Odise Plaku: Kush ma gjen një fjalë mirësie?


Poezi nga Odise Plaku

Kush ma gjen një fjalë mirësie?
Jo të madhe.
Jo të rëndë.
Veç një fjalë…
që të ndriçojë si një rreze,
në një dhomë pa dritë.
Të ma fshijë heshtjen,
që më kafshon kraharorin.
Të më thotë:
“Mos u frikëso,
nata nuk është fundi.
Është veç… gjumë.
Një sy i mbyllur që pret agimin të vijë.”
Një fjalë…
si dorë që nuk prek plagën,
por dhimbjen ia fashit.
Qetë.
Butë.
Si gjethja në vallëzim të erës.
Si heshtja mbi lotin që nuk lind.
A ka ende mirësi?
Jo në libra.
Jo në tituj.
Por… në njerëz.
Në dikë që të sheh,
pa të pyetur,
dhe të jep… një fjalë.
Të vetmen që i ka mbetur.
Të fundit që ka.
Të parajsës.
Një fjalë që nuk blihet.
As nuk kërkohet.
Veç… vjen.
E papritur.
Si shiu kur harron të lajmërojë.
Kush ma gjen një fjalë mirësie?
Të ma vërë te supi,
si një dorë që thotë:
“Jam ende këtu. Jam.”
Do ta mbaj.
Do ta ruaj.
Si një premtim… për dikë tjetër.
Që nesër,
kur t’ma kërkojnë mua,
të jem unë…
ai që ia gjen
fjalën e mirësisë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ODISE PLAKU: POEZI E PAMBARUAR ËSHTË DASHURIA PËR TY…