Pse gjithë dashuritë që fala po më kthehen në mallkim

Nga: Dhimitra Neofytou

Në ç’det je duke lundruar,
vallë, në cilin gji të fshehtë,
për ku ikën, nga ke shkuar,
me atë mendim të beftë.

Mos më torturo, ma thuaj,
jam fajtore, e pranoj,
do zbuloj plagët që ruaj,
që të tuat të mbuloj.

Të kujtoj mbrëmje për mbrëmje,
natë për natë të dashuroj,
fle dhe ty të kam në mendje,
zgjohem dhe për ty mendoj.

Përqafim tjetër nuk dua,
ledhatim tjetër në botë,
sa veniten sytë e tua,
nuk pi ujë por thithi lotë.

Shtrat le të më bëhet vala,
dhe ti kripë, bëmu shërim,
pse gjithë dashuritë që fala,
po më kthehen në mallkim.

Fryj ti, flladi i pranverës,
më bëj velë të ëndërroj,
më lësho në krahë të erës,
të valvitem, të harroj.

Shqipëroi: Arqile Garo

*Titulli i origjinalit: “Në ç’det je duke lunduar”