Shqipëria të bindet se edhe në Kosovë ka dhe krijohet art fotografik

Javën që shkoi, skena shqiptare e fotografisë artistike humbi njërin nga emrat ma të veçantë të shekullit 21, artistin e fotografisë Naim Shala. Në vend të një përkujtimi për ikjen e parakohëshme të tij në amshim, po botojmë një bashkëbisedim të realizuar këtu e tetëmbëdhjetë vjet përpara të gazetarit dhe shkrimtarit Sylejman Aliu me të dhe me kolegun e tij, artistin e fotografisë Fahredin Spahija.

Në qendër të kësaj bisede interesante është përpjekja e artistëve të fotografisë kosovare që, në fillim të këtij shekulli, t’i bëjnë vetes një vend meritor në atë që quhet fotografia bashkëkohore shqiptare si dhe luftimin e tendencave që ajo përpjekje të pengohet apo edhe të anashkalohet nga ata që më prioritare e konsideronin lidhjen me fotografët serbë, malazezë dhe maqedonas se sa me fotografët kosovarë.

Bisedën e realizoi: Sylejman Aliu

E keni biseduar vjet, kur merrnit pjesë në ekspozitën nderkombëtare të fotografisë artstike “Marubi 2003” se pse një konkurs i tillë nuk ishte publikuar edhe në Kosovë, siç ishte publikuar, po e zemë, në mediet malazeze?

Naim Shala: Ky fakt është shumë tragjik, kur kihen parasysh tentimet për t’i fshirë kufijtë kombëtarë, së paku në sferën e kulturës. Si duket atje nuk ka “paragiykime” sikur te ne, kur janë në pyetje sllavët. Ne në Kosovë për shpalljen e konkursit degjojmë vetëm nga ndonjë lajm gazetaresk. Konkurs të shpallur kurrë nuk kishte. E, në mediat e Malit të Zi, po.

Fahredin Spahija: E kemi biseduar këtë “harresë” të udhëheqësve të Galerisë Kombëtare në Tiranë, mirëpo për ne, asokohe, ishte e rëndësisë parësore pjesëmarrja në konkursin “Marubi 2003” pavarësisht nga ky “moskujdes” Duhet të them se ne, disa fotografë të Kosovës për herë të parë, në mënyrë të organizuar po mernim pjesë në një konkurs jashtë Kosovës. Mendonim se, pasi të hidhnim hapin e parë dhe, pasi udhëheqësit e Galerisë Kombëtare në Tiranë të binden se edhe në Kosovë ka dhe krijohet art fotografik, në vitet që do të vijnë do ta kenë këtë fakt parasysh dhe se për konkurset e tjera, do të dërgojnë edhe në Kosovë ftesë zyrtare për fotografët nga Kosova. Për fat të keq kjo, që kishim shpresuar, nuk ndodhi. Fotografët dhe fotografia artistike e Kosovës u injoruan prapë. Asgjë zyrtare lidhur me këtë konkurs nuk arriti në zyrat e Galerisë së Arteve të Prishtinës…

Vjet çmimin e parë e pati marrë (ia patën dhënë) një malazezeje. Cilat kritere kishte përdorur juria profesionale dhe cila ishte përbërja e një jurie të tille?

Naim Shala: Motoja e ekspozitës së vitit të kaluar ishte FOTOGRAFIA BARDH E ZI, ndërsa çmimin e parë ia dhanë një malazezeje anonime për fotografi ME NGJYRA. Këtu nuk kishte kriter, pos servilitetit. Tema e fotografisë fituese, një temë e parë qindra herë më parë dhe atë, shumë më mirë. Mua më erdhi shumë keq, aq më parë e aq më tepër, se 60 fotografë të shkëlqyeshëm nga Shqipëria, u injoruan tej mase nga juria. Unë e di se nga Kosova në juri ishte Violetë Xhaferi, ish-disenjatore e kostumeve në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Përpos një herë, në juri nga Kosova kurrë nuk ka pasur fotografë. Kishte edhe arkitektë nga Kosova në juri, por jo fotografë. Këtë unë e quaj injorim në instanca të larta.

Fahredin Spahija: I tërë maskenballi rreth shpërblimit të parë në “Marubi 2003” është përfolur shumëherë në mediet e Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Unë edhe sot mendoj se dhënia e çmimeve në atë konkurs, në veçanti çmimi i parë, ishte akt politik. Fotografia e shpërblyer me çmimin e parë as përafërsisht nuk kishte plotësuar kriteret e konkursit të vjetëm. Kjo fotografi, edhe në aspektin profesional, kishte një nivel mesatar.

Ç’metamorfozë pësoi ekspozita e sivjetme “Marubi 2004”, nga një ekspozitë ndërkombëtare në një ekspozitë të një rajoni të ngushtë ballkanik?

Naim Shala: Për çudi të të gjithëve, kjo ekspozitë prestigjioze, këtë vit pësoi një metamorfozë rrënuese. Vetë tema e kësaj ekspozite kufizonte pjesëmarrësit me një ide të çuditshme për KUJTIMIN FAMILJAR. Unë thellë jam i bindur se as kuratori e as ata të cilët e emëruan atë, nuk e kanë kuptuar këtë temë. Në ekspozitë kishte edhe fotografi bizare, si therrja e qengjit dhe, fotografi plot gjakë tjetra me ca mish të bluar në një këpuce fëmrash. Ç’kujtim i fuqishëm familjar! Po, vërtet, kjo ekspozitë mund të quhet tani e sllavëve të Ballkanit.

Fahredin Spahija: Kam frikë se organizatorët e këtij konkursi e bënë me qëllim këtë degradim të tij. U dërguan ftesa vetëm atyre që deshen t’i kenë në këtë ekspozitë, pra Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë dhe ndonjë shtet tjetër Ballkanik. Kujtoj se “invazioni” i fotografëve nga Serbia në këtë konkurs nuk ishte aspak i rastësishëm. Sjellja dhe veprimet e tyre në këtë edicion të sivjetëm të “Marubi 2004” tregon se ata u ndien në Galerinë e Tiranës si në “bahçe të babës”. Kjo “zemërgjerësi” e udhëheqësve të institucionit më të lartë të arteve figurative në Tiranë, në dy edicionet e fundit të këtij konkursi, po e katandis atë deri në shkatërrim. Mendoj se asnjë artist dhe asnjë dashamir i artit nuk duhet të rri gojëmbyllur karshi këtyre tendencave shkatërruese të këtij manifestimi kaq të rëndësishëm te fotografisë artistike te ne.

Sivjet morën pjesë në këtë ekspozitë fare pak artistë të njohur të fofografisë nga Kosova, ndërkohë që morën pjesë edhe arstë anonimë nga Serbia e Mali i Zi (rreth 36 sish, sipas medieve të Shqjpërisë). Mos është kjo një përpjekje për tjetërsimin historik të autoritetit shqiptar të vetë Marubit?

Naim Shala: Siç thashë më parë, ne kuptuam për këtë ekspozitë vetëm nga lajmet gazetareske. Pjesëmarrja aq masive e serbëve dhe e malazezve anonimë në këtë ekspozitë mund të kuptohet vetëm nëse kuratori ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me këta. Është e drejtë e tij kjo. Por, të injorohen fotografët nga Kosova në këtë mënyrë, kjo nuk është e drejtë e tij dhe e askujt. Shikuar nga e tërë rrjedha e ekspozitës, kuratori do t’ua falte fare kultin e Marubit sllavëve. Ç’i duhet atij ky? Kuratori nuk është fotograf fare.

Fahredin Spahija: Që nga nxerrja e konceptit të “Marubi 2004”, si dhe nga shpallja e kuratorit të këtij manifestimi më të madh të fotografisë artistike në gjithë hapësirat shqiptare, u pa se punët reth këtij konkursi do të venë edhe më mbrapsht sesa në atë të vjetmin. Me të kuptuar se bashkëkuratore e këtij konkursi do jetë një serbe unë për vete vendosa, pa asnjë hamendje, të mos konkurroja fare në ketë konkurs. Nuk e di nëse dikush nga kolegët e mi të Kosovës ka marrë pjesë në këtë ekspozitë. Në listën e pjesëmarrësve nuk kam hasur ndonjë emër të njohur të fotografisë artistike nga Kosova. Emri i Marubit, për gjithë krijuesit shqiptarë të artit fotografik, ka kuptimin e një ikone të fotografisë artistike, prandej mund të kuptohet lehtë se sa e dhembshme, për secilin nga ne, është katandisja e tij deri në këtë nivel nga ata që kishin obligim të kundertën, pra ruajtjen dhe mbrojtjen e figurës së tij nga çdo tendencë degraduese.

Mediet e përditshme të Shqipërisë ekspoziten e sivjeme dhe organizimin e saj e quajtën përpjekje për “maruboviçizim të karakterit të përçdovjetshem nderkombëtar te kësaj ekspozite, ku do të duhej të shquheshin vlerat artistike dhe jo ato politike. Cila është përshtypja juaj ndaj përpjekjeve të tilla të Galerisë Kombëtare të Shqipërisë, të kuratorëve të ekspozitës dhe të politikës së Shqipërisë në zhvlerësimin e vlerave për përfitime servile rajonale të politikës?

Naim Shala: Po, shihet qartë se ekspozita kishte dhe mori karakter më tepër politik dhe, doza e përfitimit politik është evidente. Serviliteti i tyre është fare i qartë. Kjo është karakteristikë e zhvlerësimit të të arriturave vetjake dhe injorim i plotë i vetvetes. Nuk do të thotë se çdo gjë që vjen nga jashtë të jetë më e mirë se jona! Marubin e ripagëzuan në “Maruboviq” të gjithë ata, të cilët mendojnë kështu.

Fahredin Spahija: Më duhet ta pranoj se mediat e Tiranës, por edhe disa sosh këtu në Kosovë bënë një punë të shkëlqyeshme reth informimit të opinionit artdashës rreth mbrapshtive që ndodhën në edicionin e sivjetëm të konkursit “Marubi 2004”. Mendoj se është shumë e rrezikshme dhe, njëkohësisht, shumë e turpshme, loja që kanë instaluar autoritetet e Galerisë Kombëtare dhe kuratorët e emëruar nga ata, për ta degraduar këtë manifestim të fotografisë artistike. Është i pafalshëm dhe tejet i rrezikshëm çdo tentim i politizimit të artit nga kushdoqoftë atje. Tendenca të tilla, mjerisht, kohëve të fundit vërehen edhe te ne në Kosovë.

Çfarë do të thotë bartja e kësaj ekspozíte në “SKC” të Beogradit? Ç’është kjo shkurtesë dhe pëmbajtje kah intenca e izolimit banal të ekspozitës ndërkombëtare “Marubi..”, sipas imponimit serb dhe sipas nënshtrimit të tillë renegat të Galerisë Kombëtare të Shqipërisë?

Naim Shala: Bartja e kësaj ekspozite në Beograd i tregon të gjitha. Bashkëpunimi kulturor ballkanik nuk ka gje të keqe. Por, ata të cilët i “ndihmuan” kësaj ekspozite ta ketë karakterin sllav, tani kanë qëllimin të mburren edhe në shtëpinë e tyre se çfarë bënë edhe në Shqipëri. Unë e kam dëgjuar në TV deklaratën e drejtorit të Galerisë Kombëtare, Abaz Hado, se ekspozitën do ta bartin në “SKC” (Studentski Kulturni Centar) në Beograd. Nënshtrimi i tillë ka vetëm një qëlim: kthimi i të mirave, që ata i bënë kësaj ekspozite. Vërtetë, serbët kanë “merita” të padiskutueshme për “Marubin” e sivjetëm. Rruga, të cilën e ka bërë kjo ekspozitë që të ngritet në nivel të lakmueshëm ndërkombëtar, ka qenë shumë e vështirë. Dikuj kjo i pengoi dhe, ja, kemi ekspozitë me renome tashmë të rrënuar. Do të jetë shumë vështirë që kjo renome të mëkëmbet përsëri. Por shpresojmë se ky ishte vetëm një çast i gabuar, me njerëz të gabuar, në vende të mira.

Fahredin Spahija: Bartja e kësaj ekspozite në lokalet e Qendrës Studentore të Beogradit (s’kam ende dijeni se, nëse kjo bartje e fotografive të “Marubi 2004” ka ndodhur apo jo), shënon një degradim të mëtejshëm të këtij konkursi ndërkombëtar. S’ke si e shpjegon ndryshe bartjen e një ekspozite të karakterit ndërkombëtar nga një Galeri Kombëtare në një qendër studentore beogradase. Ndërkohë, drejtori Hado, në një deklaratë për media këtë zhvendosje të “Marubi 2004 e quajti si një sukses të madh të kësaj ekspozite!

*(Ky bashkëbisedim është realizuar në gushtin e vitit 2004, në Prishtinë.)

© Fahredin Spahija
© Fahredin Spahija
© Fahredin Spahija
© Fahredin Spahija
© Naim Shala
© Naim Shala
© Naim Shala
© Naim Shala

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: FAHREDIN SPAHIJA: FOTOGRAFIA ËSHTË DASHURIA IME MË E MADHE NË JETË!

ObserverKult