Petro Marko: Tani fli o Gori, se nesër kemi “dasmë”

-Gori, unë po fle pakëz!
-Po për ku vemi, Asim?
-Nesër ta them…tani fli o Gori, se nesër kemi ,,dasmë’’. Do martojmë fashistët…flij…Gori…fli: Buenas noches).
Gori u mbështoll me kapotë, por syri nuk i mbyllej.
Çudi! Asimi nuk e pyeti fare për Sanijen! Ta dinte Sanija që në këtë natë Asimi është bashkë me Gorin!
Ajo e dashuroi shumë Asimin pa ia njohur mirë shpirtin. Po, po t’ia njihte, do ta dashuronte edhe më shumë.

Gori sillte ndër mënd kohën kur bashkë me Asimin mblidheshin në një dhomë të një rrugice-qorre të Rrugës së Postës në Tiranë, aty ku u botua një revistë revulucionare. Përtej murit, banonte Sanija, një vajzë e mbyllur.

Ajo shikonte Asimin që hynte e dilte dhe e dashuroi. E si të mos e dashuronte Asimin? Sy-zi e vetull-zi, flok-zi, me dhëmbë të bardhë dhe me fjalë të ëmbël si tërë ëmbëlsia e fytyrës së tij, e cila shprehte po atë besim, guxim e njerëzi që shprehin tërë fytyrat e revulucionarëve të përvojtur. Gori e njihte mirë Asimin. Ishte shumë i mbyllur. Nuk para fliste. Çelte gojën rrallë si malësorët tanë. Sanija e shkretë pak herë foli me Asimin.
Ajo i kish thënë kur ky po nisej për një udhëtim të largët: “…Do të kthehesh?” ,,Në mos u kthefsha shpejt, ti Sanije mos më harro!”- i kish thënë Asimi.

Dhe ajo kish qarë. Kish qarë natë e ditë kur mori vesh se Asimi pas kish shkuar në Spanjë. E pse? Për të luftuar. Po ku ishte, ku binte kjo Spanjë e shkretë që të shkonte edhe Sanija! Oh, ishte shumë larg – tej maleve dhe deteve. Po si do të bënte tani Sanija? Familja e kish marr vesh. I ati jorganxhi, ishte shumë fanatik, ndaj e kish fejuar në një fshat pranë Tiranës. ,,Unë do të pres Asimin!”, i kish thënë një ditë Gorit, me të cilin takohej fshehurazi tek një rrobaqepëse me ide përparimtare.

,,Prit Asimin!” i kish thënë edhe Gori. Mirëpo babai e shtërngonte të martohej në fshat me një mik të tij. Gorit i vinin varg e varg mendimet e ngatërruara. Atje në Tiranë, në Tiranën e dashur, Gori la shokët e tij, la Sanijen e Asimit shumë të pikëlluar. Po pa tjetër Asimit do t’ja thoshte se Sanija ishte njohur me shoqet e grupit, të cilat pa tjetër do të shpëtonin. Edhe Gori kishte shumë dëshirë të kishte lënë një të dashur në Tiranë, po s’la gjë. Ka qenë shumë i varfër dhe i turpshëm. Sa turp kishte kur fliste me ndonjë vajzë! Aq sa shokët i thoshnin:,,Dervish! Babadervish! Mos kij frikë nga vajzat! Ato s’të hanë!” Kur u nis nga Parisi, nga Hotel Belvillë, e kish puthur vajza simpatike e hotelxhiut! Sa ish tronditur!

E kish puthur ditën e nisjes duke i thënë : ,,Fitoni luftën për ne të rejat!”. E kish puthur mësonjësja plakë e një shkolle në Karkasonë, kur grupi i Gorit nisej për në Spanjë! E kish puthur mësonjësja që e  shoqëronte me fëmijët e vegjël duke i  thënë::,,Fitoni luftën për këta fëmijë, që të rrojnë të qetë e të lumtur!: E kish puthur fshatarja e pashme e Pireneve që e përcillte duke i dhënë verë për të pirë dhe duke i thënë :,,Fitoni luftën për ne fshatarët, të rrojmë të qetë e të lumtur në punën tonë” E kishin puthur vajzat e Barcelonës –siç bënim  me vullnetarët – kur pritën me lule grupin e Gorit duke i thënë:

,,Fitoni luftën për Spanjën, për vëndin tuaj, për dashurinë tonë!” Sa i gufonte zëmra! Ja! Ishte në trenin që mbarte lulen e proletariatit të madh Italian, garibaldinët trima. Dhe pranë tij gërhiste lehtë Asimi. Asim Vokshi, biri i dalluar i malësisë, i Gjakovës, ushtar i vogël i Bajram Currit, se kur ishte Asimi i vogël në shkollën fillore të Kolgecajt, kishte marrë pjesë me malsorët kundër shtypjes.

Mendonte e mendonte Gori e s’i besohej që ai, vetë Gori Gjinleka, t’ishte i armatosur me armë në dorë për të luftuar armikun e paqes, armikun e njerëzisë-fashizmin.

*Fragment i shkëputur nga romanni ‘Hasta La Vista ‘ i autorit Petro Marko

Përgatiti: ObserverKult

LEXO EDHE: PETRO MARKO: VAJZA E VALAVE