Me poezi e muzikë u shënua Dita Botërore e Librit në Prishtinë (video)

Dje u shënua Dita Botërore e Librit, një datë me kuptim simbolik për letërsinë. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shakespearit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.

Kjo datë lidhet edhe me ditëlindjet apo ditë-vdekjet e disa autorëve të tjerë si: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo. 23 prilli është shpallur si Ditë Botërore e Librit që nga 15 nëntori i vitit 1995 nga Asambleja e përgjithshme e UNESCO.

Dita botërore e librit dhe të drejtës autoriale u shënua edhe në Prishtinë.

Organizuar nga Etea, në Bibliotekën Kombëtare mbrëmë u mbajt një manifestim kulturor i cili nisi me një diskutim për të drejtën e autorit.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe drejtori i zyrës ligjore, Valon Kashtanjeva treguan se si është e rregulluar nga ana legjislative e drejta e autorit në Kosovë, dhe si funksionon Biblioteka Kombëtare në raport me të drejtën e autorit në formatin kulturor lëndor.

Më tej ky aktivitet vazhdoi me tingujt e pianos ekzekutuar nga Shkurte Gashi të cilët e hapën “Mbrëmjen e poetikës dhe letërsisë”, për të vazhduar me poetët: Florent Kurtalani, Agon Rexhepi, Donika Dabishevci,  Emin Z. Emini, Elona Çuliq, Shpëtim Selmani , Ndue Ukaj dhe Ulpiana Maloku të cilët lexuan poezi të tyre.

Fatjona Matoshi,  vokal dhe Andi Sadiku me kitarë, në skenën e “Mbrëmjes së poetikës dhe letërsisë” rikthyen muzikën e pasur shqipe, ndërsa Entela Qarkagjija dhe @Liridina Kukaj performuan me violë.

Për më shumë ndiqeni videon në vazhdim: