UNIVERSITET KA PROFESORË PERVERSË, SHARLATANË, IDIOTË?