Zejnullah Rrahmani: Babë, ti atje vetëm, si ia del me e mbushë ditën, me e kalue motin?

Zejnullah Rrahmani është i lindur më 1952 në Ballofc të Podujevës, Kosovë. Shkollën fillo­re dhe gjimnazin i kreu në Podu­jevë. Ka studiuar dhe është diplo­muar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Studimet pasuniversitare dhe magjistraturën i kreu në Degën e Letërsisë Shqipe, 1984. Më 1985 doktoroi në shkencat filologjike në Prishtinë.

Ka punuar në revistën “Fjala” katër vjet si gazetar dhe redaktor. Në Fakultetin Filozofik (tash Fakulteti i Filologjisë) punon prej vitit 1977, ku është profesor për lëndën Teori e letërsisë. Lëndën Teoritë letrare e ligjëron për studentët e studimeve master dhe në studimet e doktoratës.

Ka qenë kryetar i Studimeve pasuniversitare të Degës së Letër­sisë, i ka reformuar e udhëhequr ato nga viti 1992–1998. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë dekan i Fakultetit të Filologjisë. Anë­tar i Kolegjiumit të dekanëve të Universitetit të Prishtinës ishte në periuhën 1992-1996. Më 1995 e ka ringjallur, pasi që ishte ndërprerë dhunshëm dhe nuk ishte mbajtur disa vite, Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe të njëjtin vit, si bashkëdrejtor me Akademik Bahri Becin, e ka organizuar në Tiranë për dy vite me radhë.

Ka themeluar revistën shkencore “Filologjia” të Fakultetit të Fi­lo­logjisë dhe ka qenë kryeredaktor i tre numrave të parë të saj. Nga viti 1970 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në fu­shën e krijimtarisë letrare shkruan zhanret e prozës (roman, novelë, tre­gim).

Nga viti 1992 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional për programet e letërsisë si dhe anëtar i Këshillit për unifikim të teksteve e të pro­grameve nacionale të Kosovës e të Shqipërisë 1992-1998. Nga viti 1996-1999 në cilësinë e Këshilltarit për arsim i Dr. Ibrahim Rugovës, Kryetar i Kosovës, e ka udhëhequr arsimin shqip (paralel) të Kosovës.

Në periudhën 2007-2009 ka qenë anëtar i Këshillit Nacional të Shkencës të Kosovës.
Aktualisht është kryetar i Këshillit të Doktoratës të Fakultetit të Filologjisë. Nga viti 1999 ka qëndruar disa herë në Kanada. Jeton në Prishtinë: Bregu i diellit, perëndim, L/6 Nr. 3.
Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh më 2012.

Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga libri i tij “Romani për Kosovën”:

Mallkimi

Nga Zejnullah Rrahmani

Ishtë një ditë e zymtë. Gjithë paradita i kishte kaluar me mundime. Disa lajme të këqia nga larg: kish filluar një luftë në Shqipëri. Komunistët. Pas trakteve kishin krisur armët dhe plumbat kishin derdhur gjak shqiptarësh.

Në momentin e parë Ahmet Zeqiri as që mund ta kuptonte çka kish ndodhur, më në fund, rrëmonte ndër mendime, përse u dashka luftuar pushtuesi duke vrarë shqiptarë? Kish muaj që kurrgjë nuk dinte për të afërmit , familjen, që të tre, gruaja,djali e vajza të mbetur në Elbasan.

Ditët e para pat menduar hajt se sa të rregullohem pak i sjell këndej, mandej e pa fare qartas që nuk mund t’i sillte këndej! Dhe, as ata nuk do të vinin këndej!

A nuk vërehej kjo në të gjithë rreshtat e letrës të cilën ia kishte dërguar i biri dhe të cilën e kishte marrë me një vonesë prej tre muajsh:

***

Nana ka pas disa kriza të randa me nervat, -i kish shkruar i biri pas nja dy muajsh. –E kemi pasë të doktori, madje ka ardhë edhe nji doktor italian enkas nga Tirana dhe e ka kontrollue gjatë, mirëpo ajo ma mirë nuk ka ba.

E ka kapë nji trishtim e mërzi e thellë dhe e qetë: as nuk qan as nuk qesh. Duket e humbun në ket botë dhe me gjasë asgja prej gjaje nuk i hyn ma në sy…Kur e shikoj në atë gjendje, më copëtohet zemra krejt e s’më bahet me jetue pas saj ma!

Po ti, Baba, si je ? Si kalon ndër ato vende të dashtuna të fëmijnisë sate? A janë ata njerëz ashtu çfarë i do ti, ashtu siç i ke lanë atë mot?

E di , kisha me dashtë me pasë mundësi për me ardhun e me ndejtë ndoj ditë atje me ty, po kjo tash asht krejt e pamundun.

Kam me e fillue studimin edhe disa javë…asht nji kolexh italian…Mirëpo si i bahet halli Nanës? Motra â ende e re e nuk mundet me i ardhun rreth me përkujdesje, megjithëse asht rritë e ba vajzë e pashme e si të përmendet emni ty,  asaj i njomet syni e buza fillon me iu dridhë, megjithëse bahet se asht e rritun e nuk qan.

Droj që po bahet e ndieshme si lule molle a si ata avujt e liqenit që edhe puhiza ma e vogël i shtyn e i tret …Babë , gati harrova me të kallxue, e njiherë dashta me e fillue letrën me te: Nertila e Toptanëve ka ardhun para disa ditësh nga Tirana, për një pushim fundjave.

Jemi ndeshë përballas nji moment e ajo m’u ka futë në sy e në zemër, dhe tash rri pa gjumë e e kujtoj; ma merr mendja edhe ajo mue se ia ndiej grishjen nga larg …

Babë, kjo ndjenjë e dashunisë asht ma e fortë se stina e verës, se rrufeja, ma e randë se guri i mullinit, se bjeshka…po nejse,  ti atje vetëm, si ia del me e mbushë ditën, me e kalue motin?

A ta mbushin jetën ndopak njerëzit e tu që i ke pas lanë për aq shumë kohë? A ke ba ndoj send për ta për me ta mbajtun mend veprën e mirë ndër motet e turbullta që po vijnë?

Nuk ke nevojë , tatë,  për zotin, me më tregue që ke me u shkri në punë për të mirën e tyne, veçse koha asht kopileshë e me hile , si njaj lumë që ndërron shtrat e herë rrjedh andej e herë këndej e shkon tue u përdredhë dhe njeriu nuk e di kurrë ku asht nisun e ku ka për me dalun…

Ndër fjalitë tejmase të kujdesshme Ahmet Zeqiri ia ndieu fare mirë drojën të birit: mos po rridhte koha ndryshe dhe gjithë puna e tij atdhetare do të shihej si një tradhti e turpshme?

Ishte fare e mundshme!

Edhe ashtu kishte zëra që thoshin që Italia po dobësohej  se tashmë ndodhej përpapa hendekut  të thellë në të cilin do të rrokullisej.

Shqiptarët sërish do të mbeteshin të nëpërkëmbur e të pasigurt për ardhmërinë, tashmë edhe të përçarë, me krimbin e komunizmit brenda, me gjakun e nxehtë, me armiqësitë e krahinave….

(Shkëputur nga libri ‘Romani për Kosovën’ i  Zejnullah Rrahmanit)

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS / PROGRAMI…