Shqiptar Oseku: Dashuria s’vjen për t’na shpëtuar

shqiptar oseku

Dashuria neve s’na shpëtoi, shpirt,
se ajo nuk zdirgjet për të shpëtuar njerëz.

Gjindja kanë shumë ide naive
për natyrën e saj: mendojnë se është bamirëse,
a fëmijë që mendon se shiu bie veç për të.
Mendojnë se vjen te kush e meriton,
thuase dashuria është mirënjohje,
a orë floriri.

Prit sa të marrin vesh.
Dashuria s’është rigë e freskët vere,
nuk bie për të zbutur vapë.
Ajo është vapa, e zhegu,
e ora e zorit.

Njeriu kurrë nuk është gati për të.
Jo përnjëmend.

Ajo nuk vjen kurrë me kohë,
ajo është koha.
Dashuria nuk ndreq plane.
Ajo është plani.

Dashuria vjen zbathur, shpirt,
e shkel lehtë
mbi bar të kositur.
Ajo shpërndan aromë blini përreth
e gjithçka që prek
bëhet argjend.

Dashuria nuk vjen për të na shpëtuar, shpirt.
Ajo vjen për të ndarë
egjrën nga gruri,
e vetëm grurin e mirë e mban
në kuti.

ObserverKult

Lexo edhe:

SHQIPTAR OSEKU: MOS SHKO TE JOT AMË, DORUNTINË…

dashuria doruntina

Mirëmbrëma, Doruntinë.
Dëgjove se je kthyer kalëruar pas vëllait
netve pa hënë.
E retë nxiheshin, e korbat flisnin për ty.
Shkon i vdekuri me të gjallë.
A je e sigurt se i vdekuri s’qe ti?
Mos u fsheh ndër hije.
Mos prej në ankth copa të vetes.
Nuk bëhesh ashtu më e vogel seç je.
Nuk zhdukesh dot ashtu,
edhe po deshe.
Prit pak, Doruntinë.
E di se ku do të shkosh, por s’ke pse.
Vëllai nuk erdhi për hir tëndin,
po për nder te vetin. Ka nje dallim aty.
Për nder të vetin ai çohet lugat prapë
që të të vrasë. Kjo s’është dashuri.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult