Zot
Ruaje këtë grua
këtë grua perëndi këtu para meje
që ma mbështjell fytyrën me dorën e ëndrrave
këtë grua me qeshjen prej dielli
me dritë hyjnore në sytë e saj.
Zot
Ruaje për mua këtë grua
që është zemra ime jashtë meje
kur nuk jam me të.
Nuk dua gjë tjetër prej teje zot
kjo grua është fillimi që s’ka fund kurrë
është ajo që më bën burrë
që mbledh në vete lakmitë e burrave
dhe nderimin e tyre pa cak
zilitë e grave që i japin shkëlqim dritës së saj.
Kjo grua është lufta e pambaruar kurrë dhe paqja
është zemra ime jashtë meje
që rreh e pulson në mua.
Zot
Ruaje për mua këtë grua
që më bën të ëndërroj.
ObserverKult
———————–
Lexo edhe:
ALI PODRIMJA PËR DASHURINË: KREJT ÇKA ËSHTË E BUKUR MBETET E PATHËNË…