Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari Vilson Culaj.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Është Paqja me veten dhe ky është arti me i arrirë i jetës në shtegun e saj të gjatë. Pasi njeriu nuk e ka prodhuar kosmosin nuk duhet të sillet si padron i saj. Sa më e vogël bota e jote aq me shumë kosmosi të merr me vete. Kur ne e kuptojmë se bota na shfaqet si banesa e fortë e ekzistencës sonë, atëherë në ne mbillet lumturia e vërtetë. Kur jemi të dëbuar dhe ngadhnjimtar mbi dijet dhe errësirat tona vetëm atëherë jemi në kërkim të lumturisë. Një vizion konstant e logos në veprim mund të jenë çelësi i lumturisë. Pa familje e sukses të merituar nuk jemi të denjë për të qenë as kuzhinieri – ja apo shërbëtorja e Sokratit. Dija e fama e rrejshme na dëbojne nga kopshti i lumturisë, kurse kufizimi na pamundëson ta shohim të padukshmen që në fakt është ekzistencë sublime. Pra, le të shohim të padukshmen tek tjetri dhe një valë lumturie do mbillet në dritën e pafuqisë sonë për t’i kuptuar ligjet e mistershme që sjell lumturia.
Cila është frika juaj më e madhe?
– Frika përse nuk vdiqa dje por sot. E sotmja është shpëtim për njeriun pasi që e nesërmja nuk ka arritur ende. Frikë nga dashuria sepse e përsosura kërkon një shpirt, mendje e vullnet të përsosur.
Kam frikë nga njerëzit pa libër në dorë dhe njerëzit e armatosur me padituri sepse dikur më lehtë është t’i dëbosh ata nga ferri sesa hijet e tyre në mur. Kam frikë nga mallkimi i nënave që vdiqën pa përqafimin e fëmijëve të tyre. Kam më shumë frikë nga liria e tepërt njerëzore se nga vullkani Vezuf. Kam frike nga shishja e verës që në brendi mban helm njerëzor dhe hartat mistike të paditurisë.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
– Nënën time e cila ishte përfytyrimi i parë ndërpsikik i Zotit të dashurisë për mua. Ajo më rriti mua por edhe nderin e babait tim njëkohësisht. Ai tani pushon në varr kurse ajo jeton si një mbretëreshë plagësh që ua njeh ligjësitë stuhive të fjetura e vyrtyteve pa mbarim. Edhe Engjëjt do ia kishin lakmi Altruizmn e dashurinë në vepër që e praktikon ajo.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
– Lekë Dukagjinin. Ai përveç armës e ligjit flinte edhe me libër ndër jastëk. Xhelozia e tij e kishte një shkak edhe pse Gjergj Kastrioti kishte lindur për të qenë shumë më i lavdishëm se ai. Zjarrin e Atdhedashurisë së Bogdanit do e kisha zëvendesuar me atë të urtisë dhe vizionit të Rugovës si një Moisi i Epokës Moderne për popullin shqiptar të Kosovës.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Shoqërohem shumë shpejt me çdo lloj shtrese shoqërore falë vetëbesimit tim, nga akademiku deri tek lypsari pa paragjykime, por ndahem me ta beftas si rrufeja dhe pa adresë nëse tek ata nuhas elemente hipokriziie dhe karakter të luhatshëm. Behem melankolik pasi i fitoj betejat me demon. Them me vete përse nuk luftova për dijen, paqen dhe urtinë. Harroj vetëm kur nuk ekzistoj edhe pse ligj të ligjësive e kam harmoninë shpirtërore dhe unifikimin e njerëzve.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
– Hipokrizinë dhe këmbënguljen e të marrit. Nuk i pëlqej njerëzit që e humbin kondicionin e ditës ende pa e pirë kafën e mëngjesit, kurse në anën tjetë mundohen ta masin botën pa arritur ta masin veten. Oh sa e vonshme është nata për ta. Ata kanë nevojë për fushkullimin e optimizmit që ,,dhunshëm ‘’ t’i dergojmë në parajsë. E kisha dashur aq shumë atë mëkat human për ta sepse në procesin e shpëtimit nganjëherë duhen shumë njerëz e shumë vizione.
Në cilat gjëra e teproni?
– E teproj me libra në dorë hera- herës edhe me nga 12 orë, dhe duke u dhënë shpjegime njerëzve që moti kanë vendosur të divorcohen me dijen e virtytet. Qëndrimi në lokale me njerëz ku zogjtë iluzionist ndërtojnë fole mbi kala të huaja dhe vishen me puplat e dëshmorëve e heronjve nuk më falet asnjëherë. Çudi jam i shurdhër dhe i verbër ndaj këtyre demagogëve që marrin hua nga humnerat e kotësive.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-I gënjej ata lloj njerëzish që mundohen të më shkëpusin nga vizioni e misioni im. Me pëlqen thënia e Atë Zef Pllumit ,, ziliqarit as ëndrrën e mbrëmshme kurrë mos ia trego”. Atyre duhet tu themi nuk di, nuk mundem, nuk kam plan jete. Gëzohen… Kjo është gënjeshtra me e bukur ndaj tyre sepse në këtë botë arat janë të shumta e korrtarë ka pak, aq me pak njerëz të ideve…
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Rruga që kurrë nuk kanë shkelur të tjerët do më pëlqente, prap thënia, i frymëzuar nga Bruce Lee. Më ka pëlqyer me vite udhëtimi me tren sepse që fëmijë më ka shërbyer për meditim e ide te reja. Unë e preferoj ecjen tokësore, por kur gjindem në qiellin e ideve disi hezitoj të kthehem e të shtegtoj prapë në tokë edhe pse toka të ofron gjumë të mirë, por me një kujdestar pranë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Hey pllum, kur e ke lexuar librin e fundit dhe vetëm libri e dija do t’na bëjë të lirë, duke mos harruar fjalët të lutem, të dua, më fal dhe faleminderit miku ose mikja ime për ndihmën.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Kurrë në jetë nuk kam gabuar dy herë. Hera e dytë më ka shërbyer për t’i vizituar varret e të parëve të mi. Ata kanë qenë akademia e parë e imja edhe pse të gjallët e pasardhësit e tyre ndihmuan shumë me përndritjen time. Pendohem për Babën që më mungoi shumë shkaku i gurbetit. Ai iku pa e kuptuar dashuninë oqeanike që ushqeja për të. Ai më donte me shumë se veten, por kulturën e shkrimit e kishte në zemër e shpirt jo si biri i tij në zemër libër e shpirt të heshtur e pa Narcis imponues e formalist ku të rrëshqet dheu ndër këmbë pa e hetuar fare.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Prindërit, familja, fëmijët e mi, tradita, libri dhe jeta në harmoni. Nëse puth akujt e zjarrin mbetesh i lënduar. Vetëm familja di të shëroj plagë. Kur kthehemi nga qyteti i famës e ballafaqimet e jetës, vetëm te prinderit e familja gjenë ngrohtësinë e vërtetë. Te tjerët flenë në jastëk tjetër të puplave jashtë trazimit tënd. U mjafton nata e tyre për të harruar ty e brengat tua…
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-E njeriut që duke medituar për jetën, plagët, e dashurinë e shpresën sheroj plagë e mbjelli suksese. Asnjë mjek shpirtëror nuk më duhet sepse dikur isha në kërkim të një këshilltari të mirë i cili më mungonte e për çudi nuk e gjeta. Mjek shëro vetveten thuhet diku në libra të shenjtë. Sipas mendimit tim: Kush Ecën nepër plagë gjenë shërim, kur i ikën shërimit gjenë plagë. Unë i takoj krejt një mbretërie tjetër.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
– Të mos ua falja kohën atyre që kanë kohë për çdogjë, mu atyre që të urrejnë me sy tërthur e fjalë të ëmbla shtiracake njëhohësisht. Jam njeriu me i keq në botë sepse në jetë di të them PO edhe JO për dallim nga të marrët që dinë të thonë vetëm PO. Kurrë në jetë nuk kam klithur lavdi marrisë andaj kam miq që nuk i zë planeti as zemra ime e vogël.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Të kuptuarit e misionit tim. Krijimin e një familjeje perfekte e me taban kombëtar. Rrugët e hapura në zemrat e shumë njerëzve dhe mosvrarja e ndërgjegjes për asnjë peng jete apo bërjen keq dikuj tjetër. Suksesi në letërsi dhe shëndeti i një Spartani që lufton për të vërtetat e tij dhe ato që recepton nga bota pozitive. Jetëgjatësia e gjurma në këtë botë nganjëhere varet edhe nga një çast i amshuar tokësor.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Koha e Zotit është dashuria dhe e vërteta. Po humbe natën mund të gjindesh ditën me diell nga dashamirët e misionit tënd. Po humbe kohën edhe nëse rikthehesh në kohë do të na mungoj i njejti diell, të njejtat fjalë e ngushëllime, e të njejtit njerëz që e jetuam jetën me ta. Me pëlqen thenia e një filozofi italian se ” Zoti di të numëroj vetëm deri në numrin një“. Çudi më pëlqen ai lloj ,,analfabetizmi “i tij.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Libër, por jo që gjakos këmbët e të tjerëve. Një libër shprese që do t’më lexonin mbretërit, virgjëreshat dhe teologët. Në luftën e tyre do mbinte e shpërfaqej një e vërtetë e madhe për mua… Reinkranimi është i bukur nëse bëhesh lule apo libër, por edhe luftëtar i dritës për të tjerët… Libri mund të digjet, por jo të harrohet për shkak të përmbajtes së tij të mirë e misionit frytdhënës.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
– Falja! Gjakimi i parreshtur për ta katarzuar shpirtin dhe mbushur dijen time me virtyte. Kurrë në jetë nuk kam provuar të jem posedues apo pronar i ardhmërisë së tjetrit. Jo rrallë zemrën time ua kam dhuruar kusarëve, por nuk kishin treg se ku ta shisnin andaj ma kthenin prapë, sepse zemra ime nuk kishte çmim tregu.
Kurrë si kam takuar getos së padobishme.
Unë njoh rrugë ku të tjerët nuk kanë shkelur kurrë. Njoh parasja që kurrë të tjerët nuk kanë përjetuar. Të harrosh të keqen e bërë nga miqtë tu tregon se shpirti e mendja jote jetojnë e kanë dimensione, rrënjë e trajta tjera të shpirtit.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Materializmin, super-egon, indiferencën, simonizmin letrar e shpirtëror dhe urrejtjen ndërnjerëzore. Njeriu në njërën anë është kripa e botës, kurse në anën tjetër maskë dhe giotinë. Ai dëshiron të pres të gjitha kokat e të tjerëve që të tjerët dikur të mendojnë vetem sipas kokës së tij. Njeriu që nuk di të jetojë në shoqëri ose është gjysmë perëndi ose kafshë e egër, do thoshte Aristoteli. Një akt dashurie në vepër do ishte akt përndritjeje për ta.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në Atdheun që nuk e kam krijuar vet. Liria shpirtërore është atdheu im më i bukur. Po të më pyesnit për tokën do zgjidhja Shkodrën. Aty ndihem i varfër pranë atyre që dikur ishin edhe me të pasur se sot…
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
– Sinqeriteti, filozofia e çlirimit, jeta joimpulsive e instinktive, guximi, besnikëria dhe ballafaqimi në parime. Etja për dije si duket është një kod gjenetik mu si hartat e marinarëve që kurrë nuk e humbin orientimin në det edhe kur avujt e urrejtjes e paragjykimeve nxjerrin kokën si fotomorgana që mbjellin trishtim.
Çfarë vlerësoni te një burrë?
-Dinjitetin, besnikërinë, dijen dhe guximin optimist për jetën. Një grua e brishtë e plot jetë e dashuri nuk mund të ndihet e sigurtë pranë një burri qyqar, dyshues dhe kameleon mbrëmjesh e mëngjesesh. Botës i duhen burra që nuk kanë frikë nga dhimbja dhe e kanë tejkaluar ferrin e tyre personal. Ata janë të denjë për një grua fisnike qoftë ajo e molisur nga jeta. Nëse burrin fjala nuk e lidh për besë një grua e dinjitetshme pranë tij i trishtohet jetës dhe fillon të dyshoj në zjarrin e saj të dikurshëm. Burri duhet të jetë kala e dashurisë e jo furtunë në paqen e gruas.
Çfarë vlerësoni te një grua?
-Misterin dhe tërësinë e saj. Ajo si Eva gjallonjëse jep të tërën në jetë dhe nga jeta e saj, dhe prapë mbetet e tëra deri tek varri. Janë fajtor syzet tanë instingtive që kurrë nuk arrinjë të shohin përtej formës dhe dimensionit fizik të saj. Shpirtërorja e tyre i vret miopët që mundohen që vlerat e shpirtit t’i blejnë vetëm për një natë. Një grua e padorezuar në jetë është kundërpërgjigjia më e bukur ndaj verbërisë e egoizmit të burrit.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
– Do t’më hidhërohej Shekspiri po të thoja Paulo Coelho. Sikurse Kadare po të thoja Fishta…
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
– Ata që realizuan historitë personale pa iu bërë asnjë dëm pemës së jetës. Mbi ata trung mund të ulen edhe skeptikët më të mëdhenj të planetit. Prindërit nuk zhgënjejnë kurrë, por as misioni yt i përndritur jashtë mësimeve e përvojave të tyre…
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Talentin për t’i shërbyer jetës, artit, kulturës , dashurisë, të vërtetes dhe ballafaqimit. Çdo oratori del nga parajsa dhe dyert e ferrit njëkohesisht. Ne duhet te jemi veprues, frytdhënës dhe dëshmues në vepër për të tjerët. Talenti i maratonës në sakrificë dhe të marrësh atë që e meriton për mua është arti i jetës dhe jomashtrimit. Misioni i jetës sonë nuk është imitim i hijes, por krijimi i vlerave. Kurrë në jetë nuk me ka joshur brohorima AVE CEZAR por modeli i vetnjohjes e hapi i sigurtë në jetë. Fundi i fundit njeriu nuk mashtrohet nga të tjerët…
Si do të dëshironit të vdisnit?
– I plakur, i zgjuar nga gjumi, i plagosur nga verbëria e drejtësisë dhe pranë gruas e fëmijëve, por jo duke i trishtuar me mesazhin dramatik se vdekja është bjerrje, por ngadhënjim, realizim i historisë personale, mision , sakrificë dhe ringjallje. Ne nuk jemi krijuar për t’u shuar, por për t’u ringjallur e për lënë gjurmë shpirti mbi planetin e akullt e hera- herës pa zemer. Ne nuk kemi krijuar vetetveten, por nga dashuria dhe Logosi ne veprim andaj meritojmë një vend përtej varrit.
Cila është motoja juaj?
– Asgjë nuk është dhuratë në këtë botë përveç jetës dhe dashurisë. Gjërat tjera jane gjakim, sakrificë, punë, vizion, motiv, këmbëngultësi e përkushtim, por edhe pagjumësi.
Njeriu i kotësisë dhe pa motive të kjarta është gjysmë i vdekur andaj jo rastësisht latinët e vjetër patën thënë dikur: Carpe Diem. Pasi i kemi dy kohë tokësore nuk kemi asnjë arsye që ta bjerrim mundësinë e madhe të gjurmës që na është dhuruar me paralindje. Parimi im i jetës është vendose dorën në parmend, sakrifiko, empatizo, humanizohu dhe mos shiko prapa. Duartrokitjet pa meritë janë mashtrimi më i madh i shpirtërave njerëzorë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Pyetësori i Prustit/ Bashkim Hoxha: Një artist pa talent është i dëmshëm!
Pyetësori i Prustit/Besim Rexhaj: Mosmirënjohjen nuk mund ta gëlltis!