Pse gjithë dashuritë që fala po më kthehen në mallkim

Foto ilustrim

Nga: Dhimitra Neofytou

Në ç’det je duke lundruar,
vallë, në cilin gji të fshehtë,
për ku ikën, nga ke shkuar,
me atë mendim të beftë.

Mos më torturo, ma thuaj,
jam fajtore, e pranoj,
do zbuloj plagët që ruaj,
që të tuat të mbuloj.

Të kujtoj mbrëmje për mbrëmje,
natë për natë të dashuroj,
fle dhe ty të kam në mendje,
zgjohem dhe për ty mendoj.

Përqafim tjetër nuk dua,
ledhatim tjetër në botë,
sa veniten sytë e tua,
nuk pi ujë por thithi lotë.

Shtrat le të më bëhet vala,
dhe ti kripë, bëmu shërim,
pse gjithë dashuritë që fala,
po më kthehen në mallkim.

Fryj ti, flladi i pranverës,
më bëj velë të ëndërroj,
më lësho në krahë të erës,
të valvitem, të harroj.

Shqipëroi: Arqile Garo

*Titulli i origjinalit: “Në ç’det je duke lunduar”

ObserverKult

lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: DASHURITË NUK VDESIN KURRË ME THINJA…

Më thua: – Kur të kalojnë ca dekada,
Natyrisht s’do të jem kjo që jam sot.
Unë do mbulohem e tëra me brazda,
E në heshtje do të fsheh një pikë lot.

Po s’më thua se ndoshta dhe atëherë,
Ty kurrë nuk do të pyes: – Si ishe dje?
Sa kohë ai lot do vazhdojë të të bjerë,
Ti prapë do më jesh, më e bukur se je!

Më thua: – Të gjithë kur janë për të ikur,
Në fillim marrin një imazh prej dheu.
E do tresë nurin tim, si një qiri i fikur,
Që të hezitosh të më thuash, “ktheu”!

Po s’më thua se dhe nëse njeriu vdes,
Ka dhe gjëra që nuk ndryshojnë linja.
Sa kohë shpirtin e kemi ndarë në mes,
Dashuritë nuk vdesin kurrë me thinja.

Lexo edhe:

AHMET SELMANI: KEQARDHJE PËR DASHURITË

ahmet selmani vasha dashuritë

(ose buzëqeshja e një dite)

Më vjen keq
për ato dashuri që buzëqeshin
vetëm një ditë
kur i mbulojnë me lule të freskëta
si ndonjë varr
dhe pastaj thahen e bëhen pluhur
pikëllimesh

ObserverKult