
Vetëm dashuria,
ajo që s’ka emër,
rritet në mes të errësirës
aty ku shpirti është i zhveshur nga drita.
Vetëm te dëshpëruarit dashurojnë me klithma shpirti.
Të lumturit e shijojnë afshin
si ëndërr të ftohtë në mëngjes,
si ëmbëlsirë që tretet pa lënë gjurmë.
Por shpirti që bart hije,
dashuron si toka pas shiut:
i rëndë,
i ndotur,
pjellor për zjarrin.
Ne s’prekimi –
ne jemi të prekur nga ajo që mungon.
Kemi trupa që flasin me një gjuhë tjetër,
dhe dridhen nën zëra që s’janë të tyret.
Dashurojmë pa duar,
pa gjuhë,
si rrënjët që kërkojnë thellë në tokë
ujin dhe kripën që ushqen etjen.
Erosi nuk është këtu.
Ai fryn tej pasqyrës,
Atje ku një Engjëll-Demon
i ulur në buzë të honit të harresës
qesh me tundimin
dhe frikën tonë fëminore.
Ne digjemi pa flakë,
përvëlohemi nga largësia
që veshur na rri,
si rrobat e dikujt që ka vdekur.
Çdo përmallim është një kafshim
që nuk lë plagë,
vetëm etje.
Dhe ne ecim të verbër,
të çmendur,
pas një zëri që na therret në errësirë.
Është zëri i Erosit,
Engjëll-Demoni
që futet pa leje në shpirtrat tanë.
Ne pezull qëndrojmë mbi këtë humnerë tundimi
e s’mundemi të flejmë
prej flakëve që djegin kohën e humbur.
ObserverKult
Lexo edhe:
Sadedin Mezuraj: Eja më pushto me buzët barbare!