
Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Ballsor Hoxha:
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-T’ju them të drejtën, unë nuk besoj në lumturi, lumturia është për fëmijët, të padjallëzuar dhe të papërvojë me natyrën e njeriut. Unë them se lumturia është një fenomen ku e fshehim kënaqësinë, kënaqësinë nga impulset seksuale, dhe ato të ligësisë, etj. Andaj, edhe jemi aq të pakënaqur me jetën tonë, nuk kemi zemër ta pranojmë se lumturia është një fenomen të cilin e kemi harruar brenda fëmijërisë së harruar po ashtu.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Të mos mund të lexoj, as shkruaj. Dhe, kjo nuk është ndonjë varësi e imja apo mendjemadhësi, duhet të tregoj se tërë ajo që di të bëj, dhe që mund të bëj janë po këto, andaj për të qenë, për të jetuar, shkurt, më duhet të lexoj e të shkruaj.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Nuk është një person, janë dy, Hana, vajza ime, dhe Uliksi, djali im. Dhe kjo për shkak të përpjekjes së tyre, të sinqertë dhe të vështirë, për të qenë njerëz të mirë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Padyshim, Ismail Kadare. I vetëm iu kundërvu një tiranie totale, dhe aq më shumë arriti, që me këtë të krijojë një vepër aq madhështore, aq të rëndësishme dhe aq të bukur.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Sinqeriteti. Jam shumë serioz për këtë që po e them. Bota ka kaluar nëpër një transformim të rrënjësishëm, dhe unë mendoj se veti të njeriut si sinqeriteti kanë dalë prej afatit të tyre, m’u si prodhim njerëzor, dhe tani është një relikt i njerëzimit. Është gjë që më sjellë shumë vështirësi në jetë. Padyshim, është një prej hapjeve më të thella të njeriut me njeriun, ka qenë, së paku, por është tejet tejet i vështirë dhe aq më shumë i dhembshëm sot.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Carl Gustav Jung thotë se ajo që nuk e pëlqejmë, madje që e urrejmë te të tjerët është pikërisht reflektimi jonë në këta njerëz. Kështu, them se ajo që nuk e pëlqejë te të tjerët, është pikërisht besimi i tepruar te tjetri. Te njerëzimi.
Në cilat gjëra e teproni?
-Në lexim të letërsisë. Lexoj në çdo kohë dhe kudo, në kafene, në vend të punës, në shtëpi, mysafir etj (hahah!). Kur filloj një roman, apo edhe teori, obsesionohem me të derisa nuk arrij të dal matanë saj, dhe kjo më sjellë telashe me njerëzit që i dua, harroj se marrëdhëniet shoqërore, qoftë edhe ato prindërore, kanë edhe ligjet dhe teket e tyre, të cilat mbeten prapa, apo të them më saktë, diku thellë në leximet e mia (hahahah!).
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Tash, askush nuk e pranon se gënjejmë, dhe në tërësi jetojmë në një botë të mbushur gënjeshtra. Mendoj se, gënjej aq shumë në letërsi, duke e mishëruar përvojën personale, në një rrëfim të besueshëm imagjinar, sa që nuk më del kohë të gënjej diku tjetër.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Rrugëtimi më i dashur imi është, si fëmijë në Greqinë e viteve të tetëdhjeta, në bregdet. Shkonim për një apo dy javë, dhe, të harrnuar me vetëm një rrogë të profesorit (babait tim), përjetoja gjëra si të isha në një aventurë të djemve të Shpellës së piratëve të Hajro Ulqinakut, ishte e magjishme, qoftë edhe sot, pas aq shumë viteve ende më kujtohen aromat e simiteve dhe të akulloreve të këtyre përjetimeve.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Të them drejtë, nuk e di. Nuk është se shkruaj pak, megjithëse nuk kam takime të shpeshta me njerëz gjë që do të thotë se nuk flas dhe aq shumë, por nuk e di.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Nuk pendohem, për gjërat që kam bërë. Besoj se kam bërë atë që ka qenë e mundur në të shumtën e jetës sime.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Sigurisht, pa asnjë mëdyshje, dy fëmijët e mi.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Në Prishtinë, në Kosovë, në Ballkan, jetohet në gjendje mbijetese konstante, dhe të përhershme. Gjë që çdo gjë ka peshën e vetë gati se biblike, aq të rëndë. Dhe si për të mirën e saj po aq edhe për të keqen, gjërat marrin, po ashtu edhe vlerë biblike. Kështu, dimri, me gjithë bukuritë e tij, dhe me romantiken e tij, ngjanë të më lodhë, dhe kështu kah fundi i tij zakonisht përjetoj një depresion dhe deziluzionim me jetën. Njëlloj dëshpërimi, por jo me ato që dua në jetë, por nga lodhja.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Ndoshta, moshën (hahahah!). Është kohë tejet interesante që po vjen, dhe nuk e di nëse gjenerata jonë do të ketë fatin të shoh dhe përjetojë të gjitha këto ndryshime.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Mbijetesën dhe qëndrueshmërinë në një botë mizore, si kjo e letërsisë, në një vend që as nuk e kupton dhe as nuk arrin lexojë si duhet letërsinë.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Do të ndryshoja përvojën tonë, shqiptare. Megjithëse mburremi, dhe tërë ndërtimin e shpirtit tonë e kemi patriotik, do të doja të kishim jetuar në më pak drama botërore dhe të shoqërisë sonë, që të mund të kishim një reflektim më të matur për jetën e për tjetrin.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Do të kisha dashur të jem një roman, nga letërsia botërore, apo ndoshta, personazh i ndonjë tregimi të Borges. E megjithatë të gjitha këto janë tragjike.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Sigurisht, biblioteka e librave.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Përfundimisht ai i urisë, është mjerimi më i rrezikshëm, të cilin fatmirësisht nuk e kam vuajtur. Por kur kujtoj netët e ditët në kampin e Bllacës gjatë luftës në Kosovë, mungesa e atdheut, që kishte ndodhur, për pak muaj, është një hata në vete. Është mjerim i të mos qenit, së paku, sipas mësimeve të kësaj historie globale që e kemi, së paku sipas dogmave të njerëzimit, sot.
Ku do të dëshironit të jetonit?
SI shkrimtar dhe për shkrimtar, besoj vendi si Prishtina është një shpellë e mrekullive letrare, është vetë letërsia në kulminacion, dhe kjo gjë më magjepsë.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Karakteri, shprehës, dhe reflektues.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Përgjegjësinë. Shumë etër, nuk janë as afër prindësisë, në të vërtetë fëmijët e tyre i rritë shoqëria, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e kësaj.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Të njëjtën si edhe te burrat, përgjegjësinë, për zgjedhjet në jetë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Ismail Kadare, ndoshta. Është e vështirë, për shkrimtarë dhe njerëz që kanë vuajtur të qenit apo të përkiturit një etnie të rrezikuar shumë herë në jetë, të zgjedhin shkrimtarë jashtë kësaj përvoje kolektive, dhe për këtë më duhet të them ndoshta. Por, gjithashtu do të veçoja edhe Dostojevskin, Borges, Bolano, etj.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nuk besoj në heronj. Sidomos pasi që e kam lexuar Kierkegaard dhe Ismail Kadarenë (sidomos në diptikun e tij – Pasardhësi). Besoj se kjo ishte një bestytni e madhe e njerëzimit. Gjenerata jonë, kemi jetuar me heronj, për të parë në mëngjesin e radhës se po të njëjtit janë gjykuar për vjedhje banale.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Atë të piktorit.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Nuk e di. Nuk e mendoj, kurrë mënyrën, por tani që më shtrohet kjo pyetje, kisha thënë duke pas arritur të ruaj dashurinë e fëmijëve të mi deri në atë moment.
Cila është motoja juaj?
-Nuk kam. Por më së shpeshti mendoj për jehonën e frymëmarrjes sime në banesën ku jetoj vetëm, dhe e mendoj po të njëjtën si të vetmen përgjigje ndaj meje. Kështu kjo më është bërë njëlloj jo vetë moto, por edhe mënyrë jetese, me përgjigjen në veten.
ObserverKult
Lexo edhe: