Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari, Enver S. Morina.
-Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Të mos e mashtrojmë së fundi veten, i cili mund të jetë çast që e tejkalon përvojën, për të ta dhënë atë që e meriton. D.m.th. lumturi është në ditën e fundit “të gjykimit” të të mos të zhgënjen përvoja.
-Cila është frika juaj më e madhe?
Kur vazhdojmë të shpresojmë se luftë kurrë nuk do të ketë edhe kur ajo ndodh. Pas “heshtjes së ftohtë” të superfuqive të Lindjes dhe hapjes së derës te të gjitha demokracive të Perëndimit shekulli XXI po rrezikohet nga përplasjet e teknologjive digjitale! Pse mos t’i frikohemi vetvetes, zbulimeve të njerëzimit!?
-Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ai i cili ka kurajën e “guximin” të mos shikoj asnjëherë analistë të ekraneve tona televizive.
–Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Aposteriori me Fan S. Nolin, edhe nga arsyeja se “e ruajti” S. në mes te emrit dhe mbiemrit e mbi të gjitha nga paradigmat e njollosjes që i bëhen në epokën moderne nga qëndrimet politike që i kishte 100 vite më parë. Fan S. Noli ishte themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Krejt vonë në shekullin XXI, busti i Tij vendoset jashtë oborrit të kishës ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti” në qytetin e Durrësit!
–Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Besimi e shoqërimi më tej në mikun a shokun që e njoha në “çastin e lig”.
-Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Profesionalizmi i tepruar dhe edukata e trumbetuar!
-Në cilat gjëra e teproni?
Bëhem i heshtur në pakufi kur të tjerët, edhe miq të mirë, presin më të mirën. Sa shumë e tepruam në fillimvitet e ’90-ta nëpër tubimet organizative demokratike, sa që sot, edhe rrugët e fshatit sikur na kanë inat!
–Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Që të polemizojmë në “lojërat pa kufi” se cila gënjeshtër triumfon “e para” ndaj tjetrës.
–Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Pa hezitim, jo vetëm i preferuar por edhe me pasion: autostop. Dhe epilogu i vetvetishëm për t’mos ëndërruar asnjëherë të vizitoj shtetet e Amerikës së Veriut. Dikur e mendonim vizitën e Muzeut të Luvrit në Paris dhe vendet e arbëresheve të Italisë. Kjo sot është bërë e largët, shumë e largët. Megjithatë, rrugëtimi autostop ka natyrën e vet origjinale për njohjet e befasishme e të papërsëritshme. Nëse mund të vazhdoj përgjigjen, dhe është fjala edhe për caqet e preferuara, ato janë tri: I pari, e kemi bërë bashkë me shokun tim, pas përpjekjes së tretë. Udhëtimi dhe vizita e fshatit Frashër. I dyti, rrugëtimi këmbë përgjatë rivierës shqiptare nga grykëderdhja e lumit Buna në detin Adriatik deri tek Kepi i Stillos në detin Jon. I treti, rrugëtimi autostop nga Prishtina në Liverpool.
-Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Qyyysh, edhe Ti?!
–Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam ndjerë shumë keq kur në mesin e ditarëve të shpëtuar në dhê gjatë luftës nuk e futa edhe Ditarin e bacit Sali, i cili ka mbajtur ditar sidomos gjatë viteve të fundit të jetës së Tij.
-Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Nëse dikur ka qenë afria dhe shoqëria me babain, sot është familja dhe gruaja.
-Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Po të isha në një karrige psikologu, sigurisht që do i kërkoja ilaçe që t’i ik depresionint, çfarë shoh tek gjenerata e të rinjve të sotëm.
–Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të ndryshoja interesimet e vitit 1984 që në vend te Fakultetit të Letërsisë të studioja në Fakultetin e Arkitekturës a në drejtimin që ka të bëj me Gjeometrinë Përshkruese (Deskriptive).
–Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Kur përfundoj së shkruari një tregim. Dhe kjo ka ndodhur 13 herë në këto tridhjetë vitet e fundit.
–Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-T’i mbushja 58 në vend të 59 që i mbush në këtë 5 gusht. Jo më shumë. Të mësoja një gjuhë indoevropiane që nuk flitet nga evropianet.
-Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Pyetja më lënë pa fjalë, prandaj duhet të përgjigjem që do bëhesha gjarpër që të mos e kam fobi, siç e kam.
-Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Gruaja e cila më ka falur edhe atëherë kur unë kam gabuar dhe prej atij çasti kam kuptuar sa më vlerë mund të jetë një person që fal.
-Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Vazhdojmë të besojmë dhe të krekosemi siç kemi ëndërruar që kemi shkollë, arsim e shëndetësi edhe pas çerekshekulli “në liri”.
-Ku do të dëshironit të jetonit?
Të rikthehem në vendlindje siç e kaluam fëmijërinë dhe në “standardin e periudhës së atëhershme”.
-Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Njeriu përmes përvojës mund të arrij të na dhuroj më të mirën. “E kundërta” e kësaj është talenti. Migjeni kishte talent dhe arriti që në një moshë të re të na jap një kryevepër monumentale, të papërsëritshme për nga vlerat dhe përsosmëria artistike krijuese. Gërshetimi i dy realiteteve, kuptohet dhuntia e talenti na ka munguar në “vegjëli” por mbetet përvoja e cila më mësoj dhe më këshilloj në këmbëngulje të vazhdueshme që “Të mos përsëritet e keqja!” Për më të mirën kurrë nuk është vonë. Si rrjedhojë cilësi të veçantë më mbetën, poezia nga të paktat që kam shkruar “Populli nuk është 007” në vitin 1998 dhe proza “I vdekur në një aksident” shkruar dhe botuar në vitet 1999-2001. A nuk janë cilësi të veçanta që nuk përsëriten dot më!
–Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Dijen për “ta mbrojtur” personalitetin dhe ikjen nga liria në thashethemnajat e përditshme.
–Çfarë vlerësoni tek një grua?
Inteligjencën e lindur, dhunti që asnjëherë nuk ka nevojë për freski.
-Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Jorge Luis Borgesi. Veçoj tregimin “Utopia e një burri të lodhur” i cili është shqipëruar nga tre përkthyes, dhe të cilin e kam lexuar rreth 30 herë. Dhe pas gjithë këtyre rileximeve herën tjetër do gjej diç të panjohur që nuk e kam vërejtur më parë.
–Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Ata që nuk tundohen nga gazetarët e pavlerë në televizionet tona të panumërta.
-Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin e të luajturit tenis.
–Si do të dëshironit të vdisnit?
Fatmirësisht që në këtë pyetje mund edhe të përgjigjesh, si nënkuptim paraprak, duke e menduar një personazhe në një tregim të shkruar para 20 vite e cila në pyetjen për mënyrat e vdekjes ajo i priste “të gjitha”.
-Cila është motoja juaj?
Mikun e mirë ta zbulosh dhe ta mbash përherë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ENVER S. MORINA: MË MIRË TË RILEXOJ NJË TREGIM TË MIRË SE SA TË SHKRUAJ NJË TREGIM TË KEQ!?
PROMOVOHET LIBRI “RR’NIMI I ARBËRIT” I AUTORIT ENVER S. MORINA