Pyetësori i Prustit: Jeton Neziraj

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet dramaturgu Jeton Neziraj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Një jetë ku s’do t’na duhej të mendonim për sëmundjet, për vdekjen e as për vuajtjen – tonën apo të dikujt tjetër. Një jetë ku e vetmja përpjekje do t’ishte beteja për t’i ofruar tjetrit dashuri, sa më shumë dashuri…

Cila është frika juaj më e madhe?
Frikën më të madhe timen kam frikë ta imagjinoj, e lëre më ta them këtu. S’dua të mendoj për të.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ndoshta, Barack Obama-n?

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Është shkrimtar, por nuk e di cili do t’ishte mes krejt atyre shkrimtarëve të mrekullueshëm që admiroj e me të cilët do t’kisha dashur të identifikohesha. Por, përtej letërsisë, nuk lodhem të gjejë ‘modele’ identifikimi.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Dal prej ‘takti’ shpejt dhe nuk i jap vetes kohë ta ‘procesoj’ rrezikun. Bëhem si ai lepuri që kur njëherë ishte pas dehur, i kërkonte dyluftim ariut.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Janë disa njerëz që i quaj “paçavura” – këta janë ata njerëz që kanë si tipar themelor të personalitetit të tyre ‘oportunizmin’. Ata i sheh në të gjitha frontet (por, më shpesh në frontet e fitimtarëve) e në të gjitha anët (por, më shpesh në anën të fuqishmëve).

Në cilat gjëra e teproni?
Me të folurën, respektivisht, me mos të folurën. Pra, shpesh flas shumë, e po ashtu, shpesh jam shumë i shukatur.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Në rastet kur do t’më duhej ta shpëtoja lëkurën, ose kur do t’më duhej t’i ikja ndonjë telasheje, pasojat e së cilës do t’ishin më të mëdha sesa gënjeshtra si e tillë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Praktikisht është ai që bëj kur ngjitem maleve të Sharrit, sapo e kaloj lumin “Lepenc” në Kaçanik. E metaforikisht, ai në gjithësi.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Në çdo rrethanë… Megjithatë… Si me thanë…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Natyrisht, në jetë ne shpesh bëjmë zgjedhje të gabuara, ose vendosim në shpejtësi për gjërat, dhe pastaj pendohemi. Lista e gjërave për të cilat jam penduar pse i kam bërë është e gjatë. Në të vërtetë, ne çdo ditë bëjmë gjëra për të cilat pendohemi menjëherë, ose me kalimin e kohës…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dy vajzat e mia, Anina dhe Ana.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E kthjelltë, me vranësira dhe të reshura të kohëpaskohshme.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Varësinë nga interneti. Si plot të tjerë, jam goxha i varur nga interneti. Dhe këtë gjë e konsideroj si një ves që kisha dashur ta ndryshoj te vetja.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Faktin që vazhdoj të shkruaj. Kam pasur një krizë të gjatë shkrimi, kur s’ia dilja të shkruaja letërsi dot, as edhe një rresht – ndoshta tri apo katër vite. Por pastaj, afiniteti për të shkruar u kthye sërish, me këmbëngultësinë time. Dhe këtë gjë e konsideroj fitore timen të madhe.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nëse do të mund ta ktheja kohën dhe nëse do t’kisha fuqi të ndryshoja gjërat, atëherë, do t’kisha bërë çdo gjë ta ndaloja luftën, luftën që kishim para disa vitesh dhe çdo luftë tjetër. Imagjinoni, sa shumë njerëz vuajnë për shkak të këtyre luftërave kaq të pakuptimta.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Paj, do të doja të kthehesha si njeri – një njeri jeta e të cilit do t’kishte përmbajtje, një njeri i cili botën do t’a kishte bërë më të mirë. Por, nëse megjithatë më duhet të kthehem si kafshë, atëherë do të zgjidhja të kthehesha si mace. Si fëmijë i kam dashur macet dhe në shtëpi gjithmonë kemi pasur një mace. Janë kafshë të dashura.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Familja, padyshim. Gruaja dhe dy vajzat e vogla.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Kur një shoqëri humbet duke u rreshtuar në anën e gabuar, me të ligën, me të dhunshmin e me dhunën, kur busulla e të ardhmes tregon frikën dhe pasigurinë për një shoqëri.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Paris ose Berlin.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Ndjenja e solidaritetit për tjetrin që është në nevojë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
I vlerësoj burrat të cilët gratë i trajtojnë me dinjitet dhe të barabarta.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Përkushtimin ndaj fëmijëve e familjes.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Gabriel Garcia Marquez. Por ama, nuk mund të mos e vë në këtë listë edhe Franz Kafka-n e Ismail Kadarenë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Është një plak që shpesh vie me kalin me karrocë në lagjen ku jetoj unë dhe mbledh hedhurina hekuri. Nuk ia di emrin, as nuk e di prej nga është, por e shoh që mundohet të mbijetojë. Pra, edhe në atë formë, duke rendë nga një lagje në tjetrën për t’nxjerrë bukën e gojës. Ky dhe këta janë heronjët e mi në jetën e vërtetë. Pra, njerëzit që punojnë me përkushtim dhe ndershmëri.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin e të peshkuarit! Nuk e di a është gjë që lidhet me talent apo jo, por peshkatarët më fascinojnë, sidomos durimi i tyre dhe pasioni që ata shfaqin për peshkimin.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në gjumë, ose edhe si themi ‘qaperrap”.

Cila është motoja juaj?
Më mirë vonë se vonë!/Gazeta Observer