Nuk më mungon më si më parë Nuk qaj kohë e pa kohë… Nuk më mbushen sytë me të zënë në gojë emrin tënd As kalendarin e mosardhjeve s’ta mbaj. Jam pak i lodhur… Pak i thyer… Më ndoti një grimëz mungesa jote! S’u mësova dot si mund të bëhem mirë, Vetëm i arnova ca “mirë jam”-a në majë gjuhe.
Jam i shqetësuar se po të harroj, Frikësohem kur e shtrydh mijëra herë kujtesën Dhe prapë fytyra jote s’më bie ndërmend.
Tanimë nuk të pres. Madje s’dua të vish. As që dua t’ia di se si je.
Hera-herës më kujtohesh. Aq më bën, them. Sikur s’më mjaftojnë brengat e mia. Aq më bën! Mbase po mësohem me mungesën tënde? Mos ndoshta po heq dorë përfundimisht prej teje? Jam i shqetësuar në të vërtetë.
Po nëse dashuroj një tjetër? Besomë, atëherë s’kam për të ta falur në jetë të jetëve.