Isha i ri, gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe gjaknxehtë. Dikur. Me gjasë ishin vitet e guximit dhe papërvojës së madhe. Në krahë kishim shumë shokë dhe për këtë guximi nuk na mungonte gati asnjëherë. Gjoksshkëmb e mendjeshpatë. Kokrra-kokrra na bëhej mishi kur dilnim rrugëve tok të gjithë bashkë dhe kërkonim belanë. Kur nuk e gjenim, belaja ishte duhani. Parapëlqeja të vishja rroba të zeza dhe pantollona të gjerë, në verë bluza të ngushta që të dalloheshin muskujt, ndërsa në dimër këmisha të dallohej se isha sadopak xhentil. Rinia ishte e atillë, brezlëshuar, e brymosur në kokën e rrugëve dhe aspak ballëfshehur. Ndoshta, vetëm ajo që ne i thonim rini. Kishte tri kafene që frekuentoheshin: Kafeneja e Kafesë së Mirë, Kafeneja e Femrave të Mira dhe Kafeneja e Budallenjve.
Kafeneja e Kafesë së Mirë ishte me kunj druri nga jashtë, në vendhyrje kishte një derë të çuditshme me rruaza ngjyrëverdhë dhe një thënie nga pop-tekstet amerikane. Nëse ishe i papërvojë a shpirtmirë, nuk duhej të ishe pjesë e atij vendi. Kishim një shoqe të tillë. Quhej Sajesa. Sajesa ishte vajzë e mirë, parapëlqente të vishte bluza bojëvjollë të gjata dhe nuk kishte cytje për të bërë keq. Personaliteti i saj vihej mbi dy baza, mëso shumë dhe bëhu e veçantë ose mëso shumë dhe përshtatu. Rrugë tjetër nuk shihte për të mbijetuar kohën e ashtuquajtur të zhvillimit që gëlltiste çdo njeri pa mëshirë ta zhvillonte siç donte vetë. Ah po, përmenda cytjet, cytje nga shejtani ishin gjithmonë. Kësisoji, asokohe manipulonte të këqijat brezi ynë. “Të yshtur nga shejtani, të ngopur nga padrejtësia” – thonin. Në kafene ishin dy kamarierë dhe një shankist. Shankisti ishte totalisht një idiot, i paditur aktiv dhe sportdashës. Më vonë thonë se është bërë shkrimtar në një klub të qytetit. Neve na mbyste çdo ndjenjë rinore me futbollin e tij. E donte shumë Milanon, ne nuk donim të shihnim fare as klubin e qytetit e lëre më Milanon. Ndërsa dy kamerierët e tjerë që përmenda, ishin vëllëzërit. I quanin vëllëzërit Kaçurrelsa. Të dy ishin tullacë, meqë ra fjala për kaçurrelet. Birrarinë s’e kam parapëlqyer asnjëherë. Ata pinin shumë. Ndërsa unë, thënë të drejtën, asnjëherë në jetë nuk kam pirë. Jam dehur, por nuk kam pirë. Ndërsa duhani, më pëlqen tej mase. Desha të them është sikurse poezia, të pëlqen të shkruash, por nuk je poet. Sajesa nuk e pinte po ashtu. Kafeneja e Kafesë së Mirë kishte brenda kafe të mira me qumësht, të rinj buzëqumësht qe nuk donin t’ia dinin për shkollë, rebelë të qytetit që shisnin qumësht dhe ishte afër një qumështoreje.
Kafeneja e Femrave të Mira ishte përballë shkollës. Në të pra, frekuentonin pëllumbeshat e kohës, pra të ‘pëllumbesha të çfarëdollojta’ kishte brenda e çfarëdo qoftë hynte aty. Ç’helm kishte brenda, tregonin shokët që rrinin në të. Por, për ta besuar këtë vendosa të kaloja pragun e saj. Pra, aty shahej sistemi i udhëheqësisë, shkollat dhe vlonte krimi ndërsa brenda rrinin edhe policë, mësimdhënës dhe përplot besimtarë. Kafeneja e Femrave të Mira ishte në pronësi nga një burrë që përkujdesej për mallin që fuste brenda dhe njerëzit. Çdokush mund të dilte disi, por jo çdokush mund të hynte. Aty nuk zhvilloheshin për dashuritë e Aragonit për Elsën as Kafkës për Milenen. Aty Aragoni dhe Kafka ishin shitës, ndërsa Elsa dhe Milena marrës. Po, kishte karrige të bukura dhe një kamarier të pashëm.
Kafeneja e Budallenjve ishte përballë Kafenesë së Femrave të Mira. Aty rrinim disa prej nesh. Nuk futnim hundët askund, herë-herë dilnim për të shëtitur aty-këtu ndonjë vend të mirë dhe ktheheshim në kafene. Brenda kishte ngatërrestar, pishtarë të diturisë, letrarë pak, të ngathët, të mprehtë nga mendja, të zbrazur nga trutë por të fryrë në gjokse, zotërinj e të zjarrtë për jetë. Ah po se desh harrova, të gjithë ishim budallenj. Përse ishim budallenj? Ëmbëlsia e të qenit të rinj te ne qëndronte në atë që quhej libër, pra një tërësi unitare me ose pa ilustrime, me fleta përbrenda, shkronja e numra, pra libër, besoj keni parë ndonjëherë një të tillë. Ëndja për këtë ëmbëlsi na shtynte të rrinim në Kafenenë e Budallenjve dhe jo në dy kafenetë e tjera. Këdo që pyesje thonin po këtë, dhe nën mëngë fshihej vetëm kjo e vërtetë. Kokulur nga kjo e vërtetë nuk ishim, them më shumë të shumanshëm e të kthjellët nga trutë për ta pranuar, por të zbrazët nga guximi për t’u përballur me të. Erë të mprehtë e quanin zhvillimin e hovshëm të shoqërisë, ë, desha të them devijimin e shoqërisë, pra të shokëve tanë. Sajesa e Sajimi po të njëjtin mendim e kishin. Pra, të dytë, meqë po devijonin, thonin se era e mprehtë na ka goditur ne dhe nuk i goditi Ata të Kafenesë së Budallenjve. Sajimi, meqë ra fjala, ishte shok yni, që pat shkelur në dërrasë të kalbur e keqësoi gjendjen e tij pasi mori rrugë për te kafenetë e tjera.
Ne ishim të përpiktë, të përbotshëm, pjesësisht të ndjeshëm e pjesësisht të ashpër, natyrshëm jetonim, bollëk nuk kishim, hamallëk paksa, shmangnim grindjet e mëdha dhe gërryenim brenda veten një shpirt për të cilin mund të ishim krenarë nesër. Me ne, libraritë qëndronin bosh, pa ne nuk ndihej mungesa jonë. Pa djallëzi, dobësi shumë, por nuk i shfaqnim, ligësi pak, por nuk bënim dhe të ishe pjesë jona nënkuptonte: të dalësh nga injoranca, ta hapësh trurin, të marrësh më të mirën nga jeta reale, të mbledhësh mirësitë, të ndezësh zjarret e përbrendshme të dashurisë dhe ta zhdukësh të keqen. Por, për të gjithë, Kafeneja e Budallenjve ishte për budallenj… Kësisoji, edhe sot mbeti e atillë.
Më duket kam filluar të harroj shumë. A ju tregova se Sajesa dhe Sajimi vdiqën?/ ObserverKult