Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari Bislim Ahmetaj.
Ja cilat janë librat që Ahmetaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
————————————————–
Leximi për shumicën e njerëzve në botë është thjesht një mundim, për një kategori tjetër jo edhe aq të vogël shndërrohet në detyrim, detyrim që lind nga puna e tyre e përditshme. Ekziston edhe një grup i vogël social të cilët leximin e kanë ushqim shpirtëror, argëtim të pazëvendësueshëm dhe natyrisht lëndë të parë për kreativitet, zhvillim dhe pasqyrim të asaj që ndodh përrreth tyre.
Nga Bislim Ahmetaj
Këta të fundit janë elitat e kombeve, ku një vend të çmuar padyshim që e zënë shkrimtarët dhe artistët, të cilët shpesh herë edhe për shkak të ushqimit të tyre të përditshëm, që është leximi, na shfaqen universal në shkëmbimin e kulturave dhe fenomeneve jetësore.
E megjithatë rekomandimi i tre librave për ndjekësit e portalit tuaj të respektuar është një lloj “shtërngimi” që të vendos në një pozicion aspak fatlum, jo vetëm sepse është një numër i kufizuar librash edhe autorësh, por të bën të “tradhtosh” shumë autorë dhe vepra me të cilat ke jetuar gjatë.
Gjithsesi do të mundohem t’i përgjigjem kërkesës tuaj për të ofruar tri libra, nga tre autorë të ndryshëm, të cilët tek unë kanë lënë gjurmë të thella në shumë aspekte. Si në aspektin e artistik, stilistik, skalitjen e karaktereve dhe përshkrimin e detajuar të vendngjarjeve. Por rekomandimet e mia nuk ndalen vetëm në vlerën artistike të veprave, ata për mua janë autorë që kanë rrokur epoka historike, sisteme shoqërore, fenomene sociologjike, sjellje njerëzore, raporte fetare dhe shumë e shumë dimensione të tjera që vetëm një letërsi e madhe dhe autorë të shquar mund t’i përfshijnë dhe trajtojnë.
Shkurt ata janë:
“Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi
I pari At Zef Pllumi me veprën e tij memuare “Rrno vetëm për me tregue”.
Tek ky rrëfim i jashtëzakonshëm në tri pjesë, por në disa botime i përmbledhur në një libër të vetëm, lexuesi që nga lindja e largët dhe deri në Polin e Veriut, njëlloj si ai që leximin e ka mundim, si ai që e ka detyrë, apo edhe kategoria që e ka ushqim shpirtëror, do të mësoj se çka është në gjendje t’i shkaktojë i keqi, i ligu, i pashpirti, njeriut të mirë dhe të pambrojtur vetëm për pak pushtet, për pak lavdi të përkohshme.
Edhe pse në pamje të parë të krijohet përshtypja se në këtë vepër letrare ka shumë dhimbje, dhunë dhe shtypje, kur e lexon faqe pas faqje gjen aq shumë dashuri, durim, shpresë, dritë dhe besim sa vetëm në një letërsi të madhe mund ta ndeshish.
Ky libër duhet lexuar edhe si një homazh për vuajtjet e qindra mijëra njerëzve që jetuan nën diktaturën gjakatare të Enver Hoxhës për gjysmë shekulli në Shqipëri, ky libër është një ilaç i rekomanduar edhe për ata njerëz, për të cilët thuhet shprehja “Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë.”
“Vajza e prapë”, Mario Vargas Llosa
Të dytin kam përzgjedhur Nobelistin peruan, Mario Vargas Llosa me romanin e “Vajza e prapë”.
Ta quash një histori dashurie këtë narracion rrëqethës që herë të le pa frymë dhe herë të tjera të bën të turfullosh si një kalë i hazdisur, bie në mëkat, t’i vësh një emër tjetër, mëkatin s’ka shtëpi Zoti që ta falë.
“Vajza e prapë” Otilio dhe “Djali i mbarë” Rikardo në aventurën e tyre të dashurisë do të takohen në të katër anët e globit, që nga rrugët me pluhur të Mirafiorit, në Paris, Kubë, Londër, Tokio dhe prapë në Kilin e tyre.
Gjithmonë dhe gjithkund “Vajza e prapë” është tjetër njeri në sjellje, në pamje, në status ndërsa Rikardo, mbetet përherë i njëjti skllav i robëruar nga dashuria.
Romani mbyllet me një “happy end”, Rikardo shkruan romanin e jetës ku personazhi kryesor është Otilia, ndërsa “vajza e prapë” ndihet e lumtur që ka mundur ta realizoj këtë personazh në mënyrë aq të përsosur.
“Juda”, Amos Oz
I treti rekomandim i imi është një intelektual i rrallë, shkrimtar si ai, veprimtar për të drejtat njerëzore, i nivelit të shkrimit. Ai është shkrimtari izraelit, Amos Oz. Mbiemri i tij “OZ” përkthehet në hebraisht “I fortë”. Ky nuk është mbiemri i familjes së tij, këtë mbiemër ai ja dha vetes, pikërisht atëherë kur nisi betejën për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve, diku nga viti kur kam lindur unë, në vitin 1967.
Kohë kur në Izrael u zhvillua lufta e “6 ditëve”, kohë kur Amas OZ është ushtar në Sinai, pikërisht aty ku zhvillohet lufta, në kufirin midis Izraelit dhe Egjiptit, ndërsa unë i sapo lindur në Shqipërinë staliniste ku kishte filluar rrënimi i institucioneve të kultit dhe mohimi i Zotit.
Që prej asaj kohe OZ është i angazhuar për zgjidhjen paqësore të konfliktit izraelito –palestinez me shkrime, ese, intervista, takime dhe biseda të pafundme nëpër mediume nga më të rëndësishmet e botës.
I rashë pak gjatë prezantimit të autorit të romanit “Juda” dhe sjell pikërisht këtë roman të tij në kontekstin e kohës, për të cilin nuk dua të jap shumë sqarime, pikërisht sepse ai duhet lexuar nga të gjitha kategoritë që kam përmendur në hyrje të rekomandimeve të mia për lexuesin tuaj.
Romani ka në qendër të tij një student i cili ka braktisur studimet universitare, gjithashtu është braktisur nga e dashura e tij. Ai e fiton jetën e përditshme duke i shërbyer një të moshuari, në shtëpinë e të cilit shfaqet si një fantazmë një grua e mistershme.
Në labirinthet e këtyre mistereve shfaqet Juda, Krishti, konflikti dymijë vjeçar dhe…
…lexojeni romanin JUDA, të shkrimtarit tim favorit Amos Oz.
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA BISLIM AHMETAJ: ETYD DASHNIE