Viktor Hygo: Vajtim për bijën

(Les Contemplations, Libër i Katërtë, xv)

Tani që shkova nga Parisi i vështirë
Mermer, tavane, truall, mjegull nukë shoh,
Tani jam nënë lisa, nënë deg’ i shtrirë,
Dhe bukuri’ e qjellit mëndjen po m’a ngroh.
Tani nga zia që më çthuri si gërmadhë
I zbet’ i gjallë dal,
Më hyn në zëmër paqja e natyrës madhe
Dhe qetësi më fal.

Tani me valat det’ i gjerë më gostit,
Më prek i qeti, madhështori horizont;
Tani të thellat të vërteta po nxonit,
Dhe lulet e lëndinës syri m’i gëzon.

Tani, o Perëndi, po gjenj fuqinë sterrë
Të shoh me syt’ e zes
Të shkretin gur nënë të cilin vajz’ e mjerë
Fle gjumin pa mëngjes.

Nga pamjet perëndore mëndja m’u –ndriçua,
Nga fushat, pyjet, brigjet, lumi i kulluar,
Shoh vogëlinë time dhe çudit’ e tua,
Mbleth mëndjen, di që je ti i math i pambaruar.

Ja ku të vinj, o Atë që besonj, o Zot,
Të sjell përunjësisht
Zëmrën që m’a ke mbushur me lavdi, dhe sot
M’a theve plotërisht.

Ja ku të vinj, o Zot, dhe prokllamonj që je
I mir’ i ëmbl’ i dhëmpshur, Perëndi i Jetës,
I vetëm që di se ç’bën edhe përse.
Njeriu është kallm i shëmbur i kënetës.

Të thom që varri, kur të vdekurin mbulon,
Portën e qjellit hap,
Që jeta jonë tatëpjetë kur mbaron
Përpjetë nis me vrap.

Je i pasosur, absollut, dhe i vërtetë
T’i vetëm, At i lartë e pranonj mi gju;
Pranonj që ësht’ e mirë, ësht’ e drejtë
Që zëmra m’u –përgjak, se Zoti e deshi ashtu.

Më s’kundërshtonj për asnjë gjë që po më ther,
Se ashtu deshe Ti;
Shpirti nga zi në zi, edhe nga vrer në vrer
Shkon në përjetësi.

S’po shohim kurr’ asgjë përveçse nga një anë,
Tjatr’ anë mbytet në mister e në furtunë;
Njeriu vuan nënë zgjedh’ e s’e di shkaknë,
Çdo gjë i fluturon, asgjë s’i hyn në punë.

O Zot, përherë na rethon me shkretëtinë
Me pranga dhe me fre;
S’ke dashur kurrë të na japësh shigurinë
Dhe gazin përmi dhe.

Sa shohim një të mirë, fati na e tret,
S’na dhe asgjë në jetën rot’ edhe rodhan
Që të qëndronjë dhe të thomi, mor aman:
Kam një shtëpi, një arë, dhe një dashuri.

Çdo gjë e shohim për një çast të kufizuar
Dhe mplakemi pa shtek;
Kështu na qënka, ashtu ka për të vazhduar.
Pranonj edhe s’e prek.

Kjo botë, o Zot, kjo harmoni e pandryshuar
Përbëhet me vajtime edhe me kremtime;
Bërthama jemi në tufan të pambaruar,
Të mirët hipin, dhe të liqtë zhyten në mundime.

E di, o Zot, ke punë shumë, dhe s’ke nge
Për ne të bëhesh vrer;
Për nënën vdekj’ e foshnjës djek si një rufe,
Po ty s’të bën qeder.

E di që pema bie kur i fryn një erë,
Zogut i bie pënda, lulja shkunt aromën;
Kriesa është rot’ e madhe si poterë,
Dhe sillet rotull dyke shtypur udhës llomën.

Se ditët, muajt, valet, sytë që vajtojnë
Kalojnë pa pushim,
Se bari do të mbinj, foshnjat do të shkojnë,
E di, o Zoti im.

Në qjellin tënt përsipër reve të vështira,
Në kaltësirën e patundur madhështore
Po mbrun e po gatit kush e di ç’mirësira
Ku hyn si pjes’ e duhur dhëmbja njerëzore.

Për pllanet e panumërta që po përmban
Të duhet pa dyshim
Të mbytësh bukurit’ e dheut në tufan,
Në zi, dhe në mjerim.

Kanunet që hartojnë fatin njerëzor
Nukë tronditen, nukë zbuten asnjë herë,
Se s’munt, o Zot, t’a çthurësh rendin botëror
I shtyrë nga mëshira për njerin’ e mjerë.

O Zot i math, të lutem, hith një sy mi mua,
Shëroj-e shpirtin tim;
I ëmbël, i përunjur posi foshnj’ e grua
Të vinj me adhurim.

Kujto, o Zot, që kam punuar që në krye,
Që jam përpjekur, jam mejtuar, kam lëftuar,
Natyrën kam shpjeguar plot me arësye,
Çdo gjë me kthjellësinë tënde e kam ndriçuar.

Detyrën time e mbarova besërisht
Përballa zëmërim,
Pra nukë prisnja me të drejt’ e natyrisht
Nga ty këtë çpërblim.
 
Nuk e parëshikonja kurrë që dhe ti
Me krahun tënt të më goditnje munt mi kokë
Dhe mua që kam patur rallë prokopi
Të m’a varrosnje bijën kaq shpejt në tokë.

Me zëmrën të plagosur kaq rënd’u –drodha.
Të nëma me furi
Si foshnjë, edhe kundër teje nofta hodha
Një gur në det të zi.

Kujto, o Zot, njeriu po dyshon kur vuan,
Se syri që po qan verbohet n’errësirë,
Se në bodrum ku është nukë çpuan
S’të sheh, e s’të përfill, e s’të kërkon mëshirë.

Njeriu që fundoset thellë në greminë
Në pis’ e në katran,
Nuk ësht’ e mundur të gëzonjë qetësinë
Të yjeve në mejdan.

Sot unë, që si nënë isha i dobësuar,
Në këmbë të përunjem nënë qjell të lirë,
Nga hidhërim’ i egër ndjenj që jam ndriçuar
Dyke shikuar gjithësinë ca më mirë.

O Zot, e di që jam i çmëndur pa kufi
Kur murmurit e shanj;
Pra hesht, e s’mallkonj, e s’akuzonj, po nem liri
Të çirem e të qanj.

Më ler me kuj’ e lot, me vaj e vrer të ngrysem
Posa njerin’ e bëre për litar dhe hu;
Mi këtë gur të ftohtë ler-më të përmbysem
Dhe të pyes: Moj bijë, a e di që jam këtu?

Më ler t’i unjem mbrëmane mi varr t’i flas
Kur bota rreth pushon,
Se nofta ëngjëlli në qjell, kur të bërtas,
Çel syt’ e më dëgjon.

Ajme, për kohën e kaluar kam zili;
Tani asgjë në botë ngushëllim s’më sjell;
Përherë atë çast me sy e shoh tani
Kur hapi krahët edhe fluturonj në qjell.

Nuk e harronj gjer sat ë vdes çastin e zi;
Ç’të qava, o çast, më kot!
Bërtita: o Zot, qëparthi e kisha, dhe tani
S’e kam! dhe qanj me lot .

Zot, mos u –zëmëro që sillem si i egër;
Kjo plagë pikon gjak, dhe s’ka asnjë shërim;
Sa vete helmi ashpërohet ca më tepër;
Jam i përunjur, po s’kam më aspak durim.

Zot, mos u –zëmëro, faqen m’a dhe për hall,
Syrin m’a dhe për lot.
Po forcë dhe takat s’më dhe që t’i përballë
Zullumet bot e bot.

Shiko, fëmijët po na duhen pa dyshim,
O Zot; se fati na përmbyti n’errësirë,
Na thuri me andralla, helm e hidhërim,
Po një mëngjes na zbarth me hir edhe mëshirë.

Një foshnjë lint, një kok’ e dashur dhe e shtrenjtë,
E vogël, gas përhap,
E bukur sa beson që dor’ e saj e shenjtë,
Portën e qjellit hap.

E pashë lulen që Imzot në kopsht më mbolli,
U –rrit me hir, me ëmbëlsi, dhe kthjellësi,
E dashura nga nata në mëngjes na solli,
Na ndriti si një diell zëmër dhe shtëpi.

Vazhdoj me vjete si i vetëmi gëzim
Që munda t’ëndërronj;
Tani, o Zot i math, kupton se ç’hidhërim
Po ndjenj që s’e shikonj.

E përktheu: Fan S. Noli
(DIELLI, Maj 31, 1961)

Përgatiti: ObserverKult

LEXO EDHE: VIKTOR HYGO: AJO U RRËZUA PA NDJENJA MBI KALLDRËM…