Lawrence Ferlinghetti: Ai nuk e kupton ndjenjën e mëkatit…

Nga Lawrence Ferlinghetti

Futem në wc për meshkuj në stacionin e autobusave në Springfilld
derisa kthehesha për në qarkun Muhlenburg
dhe e pashë këtë hajvan në pasqyrë
Kush e ka lejuar këtë halabak. Kush e ka lejuar këtë faqezi?
Ky është ai tipi që shkruan TË DUA në muret e tualetit dhe dëshiron
të përqafojë secilin që sheh në holl Ai e shkruan numrin e telefonit
të tij në zemrën e vizatuar në mur Ai është njëfarë lloj çorodi
Zotëri Erosi Dashnor i Madh
Ai dëshiron të vrapojë në sallën e pritjes dhe t’i puth të gjithë ata që
gjenden aty dhe t’u thotë Pse nuk jemi ne miq dhe dashnorë
A mund të vij me ty në shtëpi Ke ndonjë gjë për të pirë a për të
tymosur A bëhemi bashkë unë e ti Tash është koha ose së shpejti
Ai dëshiron t’i çojë në shtëpinë e vet të gjithë qentë endacakë dhe macet
dhe njerëzit dhe t’i detyrojë bëjnë dashuri gjatë gjithë kohës kudo
qofshin
Ai dëshiron t’i hedhë poezitë nga aeroplani nëpër peizazhe
Ai është njëfarë poetuci i duket vetja se është Dylan Thomas
ose Bob Dylan të mishëruar në të bashkë me Charlie Chaplinin
Ai nga lëvizja e buzëve dëshiron t’i kuptojë fjalët dhe ndjenjat dhe dëshirimet
e të gjithëve Ai është hajvan i rrezikshëm Ai duhet të jetë i çmendur
Ai nuk e kupton ndjenjën e mëkatit
Ai dëshiron t’i ngrohë të gjithë çehrevdekurit çehrengrysurit në stacione
autobusash dhe aeroporte Ai dëshiron t’u ngrohë shtretërit e tyre
Ai dëshiron t’ua hap trupat dhe kokat e tyre
Ai është njëfarë budallai që nuk zë vend Ai nuk dëshiron të jetë vetëm
Ai mund të ketë prirje seksuale ndaj meshkujve
Ai është asi tipi që u drejtohet të gjithëve në autobusa dhe i bën të qeshin
dhe të kthejnë kokën anash dhe prapë ta shikojnë
Ai dëshiron që të gjithë t’ia krisin gazit e të ofshajnë e të shkrehen në
vaj dhe të këndojnë e kërcejnë dhe të puthin njëri-tjetrin duke
përfshirë edhe damat plaka dhe policët
Ai duhet të jetë i marrë Ai është goxha i kënaqur që është gjallë Ai përnjëmend
është i çuditshëm Ai angazhohet me pasion për njerëzimin ngandonjëherë
Ai dëshiron të t’i puth gjinjtë Ai dëshiron të shullehet mes tyre duke kënduar
me zë të ulët
Ai dëshiron që të gjithë të shtrihen bashkë dhe të rrokullisen duke rënkuar dhe
kënduar e duke pasur vizione dhe duke përjetuar orgazme Ai dëshiron të
ejakulojë në ty Ai dëshiron që ti të përjetosh orgazëm me të ai dëshiron që
të gjithë së bashku të përjetojmë orgazëm Një botë e afshët Një tiktak zemre
Ai dëshiron ai dëshiron që të gjithë së bashku të shtrihemi në Parajsë në Kopshtin
e Dashurisë në Kopshtin e Kënaqësisë dhe të çiftëzohemi si një tren si një
reaksion i zinxhirtë si një letër-e-zinxhirtë-dashurie rreth botës në netët e
nxehta
Ai dëshiron ai dëshiron ai dëshiron! Ai duhet të jetë i krisur Lajmërojini policët
Le ta marrin!

*Titulli i origjinalit: “Dashuria e hajvanit”

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

LAWRENCE FERLINGHETTI: EKSTAZA

LAWRENCE FERLINGHETTI: JETA NË EGËRSI, HERËT NË MËNGJES