Testi PISA: Kosova në fund të pusit (video)

Kosova përsëri ka dalë me rezultat shumë të dobët edhe në PISA 2018.

Në të dhënat e publikuara në raportin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Kosova rangohet e treta nga fundi i listë me 79 vende.

Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë.

Më keq se Kosova në këtë test, që vlerësohen njohuritë nga leximi, matematika dhe shkenca gjenden Filipinet dhe Republika Domenikane.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365. Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

Ndërsa, në krye të listës me rezultatet më të mira është Kina, Singapori, Macao, Hong Kongu dhe Estonia.

PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në  6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.

Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare)

Mirëpo ku u renditën vendet tjera të rajonit?

Në listën pre 79 vendeve,  nga rajoni Sllovenia qëndron më së miri, në vendin e 21-të, pastaj Kroacia në vendin e 29-të, Serbia në vendin e 45-të, Mali i Zi në vendin e 52-të, Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 62-të, Shqipëria në vendin e 63-të./ ObserverKult