Pyetësori i Prustit/Elvi Sidheri: Jetoni, sepse koha nuk kthehet mbrapsht!

elvi sidheri

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult, i përgjigjet shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Ideja ime për lumturinë e përkryer mund të përkufizohet doemos me një libër diku pranë meje, me diçka për të shkruar sigurisht, me ndonjë frymëzim letrar patjetër, me një përfytyrim në këtë këndvështrim sërish, në pritje për t’u jetësuar së shpejti, dhe mbase, një lumë gurgullues e natyrën e harlisur afër meje.

Cila është frika juaj më e madhe?

Frika ime më e madhe, është vetë droja nga frika. Kam zbuluar gjatë jetës sime, se gjithçkaje që i frikësohemi mirëfilli, dikur do të ndodhë realisht, prandaj droja nga frika thelbësisht, është çfarë frikën e bën të tillë, domethënë të frikshme. Prandaj përpiqem që pikësëpari mos t’i druhem frikës, sa të jetë e mundur, kuptohet.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Është pa asnjë dyshim nëna ime, gruaja me fytyrë të hijshme dhe zemër e shpirt të bukur, që jo vetëm më pati lindur ca dhjetëvjeçarë të shkuar, por të cilës edhe i ngjaj si dy pika uji, shpirtërisht e fizikisht.

Ajo gjithmonë më ka frymëzuar në gjithçka të vyer që kam bërë në jetën time, asaj i detyrohem për trashëgiminë e paçmueshme gjenetike të përçuar prej qenësisë së saj të mahnitshme, por edhe për shumicën e frymëzimit tim të vetëdijshëm jetësor gjer më sot.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Janë disa syresh, por nëse duhet të zgjedh një të vetëm patjetër, atëherë do të thoja, sidomos në ditët e sotme, Octavio Paz, poeti dhe nobelisti i madh meksikan, fitues i çmimit më madhor në letërsi në vitin 1990, por gjithashtu edhe i çmimit Servantes, për veprat në gjuhën spanjolle, pikërisht në vitin tim të lindjes, domethënë në 1981, diçka kjo që më ndërlidh edhe më tepër me këtë figurë të pashoqe të poezisë botërore, për shkak të lidhjes time të thellë shpirtërore me kulturën dhe gjuhën spanjolle.

Octavio Paz ishte një njeri dhe poet tërësisht antikonformist, me qëndrime, jetë dhe stil letrar të papërkufizueshëm brenda suazave dhe normave të ngurta, gjithashtu një diplomat dhe njeri me bindje të forta, që pati ditur të tregonte bindje të majta gjatë jetës së tij, por gjithashtu duke i dënuar regjimet dhe diktaturat komuniste me forcë gjithmonë, prandaj edhe do të luftohej nga të majtët në Meksikë me një egërsi të padëgjuar.

E tepërt të shtoj se poezitë e Octavio Paz, përbëjnë një ngazëllim gjithëshqisor për mua, si lexues dhe përkthyes.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Ndoshta nganjëherë kam durim dhe dashamirësi të tepruar me njerëz që nuk meritojnë zemërgjerësinë apo ndihmën e mbështetjen time.

Paçka se mendoj që sidomos në letërsi, ku është edhe fusha ime e veprimit dhe mjedisi im jetësor, nevojitet patjetër të jemi solidarë dhe mbështetës sa të jetë e mundur.

Edhe letërsia ka plot “matrapazë” të vetët, që ngaherë u ngjiten si shushunja njerëzve zemërmirë dhe të frytshëm, sepse ushqimi për parazitët nuk mungon kurrë, në kushtet shqiptare edhe më shumë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Mosmirënjohja, pa asnjë dyshim. Të qenët bukëshkalë, përgojues, i pabesë. Mund të tingëllojë sikur përmenda disa tipare, por thelbësisht bëhet fjalë për të njëjtën gjë mirëfilli.

Në cilat gjëra e teproni?

E teproj me punë, sepse shpesh qëllon që mos ta llogaris se trupi dhe truri, kanë të drejtën e tyre tejet të përligjur për t’u lodhur, ndoshta edhe për t’u rraskapitur nga rropatjet që të shkakton bota e përkthimit, letërsia, shkrimi, krijimet letrare, ky univers i yni letrar domethënë.

Pavetëdijshëm rëndom u futem sipërmarrjeve letrare të shumëfishta pa menduar se mbase telendisem rrjedhimisht, dhe pastaj egoja nuk më lejon të ndalem pa kryer gjithçka të nevojshme.


Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

Një qëllim i përligjur.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Spanja, Madridi, çdo rrugë që më shpie në atdheun tim të dytë, aty ku shpirti im gjen gjithmonë ushqimin e vet më ripërtëritës.

Më pëlqen gjithashtu rrugëtimi në vetvete, pritshmëria për gjithçka që do të ndodhë me tutje, teksa akoma jam në rrugë e sipër.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Kam një frazë që e dua shumë, dhe që dëshmohet e duhur në çdo rast kur e shqiptoj, dhe ajo është “Jo rastësisht, rastësia”. Vërtet, asnjë rastësi nuk ndodh kurrë rastësisht!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Pendohem nganjëherë kur bëj diçka që paraprakisht, shpirtërisht e di se nuk duhet ta bëj, dhe prapë ndoshta mbizotëron gjykimi i ashtuquajtur “i shëndoshë”, që më shtyn ta bëj gjënë në fjalë sidoqoftë.

Pastaj gjithmonë del të ketë pasur të drejtë kryekëput parandjenja ime shpirtërore. Si rrjedhojë edhe këshilla, dëgjoni shpirtin e zemrën, jo çfarë ju thotë gjithmonë arsyetimi i ftohtë, të paktën nëse jeni të fushës së artit e letërsisë, vetëm kështu mund të bëni.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Nëna ime, fare nuk kam nevojë të mendohem për këtë pyetje. Disa shkallë më poshtë gjenden letërsia, gjuha shqipe, gjuhët e huaja që flas dhe që vazhdoj t’i mësoj dhe t’i përkryej, kultura ime shqiptare, rrënjët e mia kozmopolite, etj.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

E kthjellët dhe e hareshme, veçanërisht e frymëzuar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Ndoshta do të doja të isha më i duruar.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Rreth njëqind veprat letrare, përfshirë përkthimet letrare nga 9 gjuhë të huaja në shqip dhe anasjelltas, por edhe romanet e mia si autor, hulumtimet historike, etj, që porsa i kam mbushur si numër kaq kuptimplotë, dhe që synoj t’i kremtoj së shpejti.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Do t’i zhbëja disa papjekuri të miat në të shkuarën, që më janë dashur shumë punë dhe kohë e përpjekje, për t’i ndrequr.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do të kthehesha si një letrar domosdoshmërisht.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Shpirti im dhe dijet e dhuntitë e mia të bashkëlindura.
Qenia ime thelbësisht. Elvi!

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Mungesën e vetëdijes për faktin se të gjithë nuk vijmë në këtë jetë rastësisht, dhe se gjithashtu jeta nuk është e pareshtur, teksa gjithashtu çfarë ndodh pas saj, mbetet një rebus, sado t’ia mbushim vetes mendjen për të kundërtën. Jetoni pra, sepse koha nuk kthehet mbrapsht!

Ku do të dëshironit të jetonit?

Buzë lumit Manzanares në Madrid.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Frymëzimi.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Qenësinë e mirëfilltë femërore. Mendjemprehtësinë, përkushtimin, largpamësinë, ndjeshmërinë, telepatinë, plotësinë e femrës dhe botën e saj shpirtërore, që çdo mashkull përherë e ka frymëzuar mrekullisht.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Graham Greene.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Janë njerëzit që përballen me vetëmohim me andrallat dhe sipërmarrjet në dukje krejt të pagjasa, për t’i jetësuar prirjet e tyre të bashkëlindura. Janë edhe ata që ngrenë krye ndaj pafytyrësive antinatyrore, jo vetëm thjesht padrejtësive, që në ditët tona u mbivendosen popujve, sikur të ishin vlera të mirëfillta, teksa bëhet fjalë thelbësisht vetëm për hapa drejt humnerës njerëzore të involucionit, domethënë të kundërtës së evolucionit, falë të cilit kemi arritur këtë zhvillim mendor dhe teknologjik.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Talentin për të nxënë talente të reja vazhdimisht.

Si do të dëshironit të vdisnit?

I kthjellët dhe i përmbushur shpirtërisht. Me një jetë pasioni, dashurie dhe mirësie mbrapa shpinës sime.

Cila është motoja juaj?

“Fitoret e tua i korr unë, Zot”.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ NEVIANA SHEHI: HERONJ TË VËRTETË JANË ATA QË NUK THYHEN NGA VËSHTIRËSITË E JETËS!

PYETËSORI I PRUSTIT/ LUAN RAMA: TË DUASH NJERIUN, KUSHDO QOFTË AI NË RANGUN SHOQËROR ËSHTË DIÇKA E MADHE!

PYETËSORI I PRUSTIT/ ERINA ÇOKU: MBAJE ZEMRËN ÇELË E EC PËRPARA, SIDO QË TË JETË!

PYETËSORI I PRUSTIT/ LAURA OLLDASHI: UNË NDJEJ, PRANDAJ EKZISTOJ!

PYETËSORI I PRUSTIT/ALEKSANDËR ÇIPA: KOHA DHE LOTI NUK KTHEHEN PRAPA!

PYETËSORI I PRUSTIT/ EMINE MALIQI (PEM’ZA): JAM KURRESHTARE E PANDREQSHME ME PA ÇKA KA MBAS KODRE